Ngitet aktakuzë ndaj inspektorit komunal të ndërtimit në Prizren

Aktuale

Ngitet aktakuzë ndaj inspektorit komunal të ndërtimit në Prizren

Më: 24 prill 2019 Në ora: 11:58
Foto ilustruese

Prokuroria Themelore në Prizren përmes një komunikate për media ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.K., në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe ndaj të pandehurit A.K., për veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave” .

Sipas aktakuzës, i akuzuari B.K., në periudhën kohore prej muajit maj të vitit 2016 deri në dhjetor të vitit 2018 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, ashtu që shkel “Ligjin mbi ndërtimin 2004/2015” përkatësisht nenin 64 duke mos kryer rrënimin e objektit pa leje ndërtimi, përkatësisht objektin banesor të investitorit A.K., në rrugën “Tirana” në Prizren, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin përkatësisht investitorin A.K., i akuzuari nuk ndërmerr masa të duhura në kuadër të kompetencave të tij për mos lejimin e ndërtimit dy katësh të objektit i cili nuk kishte leje ndërtimi.

Me këto veprime thekson prokuroria, i akuzuari B.K., ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari A.K., me datë 28.08.2017 në kohë të pacaktuar heq ose dëmton vulën zyrtare apo shenjën e ngjitur nga zyrtari i autorizuar, me qëllim të sigurimit të objektit. Pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunal të ndërtimit në Prizren, sipas procesverbalit të Drejtorit të inspektoriateve 0003569 e datës 31.05.2018, i akuzuari A.K., nuk i përfill vërejtjet e dhëna mbi ndalimin e punimeve në objektin e ndërtimit dhe vendosjen e shiritave, ashtu që i heq shiritat e vendosur duke dëmtuar vulat zyrtare. Me këtë ka kryer veprën penale Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave nga neni 414 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat