Lansohet instalacioni “#Forher”

Aktuale

Lansohet instalacioni “#Forher”

Më: 20 prill 2019 Në ora: 07:19
Instalacioni “#Forher”

Sot në ora 13:00 para monumentit “Heroinat” në Prishtinë do të lansohet instalacioni “#Forher” që i dedikohet viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë e që shërben si një thirrje për drejtësi dhe për bashkim.

Si pjesë kryesore e projektit është aktiviteti i shpërndarjes së 7 karaktereve “# f o r h e r” në qytetet kryesore të Kosovës, dhe në ato karaktere në shenjë solidarizimi me gratë e prekura nga kjo dukuri do të ngjiten vathët.

Shpërndarja e karaktereve do të bëhet si në vijim: “#” në Prishtinë; “F” në Mitrovicë; “O” në Pejë; “R” në Gjakovë; “H” në Prizren; “E” në Ferizaj dhe “R” në Gjilan.

“Çdo karakter do të jetë i ndërtuar nga pjesë të kanvasit të futura në kornizë në formë të mozaikut ku njerëzit mund të vendosin vathët e tyre, duke u solidarizuar me heroinat tona. Përveç karaktereve, afër tyre do të vendoset shtandi informativ për të gjithë njerëzit që janë të interesuar të dinë më shumë detaje rreth projektit”, thuhet në njoftim.

Pjesë e këtij instalacioni do të jenë Mark Gjonaj, anëtar i këshillit të Nju Jorkut, Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, Feride Rushiti, drejtoreshë e KRCT dhe përfaqësues institucional dhe ndërkombëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat