Merr formë Rezoluta për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë

Aktuale

Merr formë Rezoluta për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë

Më: 23 prill 2019 Në ora: 15:36
Pamje nga takimi

Komisioni Ad-hoc për hartimin e Projekt-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë mbajti mbledhjen e dytë që nga formimi, ku bëri shqyrtimin e Draft-rezolutës për dënimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë të shkaktuara nga ana e ish-regjimit shtetëror serb.

Inicuesi i krijimit të këtij Komisioni, Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, tha se në këtë draft kanë përfshirë disa masakra që kanë ndodhë gjatë luftës, para dhe pas asaj të Reçakut.

“Kemi përfshirë edhe të gjitha masakrat e mëdha që kanë ndodhë në Kosovë. Edhe sugjerimi qe ti referohemi si regjimi i shtetit të Serbisë, e kemi përfshirë edhe këtë”, tha ai.

Kurse, Aida Dërguti nga Partia Socialdemokrate, kërkoi që në këtë rezolutë të përfshihen të gjitha masakrat që janë kryer në Kosovë gjatë luftës.

“Të japim numrin e të gjitha viktimave si dhe në të gjitha vendbanimet e tjera. Të behet listë me emrat e saktë të gjitha masakrave dhe me numër të saktë të viktimave. Përfshirë masakrat në Studime dhe në Vushtrri”, tha ajo.

Anëtari tjetër, Armend Zemaj nga LDK, e vlerësoi si të kompletuar draftin e rezolutës së këtij komisioni.

“Ideja ka qenë që Kuvendi ta propozojë një datë përkujtimi. Por të përfshije edhe vendet ku janë kryer të gjitha vrasjet masive. Evidentimi është i saktësuar me numrin e të gjitha masakrave dhe viktimave. Drafti sipas meje dhe sipas partisë sonë është i kompletuar”, theksoi ai.

Ndërkaq, Muharrem Nitaj nga AAK-ja tha se ka një sugjerim thelbësor për emërtimin e rezolutës.

“Kuvendi ka miratuar edhe më parë rezoluta. E veçanta e saj do të ishte vetëm nëse e mban titullin ‘Rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë’. Unë po insistoj pavarësisht që ne kemi marrë masat ndoshta jo krejt të analizuara mirë, që projekt rezoluta ta jetë ekskluzivisht për gjenocidin serb në Kosovë dhe për asgjë tjetër”, shtoi ai.

Anëtari tjetër, Mërgim Lushtaku nga PDK tha se pajtohen me draftimin e rezolutës në fjalë.

“Të kemi një orientim për nismën e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e luftës. Ndërsa statistikat është mirë që të jenë sa më saktë të dhënat për viktimat e luftës”, tha ai.

Ndërsa, deputeti Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se në këtë mbledhje ka marrë pjesë në vend të anëtares, koleges së tij, Saranda Bogujevci.

“Unë e kam lexuar me shumë kujdes tekstin dhe jemi përpjekur të gjejmë bazën e krejt dokumenteve që janë publike, të Kombeve të Bashkuara, atyre europiane, Grupi i Kontaktit. Ne e kemi fjalën për një lloj të krimit që nuk e kemi dënuar deri tash. Të bëhet një ri-radhitje logjike e tekstit. Gjenocidi mund të jetë edhe krim më vete edhe në kuadër të krimeve kundër njerëzimit”, tha Kurteshi.

“Përgjithësisht ka brum në këtë rezolutë”, shtoi ai.

Anëtarët e Komisionit ia besuan deputetit të LVV-së Sami Kurteshi që deri të martën e javës se ardhshme të rikonstruktojë draft-rezolutën me sugjerimet e anëtarëve të Komisionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat