Të mërkurën mbahet interpelanca me kryeministrin Haradinaj

Aktuale

Të mërkurën mbahet interpelanca me kryeministrin Haradinaj

Më: 15 prill 2019 Në ora: 07:11

(E plotësuar) - Ka përfunduar punimet seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, ku në mungesë të deputetëve, nuk është arritur që të votohen disa projektligje.

Kryesuesi i Kuvendit, Xhavit Haliti në mbyllje të punimeve të seancës, njoftoi se të mërkurën do të mbahen dy interpelanca.

Në seancën që do të fillojë në ora 10:00, do të mbahet interpelanca me kryeministrin Ramush Haradinaj, me kërkesë të Grupit Parlamentar PSD. 

Po ashtu me kërkesë të këtij grupi, po këtë ditë do të mbahet interpelanca e dytë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Glauk Konjufca e quan analfabete Teuta Haxhiun

Gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit për Diasporën në Kuvendin e Kosovës, deputetja e AAK Teuta Haxhiu akuzoi kolegun e saj nga radhët e VV-së Glauk Konjufca se ka marrë pjesë në shtetet ku qëndrojnë mërgata e Kosovës lidhur me projektligjin në fjalë dhe sot GP i VV nuk e përkrah Projektligjin për Diasporën.

Sipas saj, kanë shpenzuar mjetet e buxhetit të shtetit dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca dhe Fitore Pacolli gjatë vizitave në qendrat shqiptare ku jetojnë dhe veprojnë diaspora e Kosovës.

Haxhiu: Është turp çfarë flet Konjufca

“Për mua është turp, kur sot thua, jemi keqkuptuar me ministrin, kur nuk u keqkuptove sa ishe nëpër turne. Shpenzim i parasë së buxhetit të Kosovës dhe keqpërdorim, ka qenë ai turne. Prej sot fillon puna e komisionit, fillon puna e deputetëve. Brenda dy leximeve punojnë deputetët dhe nuk mund më i thënë sot po të kushtëzojë. Dhe sot nëse thua se jemi keqkuptuar me ministrin, për mua është turp. S’e nuk e keqkuptuar në diasporë sa ke qenë. A ia ke thënë atje? Dhe nëse ia ke thënë atje, është turp që ke vazhduar katër turne, është dashur të kthehesh me të parin këtu”, tha Haxhiu.

Ndaj deklaratave të saj, ka reaguar deputeti Konjufca, i cili e ka quajtur analfabete deputeten e AAK-së duke i dhënë shpjegimet për pjesëmarrje si deputet në diasporë.

Konjufca: Deputetë analfabet arrin të bëhen deputet

“Me shumë keq ardhje për analfabetizmin e njerëzve që arrin me u zgjedh deputet në Kuvendin e Kosovës, të cilët thonë: “Prej juve paskan ardhur dy deputetë, prej neve veç një”. Po, veç një e kanë në Komision. AAK e ka vetëm një në Komision. LDK i ka dy, kanë ardhur dy, VV i ka dy, kanë ardhur dy. AAK e ka një, ka ardhur një. Nuk mundesh me i bë dy aty, edhe nëse do. Prej këtij analfabetizmi elementar në Kuvend, kur nuk e din deputetja këtë problem, për besë po përtoj me u marrë me tjerat”, iu përgjigj Konjufca deputetes Haxhiu.

Edhe deputetja tjetër e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli reagoi ndaj akuzave të  deputetes Haxhiu, duke thënë se vizita ka qenë pjesë e detyrave dhe e punës si deputet. 

Sherifi dhe Haxhiu e lëshojnë seancën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate e kanë lëshuar sallën ku po mbahen seanca plenare. Ky reagim erdhi pasi që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti nuk ua dha fjalën.

Ai madje i tha deputetit të Nismës, Bilall Sherifi se nuk mund t’ia jap fjalën pas çdo diskutimi.

Haliti: Nuk ka repikë

“Jo nuk ka replikë e ka kryer ministri, zotëri ministër e ke fjalën, por nuk ka pas ministrit, jo nuk ka, nuk ka hiq, rregullore është...Kush do me fol t’i do me bë replikë a, ose a ta ka përmendur kush emrin, rri bre burrë“, tha Haliti.

E Sherifi i tha nënkryetari të Kuvendit, se rregulloren e interpretojnë ndryshe ai e ndryshe kryetari i Kuvendit.  

Sherifi: Çdo deputet ka të drejtë të bëjë replikë

“Çdo deputet ka të drejtë përpos emrit edhe kur t’i referohet kësaj apo atij, ka të drejtë replike”, u shpreh ai.

Në anën tjetër edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu tha se me rregullore të Kuvendit ka të drejtë të bëjë replikë.

Haxhiu:Me rregullore mund të bëjë replikë

“Po me rregullore të Kuvendit është “, tha Haxhiu.

E tek i gjithë ky debat erdhi pas shqyrtimit të parë të projektligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, ku u kërkuar që përveç përfshirjes së ditëve të pushimit, të dënuarve që qëndrojnë në burgje t’u lejohet edhe pakoja ushqimore.

Thaçi duart e lira për prekje kufijsh, Kuvendi nuk arrin ta miratojë rezolutën që ia ndalon këtë

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta votojë rezolutën nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun me Serbinë.

Si pasojë e mungesës së  votave nuk u votua as propozim-rezoluta nga debati lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

Haliti i reagon Sejdiut: Është hera e fundit që ofendon

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i reagoi ashpër deputetit të pavarur Korab Sejdiut, pak pasi që ky i fundit citoi nenin që ja lejon atij të marrë fjalën në Kuvend.

Teksa fillimisht Haliti tha se edhe pse nuk është në bazë të rregullave po i jep fjalën Sejdiut, deputeti i pavarur menjëherë citoi rregulloren me anë të së cilës thotë se i lejohet të flasë.

Por, kjo e nërvozoi Halitin, që i reagoi Sejdiut duke i thënë se është hera e fundit që ofendon.

“Unë ta kam dhanë fjalën se kum mendu që fol diçka, është hera e fundit që ofendon kur ta jap fjalën në Kundërshtim me rregulloren”, shtoi ai.

Zeka sistemin e drejtësisë e quan çervish të prishur

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka në fjalën e tij për Kodin e Procedurës Penale, tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë është bërë çervish i prishur.

Zeka po ashtu tha se sistemi kokë e këmbë është kapur dhe si shembull të kësaj e dha emërtimin e prokurorit, Aleksandër Lumezi si kryetar të Jurispodencës.

“Mos të mendoj dikush në këtë Republikë të Burdushit që ne kemi me pas sistem të drejtësisë kur ministri jonë i Drejtësisë personalisht e ka propozuar si kryetar të komisionit të Jurispodencës, prokurorin Aleksandër Lumezi. Pse e ka propozuar ministri i Drejtësisë, Aleksandër Lumezin sepse në kohën kur kanë qenë miq të ngushtë ky dhe presidenti Thaçi me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese edhe jeni hala edhe unë jam me ty mik edhe me Hashim Thaçin jam mik por jemi mik privat dhe jemi kundërshtar të tmerrshëm të politikës e sidomos të sistemit të drejtësisë që e keni bërë çervish të prishur, dhe ju e keni propozuar Aleksandër Lumezin sepse e keni kapur pick ...Ju e keni kapur sistemin e drejtësisë në këmbë dhe kokë dhe duke e kapur këtë sistem të drejtësisë tash po doni me na i shtua edhe plus dy vite që katër vite me na mbajtur neve lidhur”, tha Zeka. 

***

Kuvendi i Kosovës ka votuar mocionin për formimin e Komisionit të veçantë për të dënuar krimin dhe gjenocidin serb në Kosovë.

Themelimin e këtij komisionin e kanë votuar të gjitha partitë politike dhe prej 68 deputetëve sa ishin prezent në seancë të gjithë votuan pro këtij komisioni.

Propozimin për komisionin për krijimin e një komisioni dhe rezolute për gjenocidin dhe krimet serbe në Kosovë  e bëri deputeti i Nismës Socialdemokrate.

Kadri Veseli e “thumbon” Glauk Konjufcën për SHIK-un

Projektligji për miniera dhe minerale ka përplasur Vetëvendosjen dhe PDK-në.

Me propozim të PDK-së, projektligji nuk kaloi pasi që mori vetëm 39 vota, duke mos u votuar kështu nga shumica e opozitës.

Për këtë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi reagoi duke thënë se ishin vetë opozitë që kërkoi këtë projektligj, mirëpo nuk e votuan.

 “Kjo opozitë është e dështuar sepse vet e kërkuan dhe nuk e votuan, madje pikërisht Glauku kërkoj me votu që me marrë pjesë në votim, e nëse edhe për këtë nuk janë në gjendje me majtë fjalën 2 minuta, unë nuk e di çka mujna me bo diçka bashkarisht në të ardhmen”, tha Krasniqi.

Mirëpo, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca i replikoi duke thënë se ai kishte votuar, por jo edhe nga partia e tij.

 “Unë votova, por problem është që grupi parlamentar s’po ngon, kjo është punë autoriteti sepse opozita s’po ngon, çka kam faj une?”, tha Konjufca.

Pas reagimit të Konjufcës foli edhe i pari i Kuvendit. Kadri Veseli që i tha Konjufcës se kohëve të fundit i ka lëvizur autoriteti.

 “Glauk, të ka lëvizë autoriteti kohëve të fundit”, tha Veseli.

I vazhdohet mandati Komisionit Hetimor për rastin e turqve të dëbuar

Deputetët e Kuvendit të Kosovës ia zgjatën të hënën mandatin Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili merret me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, më 29 mars të vitit të kaluar.

Deputetët, me 60 vota për, një kundër dhe katër abstenime, ia zgjatën mandatin komisionit edhe për 30 ditë.

Anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar kanë thënë se aktin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova e kanë përcjellë shumë shkelje dhe parregullsi, qofshin ligjore, apo të kompetencave.

Komisioni pritet që të dalë me një raport final për këtë çështje.

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq, në fundin e marsit të vitit të kaluar, është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Por, deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës kanë thënë se nuk kanë pasur njohuri lidhur me rastin.

Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grushtshtet në Turqi në vitin 2016.

Kuvendi formon komision për përmirësim të procesit zgjedhor

Kuvendi i Kosovës me 70 vota pro e ka formuar komisionin ad-hock për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor, pas debateve për përzgjedhjen e anëtarëve të tij.

Në këtë seancë u miratua edhe kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018, për vazhdimin e mandatit edhe për një afat 30 ditor, megjithatë, nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme për të kaluar.

E për këtë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se do të ishte mirë që ky komision do ishte mirë që të vazhdonte punën e tij, pasi nuk është mirë që Kosova të sanksionohet me ndonjë rezolutë ndërkombëtare pa pasur nevojë.

Haxhiu: Institucionet vendore nuk kanë pasur vullnet për të adresuar krimet nga Serbia

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se si parti politike do e mbështesin rezolutën dhe krijimin e komisionit ad –hock për sanksionet ndaj krimeve serbe në Kosovë.

Haxhiu tha se VV e mbështetë themelimin e një gjykate vendase, ashtu siç kanë kërkuar para votimi të Gjykatë Speciale.

Ajo tha se as UNMIK, as EULEX dhe as institucionet vendase nuk kanë pasur vullnet për t’i adresuar krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

“Përfaqësuesja jonë në këtë do t’i jap të gjitha qendrimet e Vetëvendosjes të shkruara natyrisht propozimet tona, pra nga kjo seancë sot nuk mund të paragjykojmë se cili do të jetë qëndrimi i këtij komisioni ad-hock sepse u përmend nga ju një tribunal për krimet e Serbisë, në fakt ne është dashur qysh moti ta kemi një Gjykatë të veçantë që trajton të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë siç kanë bërë të gjitha vendet e Ish Jugosllavisë, sepse ne jemi dëshmitar që as UNMIK, dhe as EULEX-i, por as institucionet vendase as minimumin e vullnetit për të adresuar krimet e kryera nga Serbia”, tha Haxhiu.

Përfaqësuese në komisioni ad-hock për sanksionet e krimeve serbe në Kosovë nga Vetëvendosje do të jetë Saranda Bogujevci.

***

Shefi i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka bërë të ditur se edhe PDK e kanë përkrahur rezolutën për sanksione ndaj gjenocidit serb në Kosovë.

Krasniqi tregoi se përfaqësuesi i PDK-së në këtë komision do të jetë deputeti Mërgim Lushtaku.

 Krasniqi: E mbështesim këtë inicitativë

“Si grup parlamentar e mbështesim plotësisht këtë inicativë të cilën e kemi diskutuar edhe javën e kaluar dhe është përmendur edhe në këtë Kuvend, kështu që ne do të kemi përfaqësuesin tonë në komisionin që do të themelohet dhe propozojmë që  përfaqësues në këtë komision të jetë deputeti Mërgim Lushtaku” tha Krasniqi.

LDK e mbështetë rezolutën për sanksione për krimet serbe

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar edhe kjo parti e mbështes themelimin e një rezolute për sanksionet ndaj krimeve serbe.

Ai ka kërkuar që kjo rezolutë të jetë në frymën e parlamentit evropian dhe të jetë e pranueshme për të gjithë deputetë e Kuvendit të Kosovës.

Hoti: E mbështesim dhe e delegojmë Armend Zemanjn

“Ne e mbështesim plotësisht dhe ne do ta delegojmë deputetin Armend Zemanj që është zëvendëskryetar i grupit parlamentar dhe shpresoj që në konsultim me të gjitha grupet parlamentare të nxirret një rezolutë në frymën edhe të rezolutave të Parlamentit Evropian, i cili ka dënuar masakrën në Srebrenicë e plotë vendeve të tjera,shpresoj se do të nxjerrim një rezolutë që është e pranueshme për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha Hoti.

Krijimi i një rezolutë të tillë u propozua nga shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

Veseli: Duhet të krijohet Tribunali Ndërkombëtar për krimet serbe

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka deklaruar ideja e rezolutës është që të vazhdohet me hapa të tjerë, pasi duhet të krijohet një Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe.

Veseli këto komente i bëri pas propozimit të shefit të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi  për krijimin e një komision lidhur me sanksionet e krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovës.

Image

Veseli: Kuvendi në 2005-ën nuk votoi rezolutën, 55 ishin kundër

“Tani është përvjetori i masakrave të mëdha, 186 masakra, me qindra vet, fëmijë nga posa të lindur për besë të gjithë më tepër si politikan jemi qenie njerëzore kur shkojmë t’i përkujtojmë ende dhe Kuvendi mos me marrë asnjë hap nuk është e ndershme. Keni parasysh  me datën 3 gusht 2015, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka arritur ta bëjë këtë, 102 deputetë kanë votuar, 55 kundër “, tha Veseli.

Veseli shtoi se edhe sot po ndodhë mohimi i masakrave nga serbët, dhe kështu do të ndodhë edhe pas pesë viteve.

Veseli: Duhet të krijohet Tribunali Ndërkombëtar për krimet serbe

“Ideja nuk është vetëm të bëjmë rezolutë, ideja është që përmes kësaj rezolute  të bëhen hapat, duhet të shkojmë në Këshill të Evropës, Parlament Evropian ky komision. Duhet të krijohet një Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe dhe kjo duhet gjithsesi, është në nderin dhe dinjitetin e këtij vendi. I keni mohimin e makrave e cila po ndodh sot dhe kështu do të ndodhë edhe pas pesë viteve të gjitha”, tha ai.

***

Vazhdimi i seancës ka nisur me propozimin e shefit të grupit parlamentar të Nismës SocialDemokrate, Bilall Sherifi që të formohet një komision ad-hok për të hartuar një rezolutë lidhur me gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Ai tha se është koha që të krijohet një komision at-hot nga Kuvendi i Kosovës dhe të gjitha deklarimet publike të partive politike t’i bashkojnë në një rezolutë, lidhur me gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Veseli deputetëve: Me dëshirë jeni në Kuvend, i keni disa obligime para qytetarëve

Kuvendi i Kosovës nuk po mund ta vazhdojë sot seancat e papërfunduara të datave 30 janar, 28 shkurt, 7, 12 dhe 13 mars, të cilat ishin paraparë për 11 prill, por që u shtynë për shkak të mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme mbi migrimin e të rinjve.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka thënë se deputetët është mirë që të vinë në seancën e Kuvendit dhe të mos malltretohen këta 40 deputetë duke pritur.

Ai tha se deputetët po i thërret populli dhe qytetarët e Kosovës pasi i kanë disa obligime.

“Janë 40 deputetë në sallë, është mirë me na dhanë gjendjen edhe mos të malltretohen këta në sallë, ne do të presim 10 minuta në sallë, deputetët që janë brenda ambienteve të Kuvendit i thërret populli, i thërrasin qytetarët e Kosovës, i kanë do obligime, me dëshirë jena sjell”, tha Veseli.

Deputetët para vetes kanë për shqyrtim gjithsej 51 pika dhe pritet të jetë një seancë maratonike sot.

***

Në mungesë të deputetëve të pranishëm në sallë ku pritej të niste seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, është vendosur që seanca të shkojë 15 minuta pauzë.

Këtë vendim e ka bërë të ditur nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

Në këtë seancë plenare do të vazhdojnë seancat e papërfunduara të datave 30 janar, 28 shkurt, 7, 12 dhe 13 mars, të cilat ishin paraparë për 11 prill, por që u shtynë për shkak të mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme mbi migrimin e të rinjve.

Deputetët para vetes kanë për shqyrtim gjithsej 51 pika, prej tyre dy kanë të bëjnë me interpelanca të kërkuara nga Grupi parlamentar i PSD-së për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

***

Kuvendi i Kosovës vazhdon sot seancat e papërfunduara të datave 30 janar, 28 shkurt, 7, 12 dhe 13 mars, të cilat ishin paraparë për 11 prill, por që u shtynë për shkak të mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme mbi migrimin e të rinjve.

***

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot seancat e papërfunduara të datave 30 janar, 28 shkurt, 7, 12 dhe 13 mars, të cilat ishin paraparë për 11 prill, por që u shtynë për shkak të mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme mbi migrimin e të rinjve.

Deputetët para vetes kanë për shqyrtim gjithsej 51 pika, prej tyre dy kanë të bëjnë me interpelanca të kërkuara nga Grupi parlamentar i PSD-së për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Pesë pika të papërfunduara nga seanca plenare e 30 janarit kanë të bëjnë me votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Protokollin Shtesë 5 të Marrëveshjes për Amendimin dhe Aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare, kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq për vazhdimin e mandatit edhe për një 30 ditë dhe votimi në parim i Projektligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës.

Ndërsa shtatë pika të papërfunduara janë nga seanca e 28 shkurtit, ku përfshihen votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale, votimi në lexim të dytë i Projekt-Rregullores së Kuvendit të Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, votimi i raundit të dytë për zgjedhjen e 6 anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas, shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2019 dhe pika e shtatë ka të bëjë me formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për 5 anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare e 7 marsit janë gjithsej 37, ku pikat 36 dhe 37 kanë të bëjnë me interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, në lidhje me mos-caktimin dhe rritjen e pagës minimale në Republikën e Kosovës dhe interpelanca e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sipas kërkesës së kryetarit të GP-Partia Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, i mbështetur edhe nga 11 deputetë, në lidhje me themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës Sh. A/NKEC.

Votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara do të jetë pika e vetme e papërfunduar nga seanca e jashtëzakonshme e 12 marsit.

Edhe nga seanca e jashtëzakonshme, mbajtur më 13 mars, ka mbetur një pikë e papërfunduar, e cila ka të bëjë me votimin e Propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidenti Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat