Shpend Maxhuni dhe Driton Gashi do të rintervistohen nga komisioni hetimor për shtetasit turq

Aktuale

Shpend Maxhuni dhe Driton Gashi do të rintervistohen nga komisioni hetimor për shtetasit turq

Më: 23 prill 2019 Në ora: 15:53
Pamje nga takimi

Në mbledhjen e komisionit parlamentar hetimor për deportimin e shtesave turq është marrë vendim që të rintervisohen drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, ish-drejtori i AKI-së, Driton Gashi.

Ky vendim erdhi pasi që kryetari i komisionit, Xhelal Sveçla tha se Gashi dhe Maxhuni kanë dhënë deklarata kontradiktore në mandatin e kaluar të komisionit.

“Me 3 maj do t’i thërrasim në raportim dhe do të ishte mirë të ftohen për intervistim edhe dy zyrtarë të AKI-së, të cilët kishin marrë pjesë në deportimin e shtetasve turq, e që nuk janë ftuar asnjëherë deri më tash për raportim në komision”, tha Sveçla.

Po ashtu në mbledhje pati përplasje mes deputetëve të opozitës në lidhje agjendën e rë të komisionit, ndërsa për disa prej tyre, ky komision ka bërë punë të jashtëligjshme.

Deputeti i AAK-së në këtë komision, Muharrem Nitaj tha se raporti i ekspertit amerikan nuk është dashur të dorëzohet në prokurori në emër të komisionit.

“Kam një shqetësim se draft-raporti pa e marrë votën e anëtarëve të komisionit është shfrytëzuar nga Selmanaj dhe Sveçla dhe është dërguar në prokurorinë e shtetit po s’është dashur të dërgohet në emëer të komisionit tonë”, tha ai.

E për këtë replikë pati, Driton  Selmanaj nga LDK që tha se anëtarët e pozitës e kanë penguar punën e komisionit në mandatin e kaluar.

“Nuk ka shkuar në prokurori në emër të komisionit por si anëtar të komisionit e kemi dërguar. Punën e këtij komisionin e keni penguar ju dhe kjo ndoshta ishte edhe skenar e bërë nga ju, por megjithatë është qasja juaj politike. Nëse edhe kësaj radhe keni përpjekje me ndalu punën e komisionit po ju themë që e keni të pamundur”, tha Selmanaj.

Nitaj reagoi ndaj deklaratave të Selmanajt dhe tha se “nuk është mirë që të flasësh me emra të përveçëm por me emra konkretë dhe jo me grup”.

Kurse deputeti Hajdar Beqa nga PDK tha se në këtë komision nuk është respektuar ligji për kuorum pothuajse asnjëherë, teksa shtoi se opozita shpesh e ka bërë të pamundur pjesëmarrjen për shkak të datave të mbledhjeve.

“Nuk mundem me marrë përgjegjësi për paaftësinë e z.Selmani. Nuk mundem me ia interpretu ligjin. Nuk e ka respektuar gati në çdo mbledhje nenin për kuorum ku ky i ka mbajt mbledhjet pa kuorum. Kemi pas raste kur kemi mbajt seanca ku opozita nuk ka dashtë me marrë pjesë e kanë thirr komision. Për mu primare është seanca”, tha ai.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se nuk do të jetë më pjesë aktive e këtij komisioni, pasi e quajti punën e tij të jashtëligjshme.

Çdo minutë kohë që e humbim ne në këtë komision është minutë e humbur në drejtësi.  Unë nuk pranoj të jem në një komision të jashtëligjshëm sepse i kemi shkelë të gjitha ligjet. Nuk do diskutoj më për materialet që vijnë. Unë konsideroj se e kemi shkelë ligjin me këtë komision dhe nuk dëshiroj të bëj punë të paligjshme. Unë do marrë pjesë në çdo mbledhje për korrektësi, por do marrë pjesë në heshtje, pa votuar dhe pa diskutuar”, tha ajo.

Deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, tha se komisionin po mundohen ta degradojnë.

“Misioni që ka pasë ky komision është bërë përpjekje të degradohet deri në fund. E votoi ky komision apo jo, e votoi seanca apo jo, s’ka rëndësi. Por e vërteta me shkeljet e dokumentuara ka dalë në publik. Ne po e humbim vlerën që e ka një Kuvend në bazë të Kushtetutës. Fatkeqësia është se ne edhe për të drejtat themelore të njeriut jemi të gatshëm me përdorë politikë sepse ky raport e ka marrë dhenë”, tha Kurteshi.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kërkuar nga deputetët që të flasin me dëshmi se ku ka shkelë ligjin për të cilin ka shpreh gatishmëri të ballafaqohet.

“Ne e pranuam kërkesën tuaj dhe në mbledhjen e radhës keni thënë që po bëjmë kërkesë për mandat shtesë, por keni thënë se ky komision ka dështu. Unë po e shtroj pyetjen, pse mandati shtesë ka ardhë në seancë pasi na ka rrëzu një herë. Ma thoni një nen të vetëm ku unë e kam shkelë ligjin, më tregoni jam i gatshëm të ballafaqohem”, tha ai.

Në komision ishte paraparë që të raportojë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili ka kërkuar që të shtyhet për 26 prill.

Kjo është hera e katërt që Presidenti nuk i përgjigjet pozitivisht ftesës për raportim në këtë komision.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat