Haradinaj akuzon Mogherinin e Hahn për deklaratat rreth korrigjimit të kufijve

Aktuale

Haradinaj akuzon Mogherinin e Hahn për deklaratat rreth korrigjimit të kufijve

Më: 15 prill 2019 Në ora: 13:00
Hahn, Haradinaj dhe Mogherini

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar përfaqësuesen e BE-së Federica Mogherini dhe komisionarin evropian për Zgjerim Johaness Hahn se me deklaratat e tyre për korrigjim të kufijve i kanë humbur një vit BE-së dhe Ballkanit.

Sipas tij, nëse nuk do të flitej për këtë temë, ndoshta marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të arrihej.

Këto komente i ka bërë kur është pyetur për deklaratën e komisionarit Hahn, se nuk e përjashton mundësinë për të biseduar për korrigjimin e kufijve nëse pajtohet pala e Kosovës dhe ajo serbe.

Haradinaj: Diskutimi për territore, vazhdim i gabimeve të BE-së

"Është vazhdim i gabimit që po bën BE, që ka bërë Mogherini dhe komisionari Hahn, ata ia kanë humbur një vit BE-së dhe Ballkanit sikur të mos kishin folur për kufij e për territore ndoshta do ta kishim një marrëveshje. Një deklaratë që e lë të hapur mundësinë e bisedimit të territorit dhe kufijve është vazhdim i politikës së gabuar të këtyre evropianëve që po shkojnë fatmirësisht", deklaroi ai.

Sa i përket asaj se a ka mundësi që të arrihet një marrëveshje këtë vit, Haradinaj tha se me këtë evropianë që flasin për territore vetëm sa po shkojnë mbrapa.

Haradinaj: Po largohemi nga marrëveshja

"Me këta evropianë që po flasin për kufij e për territore vetëm sa po shkojmë mbrapa. Pra, nuk po afrohemi në ndonjë marrëveshje, por po vonohemi po largohemi", tha Haradinaj.

Ndërkaq, i pyetur se nëse ofrohet ndonjë marrëveshje më 29 prill në Berlin a do ta pranonte ai si kryeministër, Haradinaj tha se ai nuk ka mandat negocimi.

Haradinaj: Unë nuk kam mandat negocimi për një marrëveshje

"Unë nuk kam mandat negocimi për një marrëveshje. Parlamenti ynë ka votuar delegacionin shtetëror, por nuk bëhet fjalë me u diskutua për çfarëdo marrëveshje që ka të bëjë me territore dhe që lëviz kufijtë e Kosovës. Përfaqësuesja e lartë Mogherini, po edhe komisionari Hahn duke e toleruar një logjikë të tillë, ata e kanë vonuar marrëveshjen, ata e kanë vonuar Ballkanin dhe ata e kanë vonuar edhe BE-në realisht", u shpreh kryeministri.

Këto komente kreu i Qeverisë i ka bërë pas homazheve me rastin e shënimit të 20- vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Sllovi të Lipjanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat