KQZ nuk përfundon certifikimin, mospajtime për kandidatët e Listës Serbe

Aktuale

KQZ nuk përfundon certifikimin, mospajtime për kandidatët e Listës Serbe

Më: 23 prill 2019 Në ora: 13:55
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhje ka dështuar sot të përfundojë procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve për kryetar të katër komunave në veri për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit.

Anëtarët e komisionit kanë miratuar rekomandimet e zyrës politike për kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por jo edhe ato për subjektin politik Lista Serbe.

Kandidimi i ish-kryetarëve të komunave në veri të vendit për zgjedhjet e 19 majit, ka bërë që të ketë vështirësi në certifikimin e tyre në KQZ.

Megjithëse zyra politike rekomandoi emrat e propozuar nga Lista Serbe, dhe tha se janë konform rregullave ligjore, certifikimi i tyre nuk u arrit për shkak të kundërshtimeve nga anëtari i KQZ-së, Adnan Rrustemi.

Sipas tij, dorëheqja e tyre pesë muaj më parë dhe arsyet e dorëheqjes duke kundërshtuar vendimet e institucioneve të Kosovës, bën që ata të humbin të drejtën kushtetuese për të qenë kandidat.

Rrustemi: Kandidatët e Listës Serbe e humbin të drejtën kushtetuese për të kandiduar

“Këta kandidatë e humbin të drejtën kushtetuese, për bindjen time, për të qenë kandidat. Lista Serbe është dashur të na ofrojë dëshmi shtesë që distancohet nga këto qëndrime dhe veprime dhe të ofrojë kandidatura të vlefshme juridikisht për këto zgjedhje, dhe natyrisht të distancohet sepse ky është aspekti më i ndjeshëm i këtij procesi nga ndikimi i drejtpërdrejtë që po i bën Aleksandër Vuçiq, dhe përdorimi që po i bën këtij subjekti politik kundër integritetit dhe sovranitetit të Republikës”, tha ai.

Ndërsa Florian Dushi, anëtar i KQZ-së, tha se meqë janë nxjerrë rekomandimet nga zyra dhe nuk ka ndonjë pengesë ligjërisht për kandidimin e tyre, procesi duhet të vazhdojë duke respektuar ligjin për zgjedhje të përgjithshme dhe ato lokale.

Dushi: KQZ të respektojë ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhej që në respektim të plotë të ligjit për zgjedhje të përgjithshme dhe ligjit për zgjedhjet lokale, të mos e problematizojë këtë çështje përtej autorizimeve të veta. Unë prapë e përsëris, meqë ligjërisht nuk kemi ndonjë pengesë, e cila do ta pamundësonte certifikimin e kandidatëve të dorëhequr rishtazi ne do të duhej ta kemi të qartë, sepse ka edhe instanca të tjera të cilat pastaj do ta detyronin Komisionin e Zgjedhjeve që të veprojë sipas ligjit dhe rregullave të veta”, tha ai.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, bëri thirrje që të frenohen nga vlerësimet politike dhe të zbatohet ligji për zgjedhje.

Daka: Të zbatohen ligji i zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale

“Kërkoj të zbatohen këto ligje dhe të vlerësohen ligjshmëria e të gjitha aplikacioneve të cilat janë dorëzuar në KQZ”, tha Daka.

Pas një orë diskutim, komisioni doli për një pauzë, të paralajmëruar për 10 minuta, por që zgjati më shumë se 1 orë dhe anëtarët nuk u kthyen për ta vazhduar mbledhjen.

Zyra e informimit në KQZ njoftoi se mbledhja nuk do të vazhdojë sot. Pas kësaj, Adnan Rrustemi tha se nuk e mbështet certifikimin derisa Lista Serbe nuk distancohet nga deklaratat.

Rrustemi: Do të ankohem në gjykatë për vendimin e KQZ-së

“I përsërita qëndrimet edhe jashtë mbledhjes që Lista Serbe duhet të distancohet para se të certifikohet, nga deklaratat e dorëheqjeve, nga deklaratat publike se do të dorëhiqen  menjëherë pas procesit zgjedhor, para se KQZ të marrë një vendim për certifikim ose jo, në të kundërtën secila palë i ka mundësitë ligjore për t’u ankuar në cilindo vendim të KQZ-së dhe unë e bëra publike se do të ankohem individualisht në gjykatë supreme, madje edhe kushtetuese, për t’u definuar çështja”, tha ai. 

Për komunën e Leposaviqit ka aplikuar Zoran Dodiq, për Zubin Potok Sergjan Guloviq, për Zveçan Vuqina Jankoviq dhe për Mitrovicë të Veriut Goran Rakiq.

Ndërsa nga PDK për Leposaviq ka aplikuar Shaqir Hetemi, për Zubin Potok Hysen Mehmeti, për Zveçan Ilir Peci dhe për Mitrovicë të Veriut, Gonxhe Çaushi.

Nga Lëvizja Vetëvendosje ka aplikuar për Leposaviq Fisnik Veseli, për Zubin Potok Liridona Harimani, për Zveçan Avdi Peci dhe për Mitrovicë të Veriut, Erden Adic.

Ndryshe, KQZ sot është dashur të përfundojë certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për kryetar të komunave për zgjedhjet e 19 majit në veri, por e njëjta ka të drejtë që të zgjasë afatin, konform rregullave dhe ligjeve në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat