PSD: Korrupsioni, shkaktari kryesor i ikjes së qytetarëve nga vendi

Aktuale

PSD: Korrupsioni, shkaktari kryesor i ikjes së qytetarëve nga vendi

Më: 18 prill 2019 Në ora: 13:14
Foto ilustrim

Partia Socialdemokrate ka prezantuar sot në një konferencë për media disa pika për luftimin e korrupsionit, pasi vlerëson se transparenca është një ndër sistemet më të mira në luftën kundër korrupsionit.

Kryetari i kësaj partie, Shpend Ahmeti tha se luftimi i korrupsionit është prioritet i PSD-s, dhe për këtë mori shembull menaxhimin e komunës së Prishtinës dhe atë të Kamenicës.

Sipas tij, tashmë është e ditur se pa luftimin e korrupsionit, Kosova nuk mund t'i afrohet integrimit evropian.

Ahmeti: Korrupsioni shkaktari kryesor i ikjes së qytetarëve nga vendi

“Nëse flasim për largimet e shqiptarëve nga Kosova, duhet ta kuptojmë që korrupsioni nuk është vetëm një fenomen ku themi se: ‘kaq para janë marrë’. Por, duhet të nënkuptojmë që një përqindje që shkon prej parasë publike, nuk është shkuar në shërbimet publike dhe nuk është shkuar në krijimin e vendeve të punës, që përveç ndjenjës së humbjes së shpresës që e shkakton te qytetarët, po e them se është shkaku kryesor i largimit. Ne do të ndërtojmë sisteme, të cilat parandalojnë dhe dënojnë dhe kapin raste të korrupsionit. Nuk ka asnjë dokument të komunës të Prishtinës, i cili nuk është i publikuar”, u shpreh ai.

Ndërsa, deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, adresoi kritika për partitë që janë në pozitë dhe LDK-në në opozitë, duke thënë se nuk kanë asnjë strategji për luftimin e korrupsionit.

Sipas saj, AAK, PDK dhe LDK, në vend se të ndërtojnë një sistem të pavarur, vetëm sa e kanë degraduar, me ndikimin në emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët janë të afërt me partitë e tyre.

Pantina paraqiti edhe hapat që sipas saj duhen ndërmarrë për luftimin e korrupsionit.

Pantina: AAK, PDK dhe LDK e kanë krijuar dhe po e mirëmbajnë korrupsionin

“Këto parti që janë në pushtet, PDK dhe AAK, por edhe LDK-ja, e cila ka qenë në pushtet deri më tani, nuk po duket se kanë një strategji se si ta luftojnë korrupsionin. Përkundrazi, në fakt janë mu ato që e kanë ndërtuar këtë sistem dhe po vazhdojnë ta mirëmbajnë atë. Skandalet e fundit për punësimet e familjarëve në ndërmarrjet publike, vetëm e vënë në pah një sistem, i cili ka zënë rrënjë shumë më herët”, tha Pantina.

Ajo renditi edhe hapat që duhet ndërmarrë për luftimin e korrupsionit, e që sipas saj janë: organizimi i procesit të vettingut, një transparencë radikale në raport me proceset gjyqësore, publikimi i një platforme ‘online’ për publikimin e të gjithë emrave që integrohen në sistemin e drejtësisë, dhe në fund formimi i një task-force në nivel të lartë shtetëror që synim parësor ka shqyrtimin e të gjitha punësimeve dhe keqpërdorimeve në ndërmarrjet publike.

Sa i përket situatës së krijuar në Kuvend si rezultat i mungesës së deputetëve në seanca, i pari i PSD-s tha se është shenjë e keqe që nuk po mund të mblidhet as një kuorum i thjeshtë.

Ahmeti: Mungesa e deputetëve nëpër seanca, papërgjegjësi e madhe

“Deputetët janë sovrani, përmes të cilit ushtrohet sovraniteti i qytetarëve të Republikës dhe është me të vërtetë jashtëzakonisht shenjë e keqe që nëpër seanca nuk po mund të mblidhet asnjë kuorum i thjeshtë. Pra, unë nuk e di se çka bëjnë deputetët përveç kësaj pune, sepse paguhen bukur mirë dhe ekziston një pabarazi e madhe. Sot i kemi rrogat e deputetëve të cilat janë 20 herë më të mëdha se paga minimale, të cilën ne po mundohemi ta rrisim në 250 euro”, tha Ahmeti.

Krejt në fund, ai ka komentuar edhe vendimin e Qeverisë të Kosovës për ndarjen e mjeteve nga buxheti i Kosovës për të ndihmuar katedralen e djegur Notre Dame në Paris, për çka është shprehur se derisa vendi po merr kredi për investime nga Franca, po dërgon mjete për ndihmë atje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat