Bejta: Liderët politikë, fajtorë për ikjet e të rinjve

Aktuale

Bejta: Liderët politikë, fajtorë për ikjet e të rinjve

Më: 14 prill 2019 Në ora: 12:32
Fiknete Bejta

Asamblistja e AAK-së në Prishtinë, Fiknete Bejta, ka thënë se emigrimi ndodh kur një shoqëri nuk është e aftë për t’u organizuar dhe për të krijuar jetesë normale për të gjithë.

Ajo ka thënë se liderët politikë as këta sot e as ata që ishin dje, siç thotë ajo, nuk kanë pse të kërkojnë më larg se sa vetja e vet shkaqet se pse të rinjtë po ikin.

Sipas saj, udhëheqja e vendit prej mëse 20 vitesh nuk ka prodhuar dhe as nuk ka tentuar të bëjë organizimin e duhur shoqëror për të realizuar kushtet normale të jetesës, përcjell lajmi.net.

Ky është postimi i plotë:

Emigrimi ndodh kur një shoqëri nuk është e aftë për t’u organizuar dhe për të krijuar jetesë normale për të gjithë.

Qasjet ekonomike, e kanë perceptuar emigrimin si një pasojë e ndryshimeve strukturore, që janë shënuar midis vendeve të origjinës dhe atyre pritëse në nivelet e zhvillimit ekonomik, si edhe në mundësitë që ofronin vendet pritëse për përparim dhe mirëqenie ekonomike.

Këndvështrimet më të fundit teorike, që janë përqendruar në fenomenin e globalizimit, e lidhin emigrimin bashkëkohor me procesin e liberalizimit të mallrave dhe të kapitalit, dhe si rrjedhim të lëvizjes së pashmangshme të forcës punëtore .

Kjo është çfarë ka ndodhur dhe po ndodhë në Kosovë. Dhe kjo është arsyeja se pse kosovarët po ndërrojnë vend për një jetë më të mirë. Liderët politikë as këta sot e as ata që ishin dje nuk kanë pse të kërkojnë më larg se sa vetja e vet shkaqet se pse të rinjët po ikin. Udhëheqja e vendit prej mëse 20 vitesh nuk ka prodhuar dhe as nuk ka tentuar të bëjë organizimin e duhur shoqëror për të realizuar kushtet normale të jetesës.

Mjafton të shohësh zhvillimet katrahurë në sektorin privat si pjesa më e rëndësishme e punësimit. Ky sektor jep paga jo të dinjitetshme, ka orare jo sipas ligjit të punës , ekzekuton paga me vonesa deri në 4-7 muaj dhe pa asnjë siguri në punë. Këto janë disa fakte që bëjnë për të kuptuar që kjo klasë politike ( përfshirë edhe Kuvendin) nuk është në gjendje të hartojë dhe zbatojë parimet më minimale të zhvillimit të rregullave të punësimit.

Sa vdekje kemi pasur nê vendin e punës vetëm në 6 muajt e fundit? Çfarë trajtimi ju është bërë punëtorëve nga disa rrjete marketeshë? Cilat kanë qenë masat?

Në dhjetë vitet e fundit disa ministri ndajnë qindra miliona euro në grante për zhvillimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin e ndërmarrjeve apo zhvillimin e kompetencave ndërmarrëse tek të rinjët. Por asnjë herë nuk ka pasur një raport për feedback-un e këtyre granteve, kanë “ dështuar” rrugës në realizimin e objektivave. Thjesht këto qindra miliona euro ju kanë shërbyer disa grupeve të lidhura me partitë në pushtet (pavarsishtë cila parti ) për të rritur pasurinë e tyre dhe jo për çfarë ato para janë dedikuar.

Të gjitha këto e kanë një inericion. Që nuk jemi mirë si shtet dhe si shoqëri duhet ta kuptojmë dhe të gjithë pa dallim duhet të punojmë për një shoqëri ku respektohet parimi i barazisë dhe promovohet barazia e shanseve dhe mundësive.

Sidoqoftë emigrimi do të vazhdojë të jetë një pjesë e rëndësishme e peizazhit ekonomik, politik dhe social të Kosovës. Shiquar në aspektin pozitiv emigrimi legal i të rinjve do të lehtësojë presionet e tregut të punës,do të rritë konkurrencën e tregut të punës edhe në aspektin e pagave meritore. Gjithashtu mund të konstatojmë se remitencatë nga diaspora kanë ndihmuar familjet përfituese të gëzojnë një standard të mirë të jetesës – madje, për familjet më të varfra, të dalin nga varfëria. Për këtë arsye, forcimi i angazhimit me diasporën dhe shfrytëzimi më i mirë i potencialit të Kosovës nga emigrimi mund të japë një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e saj ekonomik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat