Çfarë ndodhi brenda automjetit që i transportoi dy të burgosur të rrezikshëm nga Dyzi në Gjykatë

Aktuale

Çfarë ndodhi brenda automjetit që i transportoi dy të burgosur të rrezikshëm nga Dyzi në Gjykatë

Më: 19 prill 2019 Në ora: 17:31
Shkumbin Mehmeti

Ballafaqimi kokë me kokë i dy vrasësve që vuajnë dënimet në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, ka shtyrë që të nisin hetimet dhe të suspendohet zyrtari që ishte përgjegjës që i futi të dy në një automjet transporti. Nga SHKK thanë se të burgosurit as që u takuan brenda automjetit pasi ishte i ndarë në dy pjesë, mirëpo Shkumbin Mehmeti thotë se u kërcënua nga Bedri Krasniqi. E burimet thonë se ata bën zhurmë që nuk u lejuan të marrin me vete edhe sexhadet për t’u falur

Shkumbin Mehmeti dhe Bedri Krasniqi janë të dënuar për vrasje. Njëri ishte dëshmitar i mbrojtur e tash bashkëpunëtor i drejtësisë, ndërsa tjetri kriminel i dënuar për vrasje e kidnapime. Ata pas luftës ishin pjesë e një grupi kriminal.

E që të dy dje u ballafaquan në një veturë transporti për t’u sjellë nga burgu deri në Gjykatë, në kundërshtim me rregullat.

Për shkak të këtij veprimi skandaloz, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka suspenduar një zyrtar, por dëmi veç është bërë. Shkumbin Mehmeti u kërcënua keq gjatë këtij rrugëtimi për në Gjykatë nga Bedri Krasniqi. Kështu të paktën ka çu fjalë Mehmeti nëpërmjet avokatit të tij.

Shkumbin Mehmeti pretendoi se u kërcënua nga Bedri Krasniqi, gjatë transportimit nga Dyzi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku të dy ishin nisur për seancën e njëjtë gjyqësore.

SHKK njoftoi se transporti i tyre u bë nëpërmjet automjetit i cili brenda ishte i ndarë në dy pjesë dhe se të burgosurit nuk kanë pasur mundësi të shihen e as të preken mes vete.

Burime të Express thonë se të burgosurit e kanë bërë këtë zhurmë qëllimshëm për shkak se zyrtarët nuk i kishin lejuar që ta merrnin sexhaden me vete në Gjykatë që ta falnin drekën.

Shkumbin Mehmeti, i dënuar me 30 vjet për vrasjen e policëve në vitit 2004, ishte delja e zezë e grupit që dëshmoi për të gjitha vrasjet që i kanë kryer, përfshirë edhe vrasjet që i ka kryer Bedri Krasniqi.

Bedri Krasniqi, i dënuar me 27 vjet burg për vrasjen e dy policëve Sebahate Tolajt dhe Jusuf Haklajt, dhe i dënuar me 17 vjet burg për rrëmbimin e biznesmenit Azem Morina, pronarin e fabrikës “Gllareva”. Tash, ndaj Bedri Krasniqit ka akuza të reja se ka qenë i përfshirë në vrasjet e vitit 2004, vrasjen e policit Arsim Rrustolli dhe policit të UNMIK’ut, Possible Essuman.

Ky rast ka të bëjë me vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të UNMIK-ut dhe tentim vrasjen e dy zyrtarëve tjerë të UNMIK-ut që ka ndodhur më 23 mars 2004 gjatë trazirave të cilat kishin filluar pas pretendimeve për mbytjen e dy fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër në Mitrovicë.

Shkumbin Mehmeti, që nga dita e dënimit e deri tash ka bashkëpunuar me prokurorinë. Tash, bashkëpunëtor i drejtësisë, që po vuan dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, i ra të ballafaqohet me armikun e tij të vjetër, Bedriun.

Që nga Dyzi deri në Prishtinë, udhëtuan së bashku të dy vrasësit. Brenda automjetit, u shkëmbyen edhe kërcënimet. Kështu të paktën ka thënë Shkumbin Mehmeti.

Ai ka thënë se është kërcënuar nga Bedri Krasniqi dhe pretendoi se Krasniqi e ka kërcënuar më familje, duke i thënë se e di vendndodhjen e tyre dhe e di adresën ku ata jetojnë.

Arsye për këtë, Mehmeti ka dhënë se po i kërkohet të heqë dorë nga dëshmitë për disa raste të vrasjeve që kanë ndodhur pasluftës në Kosovë.

Por, burimet e Gazetës Express brenda Burgut thonë se krejt kjo ngjarje ka ndodhur për shkak të një sexhadeje. Sexhadja është tepih në të cilin myslimanët i falin vaktet e tyre.

“Zyrtarët nuk i kanë leju me i marr sexhadet me veti në Gjykatë që ata me falë vaktin e drekës, edhe e kanë ba qështu të madhe”, ka thënë burimi i Express për këtë ngjarje.

Megjithatë, zyrtari që ishte përgjegjës për transportin e të burgosurve nga Burgu i Sigurisë së Lartë deri në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kishte lejuar që të dy të vrasësit të futeshin në të njëjtin automjet të transportit.

Avokati i Shkumbin Mehmetit, Besian Syla, ka thënë për Gazetën Express se klienti i tij është kërcënuar seriozisht nga Bedri Krasniqi ditën e enjte gjatë këtij transportimi.

Në njoftimin për media që e kanë dërguar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, ku u bë e ditur për suspendimin e zyrtarit lidhur me këtë rast, u përmend edhe automjeti transportues i ndarë për nga brenda.

“…dhe përkundër faktit se të burgosurit e apostrofuar në këtë rast janë transportuar me automjet të dedikuar për Rrezikshmëri Shumë të Lartë, automjeti transportues është i ndarë në dy pjesë, ku të burgosurit nuk mund të kenë kontakt mes tyre”, u tha në njoftimin e SHKK.

Seanca për të cilën u nisën të dy për në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka të bëjë me vrasjen e vitit 23 mars 2004, kur një patrullë e UNMIK’ut ishte sulmuar në Podujevë nga një grup i personave.

Aty, u vra vozitësi i veturës, polici i UNMIK’ut, Possible Essuman dhe zyrtari i Policisë së Kosovës, Arsim Rrustolli, i cili ishte në ulësen përpara të udhëtarit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ndaj tyre ishte gjuajtur me kallashnikov me 108 plumba.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat