UP me program për orientim të maturantëve për studime

Aktuale

UP me program për orientim të maturantëve për studime

Më: 24 prill 2019 Në ora: 11:46
Pamje nga takimi

Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina", ka bërë hapjen zyrtare të aktivitetit "Ditët e Orientimit për Maturantë”, që ka për qëllim njohjen e maturantëve për së afërmi me mundësitë e studimeve në UP.

13 njësitë akademike të UP-s që nga sot e deri më 26 prill do të jenë të vendosura në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ku për maturantët do të prezantojnë mundësitë që i ofrojnë për studime.

Prorektorja për zhvillim dhe cilësi në UP, Merita Berisha, tha se përmes këtij aktiviteti po tentojnë që të informojnë maturantët për mundësitë që i ofron UP për studime.

Berisha: Të merren informata konkrete rreth mundësisë së edukimit

Video 

“Ky aktivitet e gjen bazën e tij nga plani strategjik të Universitetit të Prishtinës, i cili është një plan dinamik dhe mundohet të përafrojë subjektet e institucioneve të arsimit nga të gjitha nivelet me qëllim që të merren informata konkrete rreth mundësisë së edukimit, orientimit dhe zhvillimit në karrierë në UP të gjeneratave të ardhshme. Përmes planit strategjik të UP-s parashihen objektiva strategjike të ndërlidhjes dhe bashkëpunimit me institucionet e arsimit të mesëm të lartë, me qëllim të informimit dhe orientimit në karrierë për maturantët”, tha ajo.

Ajo tha se qëllim i menaxhmentit të UP-s është rritja në vazhdimësi e cilësisë dhe ndërtimi i urave të komunikimit me maturantët nga e gjithë Kosova.

Ndërkaq, Flandra Sadiku, përfaqësuese nga Busulla - Portali zyrtar i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për orientim profesional, edukim dhe këshillim në karrierë, ka inkurajuar maturantët që të shfrytëzojnë mundësinë për t’u informuar për mundësitë që i ofron UP.

Sadiku: Inkurajojmë maturantët të bëhen pjesë e këtij aktiviteti

Video 

“Busulla mbështet pesë hapat e orientimit në karrierë përmes pesë moduleve të saj që janë testet e karrierës, profesionet, shkollat, universitetet, puna dhe praktika, si dhe këshilltari. Inkurajojmë të gjithë maturantët nga e gjithë Republika e Kosovës që në këto tri ditë të bëhen pjesë e aktivitetit informues për mundësitë e studimit në UP, në mënyrë që orientimi i maturantëve të bazohet në modele të qëndrueshme të orientimit dhe të zhvillimit në karrierë”, tha ajo.

Nga programi “Studentët ambasadorë” në UP, ka folur Bashkim Hoti, i cili ka inkurajuar maturantët që të zgjedhin UP-në për studime.

Hoti: Besoni se do të jeni krenarë që do të jeni studentë të UP-s

Video

“Ne si gjeneratë e parë e programit “Studentët ambasadorë” kemi për detyrë promovimin e Universitetit dhe një detyrë të posaçme në orientimin e maturantëve dhe mikpritjen e tyre në hapësirat e UP-së. Inkurajojmë gjeneratat e reja të studentëve që të bëhen pjesë e programit “Studentët ambasadorë”, me qëllim që studimi në UP dhe puna vullnetare të jenë një dyzim i pandalshëm, i cili do të jetë në funksion të Universitetit dhe vet studentëve. Të gjithë ju që keni dilema në përcaktimin se ku do të studioni ju them se unë jam UP dhe kjo është moto e Universitetit tonë dhe më besoni se do të jeni krenarë që do të jeni studentë të UP-s”, u shpreh ai.

Maturantët kanë pasur mundësi që të informohen nga përfaqësuesit e UP-së për secilën njësi akademike. Një nga ta ka qenë edhe Guri Mazreku, i cili një aktivitet të tillë e quaj esencial për orientimin e maturantëve për studime.

Mazreku: Gjendemi në një udhëkryq të jetës ku në një farë forme kushtëzohet e ardhmja jonë

Video 

“E shoh shumë të nevojshme të ketë sa më shumë evenimente të tilla për arsye se janë shumë beneficione për studentët, për arsye se gjendemi në një udhëkryq të jetës ku në një farë forme kushtëzohet e ardhmja jonë. Evenimente të tilla ndihmojnë në informimin e studentëve”, tha ai.

 Ky aktivitet orientues për nxënës është organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës dhe zyra e rektorit të UP-së, si dhe është mbështetur nga Busulla - Portali zyrtar i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për orientim profesional, edukim dhe këshillim në karrierë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat