Ambasadori amerikan u tregon fëmijëve serbë se Kosova s’është pjesë e shtetit të tyre!

Aktuale

Ambasadori amerikan u tregon fëmijëve serbë se Kosova s’është pjesë e shtetit të tyre!

Më: 19 prill 2019 Në ora: 16:50
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Kyle Scott

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Kyle Scott, ka mbajtur ligjërata në një shkollë në Apatin. Ai nxënësve u ka treguar një hartë të Serbisë, pa Kosovën.

Ky veprim i diplomatit nga SHBA-ja, siç raportojnë mediat serbe, ka nxitur reagimin edhe të nxënësve, të cilët kishin bërtitur “Kosova është Serbi”, pas së cilës gjë, ambasadori vetëm ka vazhduar me leksionin e tij.

Kjo është konfirmuar nga deputeti i pavarur, Miladin Shevarliq i cili ka thënë se ambasadori amerikan ka dhënë një leksion për fëmijët dhe tregoi një hartë të Serbisë pa Kosovën.

Deputeti u ka thënë gazetarëve në Parlamentin serb se ambasadori Scott mbajti një ligjëratë në Shkollën Fillore “Zharko Zrenjanin” dhe se për ngjarjen ka mësuar nga mediat lokale.

Madje, ai i është drejtuar publikisht kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq, kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, si dhe ministrit të Arsimit, nëse një veprim i tillë është një abuzim i fëmijëve për qëllime politike.

Vlen të theksohet se ambasadori Scott, ka thënë se Amerika nuk ka ndonjë vijë të kuqe kur është fjala rreth arritjes së një marrëveshje të mundshme, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 “Mund të them atë çfarë e ka thënë presidenti amerikan, se Kosova dhe Serbia duhet të përpiqen për një marrëveshje për normalizimin dhe që në zemër të kësaj marrëveshjeje duhet të jetë një marrëveshje për njohje reciproke. Por marrëveshja për normalizimin duhet të përfshijë shumë gjëra të tjera: marrëveshjen e marrëdhënieve ekonomike, zgjidhjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe (SPC), çështjen e personave të zhdukur, krimet e luftës … Ka shumë elemente që duhet të përfshihen në marrëveshje, por ne besojmë se njohja e ndërsjellë duhet të qëndrojë në zemër të marrëveshjes së normalizimit”, kishte deklaruar ditë më parë Scott.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat