Rritet numri i aksidenteve fatale, për tre muaj e gjysmë 27 të vdekur

Aktuale

Rritet numri i aksidenteve fatale, për tre muaj e gjysmë 27 të vdekur

Më: 14 prill 2019 Në ora: 11:19
Foto ilustrim

Arton Curri 39 vjeçar u gjet i vdekur mëngjesin e djeshëm në arat e fshatit Vitomiricë të Pejës. Ai dyshohet se u godit nga një veturë, shoferi i së cilës ka ikur nga vendi i ngjarjes. Për këtë rast Prokuroria e Pejës ka ndaluar një person të dyshuar ndaj tij është kërkuar paraburgim. Me vdekjen e Currit numri i viktimave në komunikacion brenda këtij viti ka shkuar në 27. Numri i të lënduarve është rreth 2 mijë persona. Ndërsa brenda këtyre tre muajve ndodhën rreth 3 mijë aksidente.

Aksidentet me fatalitet kanë shënuar rritje në vendin tonë. Në tre muajt e parë të këtij viti (janar-mars 2019), janë 7 persona më shumë që kanë humbur jetën në komunikacion se sa në periudhën e njejtë kohore të vitit 2018.

“7 persona më shumë kanë vdekur si pasojë e aksidenteve në rrugë gjatë periudhes së njejtë tremujore”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Pra, gjatë muajve janar-mars 2019 në komunikacion kanë vdekur 24 persona, ndërsa në periudhën e njejtë të vitit 2018 kanë vdekur 17 persona, apo 7 më shumë këtë vit.

Por, numri i të vdekurve në aksidente këtë vit nga 24 është shtuar në 27. Një aksëident me të vdekur ka ndodhur të shtunën në Vitomiricë. 

E, të premtën në rajonin e Gjakovës në një aksident trafiku kanë humbur jetën dy persona-meshkuj, shtetas të Shqipërisë ndërsa lëndime trupore kanë marrë edhe gjashtë të tjerë.

Po ashtu për tre muaj në Kosovë kanë ndodhur 1032 aksidente me persona të lënduar. E, lëndime kanë marrë gjithësej 1945 persona. Apo 716 persona më pak të lënduar sesa në tre mujorin e vitit 2018, ku lëndime kanë pësuar 2661 qytetarë.

“Aksidentet në përgjithësi kanë shenuar rënie, përveç atyre me fatalitet ku statistikat shënojnë rritje”, tha Hoxha.

Po ashtu për këtë tre mujor kanë ndodhur 1897 aksidente me dëme materiale.

E, për kundërvajtësit e trafikut policia ka shqiptuar mbi njëqind mijë tiketa.

“Total tiketa të shqiptuara për tre muaj në Kosovë janë 101115 tiketa”, thuhet në statistikat e Policisë së Kosovës.

E në këtë situatë, ku rrugët e Kosovës gati çdo ditë po lahen nga gjaku i qytetarëve policia po vazhdon me aktivitete që kanë për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor si dhe uljen e aksidenteve. 

“Njësitë policore, përveç pikave të kontrollit të automjeteve apo patrullimeve në lëvizje, janë duke u përqendruar në identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve të cilët rrezikojnë sigurinë në trafikun rrugor”, tha më tutje Hoxha.

Policia vazhdimisht po apelon që  pjesëmarrësve në trafik të bëjnë kujdes, posaçërisht te drejtuesit e  automjeteve në mënyrë që të shmangen aksidentet fatale.

Po ashtu, Policia e Kosovës po aplikon masa rigoroze ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat