KQZ e shqetësuar me rikandidimin e kryetarëve të Listës Serbe në veri

Aktuale

KQZ e shqetësuar me rikandidimin e kryetarëve të Listës Serbe në veri

Më: 19 prill 2019 Në ora: 14:12
KQZ

Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe, janë tri subjektet politike që kanë aplikuar për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit në katër komunat e veriut.

Kjo u tha edhe zyrtarisht në mbledhjen e KQZ-së, ku u kërkua të trajtohet komplet aplikacioni i Listës Serbe dhe kandidatëve të saj, pasi tre prej tyre, kanë dhënë dorëheqje, pas vendosjes së taksës ndaj mallrave të Serbisë nga Qeveria e Kosovës, dhe tash kanë aplikuar sërish.

Kandidat për kryetar të komunës së Leposaviqit nga Lista Serbe është Zoran Todiq, për kryetar të Zubin Potokut Srdjan Vuloviq, për kryetar të Zveçanit Vuçina Jankoviq, si dhe për Mitrovicës të Veriut Goran Rakiq.

Fillimisht kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi njoftoi anëtarët e KQZ-së, se numri i votuesve jashtë Kosovës që do të njoftohet nga KQZ është 724.  

Halimi: Kemi hartuar planin operacional

“Janë bërë furnizimet me materiale administrative që kanë kërkuar komisionet komunale zgjedhore edhe në aspektin teknik. Në bashkëpunim me Policinë dhe akterët tjerë të sigurisë kemi hartuar planin operacional... prej krijimit të listave preliminare të votuesve, janë bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e periudhës së shërbimit votues e cila do të realizohet nga data 23 deri më 29 prill. Divizioni përkatës ka bërë shtypjen e listave preliminare të votuesve të cilat sipas planit operacional do të shpërndahen nëpër qendrat përkatëse të votimit. Periudha e aplikimit për regjistrim jashtë Kosovës do të filloj më 25 prill dhe do të përfundojnë 30 prill dhe jemi në kuadër të përgatitjeve që të filloj edhe kjo fazë”, tha ai.

Kurse, Valmira Selmani nga Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, tha se po shqyrtojnë aplikimet e subjekteve politike dhe kandidatëve.

Selmani: Kanë aplikuar për t’u certifikuar tri parti politike

“Dje ka qenë afati i fundit për aplikim për certifikim të subjekteve politike ku është përmbyllur dhe brenda këtij afati kanë aplikuar për t’u certifikuar tri parti politike për certifikim për komunat përkatëse”, tha ajo.

Sami Hamiti u interesua se sa prej kandidatëve kanë dhënë dorëheqje dhe garojnë sërish në këto zgjedhje.

Hamiti: A janë tre apo katër

“A janë tre apo katër, sepse një pjesë po e dimë që tre janë sigurisht, unë e kuptoj që atë pjesën standarde, që janë listë të votuesve dhe e kanë zotësinë juridike për të kandiduar por duhet shikuar pjesa tjetër sepse ata janë kandidatë të cilat kanë dhënë dorëhejqe dhe të analizohet më thellë në KQZ, çështja e tyre”, tha ai.

Por Selimi i tha se e dinë që ka të përsëritur por ende nuk e kanë marrë konfirmimin se sa është numri i tyre.

Edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Adnan Rrustemi tha se duhet të trajtohet më thellësisht komplet aplikacioni i listës serbe dhe kandidatëve të saj.

Rrustemi: KQZ-ja ka një rast të mirë për të disiplinuar kandidatët e listës serbe

“T’i shohim shkresat e dorëheqjes së tyre, format e tyre, a qëndrojnë ato të referimit Kosovë dhe metohi dhe të gjitha tjerat para se të marrim një vendim. Mendoj që KQZ-ja e ka një rast të mirë në këto zgjedhje për të disiplinuar edhe kandidatët e listës serbe për sjelljet dhe veprimet e tyre të fundit në kursin e Republikës së Kosovës dhe të respektimit të legjislacionit dhe kushtetutshmërisë por edhe të përgjegjësisë që kanë në raport me institucionet dhe legjislacionit“, tha ai.

Shqetësime për kandidimin e anëtarëve të Listës Serbe, i ka shprehur edhe Florian Dushi, pasi tha se ishin ata që me dorëheqjen e tyre kanë provokuar shpalljen dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Dushi: Zyrja të shoh në detaje të gjitha kriteret që përcaktohen

“Në këtë fazë zyrës t’i tërhiqet vërejtja që të shoh në detaje të gjitha kushtet dhe kriteret që përcaktohen, unë nuk flas për pjesën etike dhe politike por flas për pjesën ligjore dhe kushtetuese të këtyre kritereve, të shoh nëse i përmbushin të gjitha këto kritere për t’i dhënë mundësi pastaj KQZ-së që të diskutoj nëse eventualisht mund të paraqes pengesë, fakti i dorëheqjes së tyre dhe kandidimi i po të njëjtëve në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.

Përndryshe nga sekretariati u tha se sfidë paraqet miratimi i vonë i buxhetit, i cili tek dje është miratuar në Qeveri dhe ende teknikisht është i pa aplikueshëm, kurse, sfidë tjetër është tek aktivitetet e prokurimit për shkak të kohës së shkurt që i karakterizon këto zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat