Ahmeti: Dialogu Kosovë-Serbi do të jetë në fokusin e Samitit të Berlinit

Aktuale

Ahmeti: Dialogu Kosovë-Serbi do të jetë në fokusin e Samitit të Berlinit

Më: 18 prill 2019 Në ora: 21:58
Shpend Ahmeti

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator në dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti, ka thënë se temë në takimin e Berlinit që pritet të mbahet me 29 Prill të këtij viti, do të jetë edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë.

Kështu tha ai në emisionin Zona e Debatit, duke shtuar se takimi i lartpërmendur ka të bëjë me çështjet Kosovë-Serbi por edhe me politikën ndërkombëtare.

“Takimi në Berlin është një proces që ndodhë pavarësisht dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Në këtë takim është paraparë që të marrin pjesë gjashtë shtetet e ish-Jugosllavisë.

“Fokusi i këtij takimi do të jetë procesi i dialogut Kosovë-Serbi, me ç’rast do të diskutohet mos ka ndonjë ide të re për ta gjetur një zgjidhje. Më shumë do të diskutohet për t’i nxjerrë këto dy vende nga bllokimi momental”.

“Po ndodhë një diskutim që ka të bëjë me ne por që ka të bëjë edhe me politikën ndërkombëtare. Pra është e qartë që po ndodhin shumë diskutime ndërkombëtare në raport me dialogun”.

“Me 24 Prill fillon fushata e zgjedhjeve në Parlamentin Europian dhe sigurisht se do të ketë një pauzë sa i përket çështjes së Kosovës. Mirëpo është mirë që tani Kosova po kthehet në top dhjetëshen e temave Europiane”.

“E veçanta e këtij takimi është se për herë të parë do të diskutohet në nivel ndërkombëtar se çfarë do të ndodhë me taksën e vendosur ndaj Serbisë dhe temat e tjera”.

“Si delegacion shtetëror ne e kemi dhënë pozicionin tonë kur kemi thënë se Kosova është një dhe e pandashme. Nuk do të pranojmë nivel tjetër të Qeverisjes”.

“Ne e kemi të qartë pozicionin tonë në platformë. Nuk jap përgjigje për situata hipotetike sepse kjo do të ishte e dëmshme për ekipin negociator por edhe për Kosovën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat