A është sot shteti i Kosovës ashtu si Xhavit Haliti e mendonte 20 vjet më parë?

Aktuale

A është sot shteti i Kosovës ashtu si Xhavit Haliti e mendonte 20 vjet më parë?

Më: 24 prill 2019 Në ora: 08:43
Xhavit Haliti

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka treguar nëse Kosova sot është shteti të cilin ai e ka idealizuar 20 vjet më parë.

“Të drejtën t’iu them, para 20 vjetësh kam menduar që do të kemi angazhime lufte për të arritur atë që është arritur tash, para se të bëhen 20 vjet”.

“Sidoqoftë duke pasë parasysh përvojat e vendeve të tjera ku ka pasë luftime dhe e kanë marrë hapin më shpejtë, edhe me Kosovën nuk ka ngjarë diçka e jashtëzakonshme”.

“Ne nuk i kemi shfrytëzuar aq sa kemi pasë mundësi resurset që na i ka ofruar Bashkësia Ndërkombëtare pas çlirimit”.

“Njeriu për vendin, shtëpinë, familjen, njerëzit dhe kombin e vet i mendon të gjitha të mirat dhe sa më mirë bëhet aq më mirë është”.

Ai në Sytë 7 ka thënë se Kosova në krahasim me vendet evropiane është prapa, por do të zhvillohet.

“Kur e bën krahasimin me të arriturat në shtetet në perëndim që e kanë pasë Pavarësinë që një kohë të gjatë, Kosova është prapa tyre. Kjo nuk do të thotë që Kosova nuk do të përafrohet me vendet evropiane me çështjet që mund të përafrohet”.

“Nuk është tragjedi situata në të cilën është Kosova”.

Por, me çfarë është krenar Xhavit Haliti pas Pavarësisë së Kosovës?

“Unë nuk do të thoja se çfarë më bën mua krenar për faktin se mendoj që krenar duhet të jetë çdo shqiptar me të arriturat në Kosovë”.

“Krenaria e njeriut në përgjithësi mendoj se nuk ka të bëjë me individin. Njeriu është krenar me të arriturat e vendit, familjes dhe rrethit nga vjen, por ajo që më bën të lumtur më shumë është se ne e kemi lirinë dhe po përpiqemi dhe do të bëhemi shumë shpejt pjesë e integruar e BE-së”.

“Orientimi ynë është perëndimor dhe liria e veprimit është e mirë – kjo është krenaria e çdo shqiptari”.

“Gjithsesi që mund të ketë edhe dëshpërime, si çdo njeri që e ka dëshpërimin e vet”.

Haliti ka treguar edhe se cili ishte momenti më i vështirë që ai e ka përjetuar duke qenë në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, tash e një kohë të gjatë.

“Unë nuk e konsideroj si situatë të rëndë, por mendoj që për Kosovën ka qenë e rëndë dhe është e rëndë kur nuk funksionojnë institucionet”.

“Ajo që më pengon është që ka pak marrëveshje. Po ashtu, ka pak bashkëpunim mes forcave politike kur është në pyetje interesi i madh i Kosovës dhe mbi të gjitha më pengon lufta e egër që zhvillohet ndonjëherë për pushtet, në rrethanat që është Kosova”.

“E kuptoj luftën politike në një vend tjetër, qoftë edhe në vendet e rajonit, ku nuk i kanë problemet që i kemi ne”.

“Ne ende jemi në proces të njohjeve dhe integrimit në institucionet ndërkombëtare prandaj mendoj se duhet të jemi të fokusuar në disa çështje ku duhet të kemi marrëveshje permanente”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat