Havolli: Do t’i ndryshohet emri Agjencisë Kundër Korrupsion

Aktuale

Havolli: Do t’i ndryshohet emri Agjencisë Kundër Korrupsion

Më: 16 prill 2019 Në ora: 16:17
Pamje nga takimi

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli, e ka pranuar se duhet të ndërrohet emri i kësaj agjencie. Sipas tij, kjo agjenci duhet të emërohet si Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Ai gjatë raportimit para  komisionit për për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, është pyetur nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, se a duhet të ekzistojë  kjo agjenci.

Gashi: A mendoni që është në rregull emri i agjencisë

(Video)

“A mendoni që emri i Agjencisë është në rregull dhe a mendoni që duhet me ekzistu kjo agjenci”, tha Gashi.

E për këtë është pajtuar edhe vet kreu i AKK-së, Shaip Havolli.

Havolli: Emri do t’i ndryshohet agjencisë, do të jetë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit

(Video)

“Ka pasur debate tash në këtë çështjen e pagave, me mshel këtë agjenci krejt. Agjencia nuk është e imja, as e këtyre të punësuarve... a mendon me ndryshu emrin.. edhe unë pajtohna. Emri do t’i ndryshohet agjencisë, do të jetë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, do të ketë primat parandalimin dhe pjesën e hetimit, vetëm këtë kontekst është në debat me ministrinë e Drejtësisë dhe me grupin. Se a do të quhet Agjencia kundër Korrupsion apo Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit”, është shprehur Havolli.

Sipas tij, kjo agjenci përveç që duhet të ekzistojë, duhet edhe të fuqizohet edhe më tutje, ku siç tha ai,  pa hetime as që mund të funksionojë.

Sa i përket veprimtarisë që ka AKK-ja, Havolli tha se nga kjo agjenci janë ngritur 90 aktakuza, prej tyre janë shqiptuar 56 aktgjykime dënuese, këto kallëzime përfshihen në çështjen e veprave penale për keqpërdorim i detyrës zyrtare, kallëzim i rrejshëm i pasurisë.

Ai po ashtu ka treguar edhe për numrin e përgjithshëm të zyrtarëve publikë që e kanë raportuar pasurinë deri me datën 1 prill.

Havolli:  4660 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë

(Video)

“ Kanë pasur për obligim të raportojnë 4737 zyrtarë, 4660 zyrtarë e kanë deklaruar ose 98 për qind. 77 zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor, 46 prej tyre kanë deklaruar pas afatit, 25 nuk e kanë deklaruar pasurinë fare. Gjashtë e kanë deklaruar pasurinë me arsye. Janë kontrolluar 960 formularë ku 346 janë vërejtur ndryshimet dhe kemi kërkuar sqarime shtesë dhe nga këto 35 raste janë përcjellë  në departament për luftimin e korrupsionit dhe një rast është dërguar në administratën hetimore”, tha ai.

Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsion,  Shaip Havolli  po ashtu ka njoftuar se janë 119 raste për konflikt interesi.

Gjatë mbledhjes së këtij komisioni, është miratuar raporti vjetor i Agjencisë Kundër Korrupsion dhe Strategjisë  Shtetërore Kundër Korrupsionit 2019-2023 dhe Planit të Veprimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat