Në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës dhurohet gjak në shesh

Aktuale

Në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës dhurohet gjak në shesh

Më: 18 prill 2019 Në ora: 14:12
Ambulanca ne shesh

Në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës, në sheshin “Zahir Pajaziti”, të enjten është organizuar aktivitet humanitar i dhurimit të gjakut ku ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe qytetarë kanë dhuruar gjak, për të shënuar kështu 20 vjetorin e rënies së tyre.

20 vjet më parë, ai ishte plagosur me armë nga forcat serbe. Avni Gashi, pas dy dekadave thotë se 18 prilli është një ditë shumë e veçantë për të. E për të nderuar të gjithë dëshmorët e Prishtinës të rënë për liri, thotë se e ka kthyer edhe në traditë dhurimin e gjakut.

Gashi: Sot japim gjak për popullin

 (Video) 

“ Unë meqenëse  po këtë ditë para 20 viteve kisha rastin të jem edhe i plagosur, e përcjell si traditë, atëherë që kemi dhënë gjak për zor, sot japim gjak për popullin tënd. Nëse ai ka qenë gjak lirie, ky quhet gjak i shpëtimit të popullit”, tha ai.

Të njëjtën gjë po bën edhe djali i tij, Etnik Gashi. 19 vjeçar, i cili për KosovaPress thotë se sot po dhuron gjak për të kujtuar të gjithë dëshmorët e vendit.

Gashi: Ne duhet t’a ripërtërijmë traditën

(Video)

“ Më 18 prill, dita e dëshmorëve të Prishtinës, për nder të tyre se ata kanë dhuruar më herët, e tash ne duhet t’iu ripërtërijmë traditën...Shpesh dhuroj edhe në ditët tjera, për shembull ka ndodhur për shkollë kur kanë ardhë për të marr gjak”, tha Gashi.

E Fadil Mahmuti, menaxher për marketing  dhe informim pranë Qendrës Kombëtare të Kosovës për transfuzion të gjakut, thotë se një aktivitet i tillë po organizohet për të dhjetën herë.

Mahmuti: Nevojat për gjak janë jashtëzakonisht të mëdha

(Video)

“ Deri më tani një numër i konsiderueshëm kanë dhuruar gjak, jo vetëm pjesëtarë të UÇK-së apo dëshmorëve por edhe qytetarë dhe kalimtarë të rastit. Kështu që të gjithë janë të mirëseardhur, sepse duke u nisur nga ajo që nevojat për gjak janë jashtëzakonisht të mëdha, neve jo sot por për çdo ditë jemi në aksione të ngjashme në të gjithë territorin e Kosovës”, thotë ai.

Sipas Mahmutit, viteve të fundit ka pasur edhe vetëdijesim për dhurim të gjakut, duke u rritur kështu edhe numri i personave vullnetarë, krahasuar me vitet paraprake.

Ekipi i transfuzionit të gjakut, sipas tij, do të qëndroj tek sheshi “Zahir Pajaziti”,  gjatë ditës për aq kohë sa do të ketë edhe interesim të qytetarëve për të dhuruar gjak. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat