Krasniqi: Populli ynë me luftë e vrau armikun, me votë po e mund vetveten

Aktuale

Krasniqi: Populli ynë me luftë e vrau armikun, me votë po e mund vetveten

Nga: Z.B Më: 18 prill 2019 Në ora: 21:39
Jakup Krasniqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, në një postim në facebook, ka thënë se në vitet e lirisë dhe të pavarësisë Kosova përjetoi suksese të pakontestueshme, por këto të arritura e suksese janë larg, tepër larg nevojave imediate që i duhen qytetarit tonë sot, larg mundësive reale të zhvillimit e të progresit, larg dinjitetit qytetar që e kishin në kërkim, përcjell “Bota sot”.

Krasniqi, në vazhdim, shtoi se Kosovës dhe qytetarëve të saj u duhen ndryshime të thella përmbajtjësore e jo ndërrime kozmetike e të kufizuara, të cilat i kemi parë të harlisen gjithandej për interesa personale e klanore gjatë gjithë këtyre viteve. Kosovës i duhen ndryshime për një mirëbesim të ri e përmbajtjesor.

“Gjatë këtyre viteve, si në kohën e Administrimit Ndërkombëtar, kur në Kosovë kishim njëfarë “bashkëqeverisjeje”, si në vitet e pavarësisë (pas 17 shkurtit 2008), nuk mund të themi se kemi pasur një mirëqeverisje aq të planifikuar dhe të programuar. Krejt çka mund të themi, është se kemi pasur një administrim të dobët, si të kapaciteteve njerëzore, që nuk na mungojnë, po ashtu edhe pasuritë kombëtare e publike, që nuk na kanë munguar e nuk mungojnë. Kosova ka nevojë për një qeverisje të planifikuar e të programuar dhe jo administrim me improvizime.”, ka shkruar tutje Krasniqi.

Postimi i plotë:

Vazhdimi i II. Shkrimi .është i vitit 2013.

II - Zgjedhjet e lira dhe të drejta, domosdoshmëri kombëtare

Në vitet e lirisë dhe të pavarësisë Kosova përjetoi suksese të pakontestueshme, por këto të arritura e suksese janë larg, tepër larg nevojave imediate që i duhen qytetarit tonë sot, larg mundësive reale të zhvillimit e të progresit, larg dinjitetit qytetar që e kishim në kërkim. Së këndejmi, Kosovës dhe qytetarëve të saj u duhen ndryshime të thella përmbajtjesore e jo ndërrime kozmetike e të kufizuara, të cilat i kemi parë të harlisen gjithandej për interesa personale e klanore gjatë gjithë këtyre viteve. Kosovës i duhen ndryshime për një mirëbesim të ri e përmbajtjesor. Gjatë këtyre viteve, si në kohën e Administrimit Ndërkombëtar, kur në Kosovë kishim njëfarë “bashkëqeverisjeje”, si në vitet e pavarësisë (pas 17 shkurtit 2008), nuk mund të themi se kemi pasur një mirëqeverisje aq të planifikuar dhe të programuar. Krejt çka mund të themi, është se kemi pasur një administrim të dobët, si të kapaciteteve njerëzore, që nuk na mungojnë, po ashtu edhe pasuritë kombëtare e publike, që nuk na kanë munguar e nuk mungojnë. Kosova ka nevojë për një qeverisje të planifikuar e të programuar dhe jo administrim me improvizime. Ka nevojë për ndershmëri, përgjegjësi e përkushtim për vendin dhe për popullin, e jo babëzi për grabitje e rrëmbim të pasurisë kombëtare. Kosovës nuk i mungojnë njerëzit e mirë, të ndershëm e të ditur, por, atyre duhet t’u jepet hapësirë e mundësi, duhet t’ua besojmë drejtimin e kombit dhe të shtetit, gjë që nuk e kemi bërë deri më tani. Kulmi i gjithë kësaj është se a do ta bëjmë tani këtë ndryshim të domosdoshëm? Kjo e drejtë dhe ky obligim është në duart e qytetarëve që i zgjedhin përfaqësuesit e vet, duke nisur nga shtëpia, nga lagjja e fshati, deri tek qyteti – komunë. Në demokraci këtë mund ta arrijnë qytetarët vetëm me zgjedhje të lira, të ndershme, të fshehta e demokratike, ata duhet t’i zgjedhin më të përkushtuarit, më të diturit, më atdhedashësit, më të përgjegjshmit e interesit publik. Këta njerëz pa dyshim që i kemi në mesin tonë, por ne, qytetarët duhet t’i kërkojmë e t’i gjejmë për t’ju dhënë fuqi (e pushtet) me zgjedhjen tonë, me votën tonë, së cilës duhet t’ia japim peshën e duhur, peshën e mirëbesimit e të mirëkuptimit në drejtimin e vendit dhe të ardhmes sonë.

Për peshën e votës nuk kam hasur mendim më të peshuar sesa e ka thënë Presidenti i SHBA-ve, Abraham Lincoln-i: “Vota është më e fuqishme se plumbi! Me plumb mund ta vrasësh armikun tënd, kurse me votë mund të vrasësh të ardhmen e fëmijëve të tu...!” Populli ynë me luftë e vrau (e mundi) armikun, me votë po e mund vetveten. Prandaj është në duart tona, pra, që t’i zgjedhim ata që do ta shtojnë pasurinë tonë kombëtare, që ta sigurojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Me votën tonë t’i zgjedhim ata që do të na bëjnë më të dinjitetshme jetën tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë dhe, po qe se nuk i bëjmë ndryshimet e duhura dhe me kohë, do t’ua lëmë në dorë fatin dhe ardhmërinë tonë atyre që dëshirojnë ta plaçkitin pasurinë tonë kombëtare për të na zhveshur nga çdo moral e dinjitet njerëzor e kombëtar. A jemi gati ta bëjmë zgjedhjen e duhur? Deri tani druaj se nuk kemi qenë si e sa duhet të vëmendshëm! Tani është koha t’i bëjmë ndryshimet që i duhen të sotmes dhe të ardhmes sonë të përbashkët. Ose do të mbesim siç thoshte (me zemër të thyer) në gjysmën e dytë të shekullit XIX (më saktë, në vitin 1857) Fallmerayer-i, shkencëtari, historiani dhe publicisti më i njohur i kohës së tij, i cili ka shkruar shkencërisht dhe me objektivitet për origjinën ilire të shqiptarëve dhe historinë e Skënderbeut: “Ata (shqiptarët – vër. ime, J.K.) nuk mund të ofrojnë ide të përgjithshme, politikën sentimentale, urtësinë e sprovuar dhe as teori filozofike të lumturisë botërore.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat