Tahiri: Ligji që ndalon mohimin e krimeve të luftës është i domosdoshëm

Aktuale

Tahiri: Ligji që ndalon mohimin e krimeve të luftës është i domosdoshëm

Më: 19 prill 2019 Në ora: 15:02
Abelard Tahiri dhe Enver Hoxhaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se çështja e kërkim faljes duhet të jetë kërkesë e përhershme në tavolinën e bisedimeve me Serbinë. Sipas tij, tema të tilla nuk mund të burojnë nga mandati i një individi, por janë të shoqërisë.

Në një konferencë për media, ku bashkë me ministrin e drejtësisë kanë folur për nismën ligjore për mohimin e krimeve të luftës në Kosovë, Hoxhaj ka thënë se ajo çka ka ndodhur në Kosovë para 20 vjetësh, nuk duhet të harrohet asnjëherë. 

Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka autorizuar Ministrinë e Drejtësisë që të hartojë një ligj i cili penalizon mohimin e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë.

Kurse, sot zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili e kishte propozuar këtë iniciativë ligjore dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri kanë biseduar rreth hartimit të ligjit dhe kanë folur para gazetarëve, duke theksuar se një nismë e tillë është e domosdoshme.

Ndër të tjera, Hoxhaj u përgjigj edhe për temën e kërkim faljes, si kërkesë e Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Ai tha se kjo duhet të jetë kërkesë e përhershme e Kosovës.

Hoxhaj: Çështja e kërkim faljes duhet të mbetët në tavolinën e bisedimeve

“Çështja e pajtimit e kërkim faljes duhet të jetë kërkesë e jona e përhershme në tavolinë dhe asnjëherë nuk duhet të hiqet nga tavolina.... Këto janë tema në fund të fundit që burojnë nga mandati i shoqërisë, nuk ma merr mendja që mund të burojnë nga mandati i një individi, por burojnë nga mandati i shoqërisë”, tha ai.

Sipas Hoxhajt, mohimi i krimeve që shteti i Serbisë i ka bërë në Kosovë, nënkupton krim të dyfishtë.

Hoxhaj: Mohimi i krimeve është krim i dyfishtë

“Mohimi i krimeve që shteti serb ka bërë në Kosovë është një krim i dyfishtë, është ofendim ndaj familjeve, ndaj shtetit dhe shoqërisë së Kosovës, dhe në draftimin e këtij ligji natyrisht që do të marrim për bazë përvojat më të mira evropiane, si në kulturën evropiane ligjore, në kulturën politike evropiane janë parandaluar raste të tilla të mohimit të krimeve”, tha ai.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahhiri tha se po e shohin një tendencë të rëndë të presidentit serb, për të instrumentalizuar politikanët që përfaqësojnë serbët e Kosovës, që të mohojnë krimet që i ka kryer regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tij, kjo iniciative ligjore është e domosdoshme.

Tahiri: Nuk do të lejojmë askënd të mohojë krimet që janë kryer ndaj shqiptarëve

“Ne në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë askënd që të mohohen krimet që janë kryer ndaj qytetareve shqiptarë në Kosovë në luftën e vitit 98-99. Shohim që 20 vite prapa, mendësia e kësaj qeverie që sot e drejton Republikën e Serbisë vazhdon të jetë e njëjtë, pothuajse janë të njëjtit njerëz që kanë qenë pjesë e atyre strukturave edhe në vitin 98-99, dhe sot qasjen e kanë të njëjtë”, tha ai.

Ai tha se tendencat e Serbisë për të mohuar krimet, dëmtojmë multietnicitetin në Republikën e Kosovës.

Tahiri: Që 20 vjet nuk janë nxjerrë para drejtësisë kriminelët

“Tash e 20 vite nuk kemi parë as nga drejtësia ndërkombëtare, as ne si institucione të Republikës ë Kosovës nuk kemi arritur t’i nxjerrim para drejtësisë këta kriminelë të cilat kanë shkaktuar krime në Republikën e Kosovës për faktin që shumica e tyre, mos të them asnjë prej tyre nuk gjenden në Republikën e Kosovës, janë të gjithë në Serbi dhe Serbia në këtë aspekt nuk bashkëpunon”, tha ai.

Kujtojmë se në muajin mars, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pas deklaratës së saj që ‘bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb’.

Gjithashtu, ditë më parë, shefi i ekzekutivit e shkarkoi nga detyra ministrin e Administratës të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, pas disa komenteve të bëra nga Teodosijeviq, lidhur me masakrën e Reçakut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat