Gjykimi ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve, prokurori mbron aktakuzën, mbrojtja e kundërshton

Aktuale

Gjykimi ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve, prokurori mbron aktakuzën, mbrojtja e kundërshton

Më: 24 prill 2019 Në ora: 12:05
Pamje nga gjykimi

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendon se provat që gjendet në aktakuzën ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve, dëshmojnë se të akuzuarit kanë kryer vepra penale të korrupsionit.

Një konstatim të tillë, e ka dhënë prokurori special, Atdhe Demaj, në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, njëherësh ministër aktual i Infrastrukturës, akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Bashkë me të, për keqpërdorim pozite po akuzohet edhe Ismet Isufi, ndërsa për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi po akuzohet Veli Hajdaraga.

Në seancën e së mërkurës, palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse.

Prokurori Demaj ka thënë se kjo aktakuzë është e mbështetur në prova, sipas të cilave, siç ka thënë, vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë.

“Aktakuza gjen mbështetje të fuqishme në provat e propozuara, në të cilin propozim ngeli edhe tani duke u nisur nga fakti se gjithmonë flitet për prova të përshtatshme dhe të parashikuara në dispozitat adekuate të KRKS-së. Përkitazi me provat nuk e vlerësoj të arsyeshëm të bëjë analizën e tyre, veç e veç, dhe në lidhshmëri me njëra tjetrën pasi këtë me siguri do ta paraqes në fjalën time përfundimtare. Në aktakuzë në tërësi me provat e propozuara është vërtetuar edhe elementi subjektiv i veprës penale, gjithmonë duke u thirrur në veprimet e të akuzuarve kur edhe kanë kryer veprën penale. I nderuar trup gjykues jam i bindur se këto thënie do t’i vërtetojmë në plotëni edhe pas përfundimit të shqyrtimit kryesorë”, ka thënë prokurori Demaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i ATK-së, Shpend Pllana, ka deklaruar se i bashkëngjitet në tërësi fjalës hyrëse të prokurorit Demaj.

Kurse, mbrojtësi i Pal Lekajt, avokati Arianit Koci, ka thënë se fushata e pandërprerë publike për luftimin e korrupsionit, e ka futur prokurorin që të bëjë sipas tij, gabime të tmerrshme.

“Është ngritur aktakuza ndaj klientit tim pa asnjë provë të vetme. Boshti i kësaj aktakuzë është ngritur në prova të pabaza. Prokuroria ka bërë keqinterpretim të provave gjatë periudhës hetimore. Sa u përket vendimeve për ndarjen e subvencioneve ekspertët kanë thënë se këto vendime janë nënshkruar nga ana e zotit Lekaj, pasi që të njëjtat janë nënshkruar paraprakisht nga bordi komunal dhe pasi që janë përgatitur vendimet nga zyra ligjore e komunës, e cila ligjërisht ishte kompetente që asnjë vendim të mos përpilohet apo të nënshkruhet në kundërshtim me ligjin”, ka thënë avokati Koci.

Ai ka thënë se rezervojnë të drejtën për të paraqitur një ekspertizë shtesë.

Ndërsa, avokati Haxhi Çekaj, që mbron të akuzuarin Ismet Isufi, ka thënë se kësaj aktakuze i mungon boshti mbështetës.

“Mendoj se në provat e paraqitura nga prokuroria nuk mund të vërtetohet se i mbrojturi im Ismet ka kryer veprën penale”, ka thënë ai.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Veli Hajdaraga, avokati Agim Muhaxhiri, ka deklaruar se me aktakuzë nuk argumentohet asnjë veprim inkriminues për të mbrojturin e tij.

“Aktakuza e Prokurorisë Speciale është një aktakuzë e pambështetur në prova dhe e njëjta aktakuzë nuk argumenton asnjë veprim të inkriminuar kinse i mbrojturi im e ka kryer veprën penale. Aktakuza përveç provave të pa mbështetura bazohet edhe në një rast të cilën propozon të nxirret si provë e ai është rasti i Gani Ramës, i cili është rast i veçantë dhe i papërfunduar. Është e palogjikshme që kjo aktakuzë të mbështetet në prova të pa argumentuara. Sa i përket ATK-ës ekspertët financiarë kanë bazuar ekspertizat e tyre në udhëzimin administrativ, pra duke u bazu në metodën indirekte sa u përket llogarive financiare”, ka thënë avokati Muhaxhiri.

Seanca është duke vazhduar.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, në mars të vitit 2019, e kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, të marr me 10 janar 2019, e cila kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSKR), me të cilën aktakuzë, Lekaj dhe Isufi po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, kurse Hajdaraga për mashtrim në subvencione dhe shmangie nga tatimi.

“Gjykata e Apelit, njësoj si gjykata e shkallës së parë, konsideron se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për hudhjen e aktakuzës dhe se  provat që i janë bashkangjitur asaj nga ana e Prokurorisë,  janë të  pranueshme. Qëndrueshmëria e tyre do të vërtetohet në seancën  e shqyrtimit kryesor, ndërsa në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata e as nga palët”, thuhej në komunikatën e Apelit.

Po ashtu, Gjykata e Apelit kishte refuzuar si të pabazuar edhe ankesën e prokurorisë në raport më të akuzuarit tjerë të këtij rasti Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini, Dafina Thaqi të cilët akuzoheshin për shkak të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, por ndaj të cilëve shkalla e parë kishte hudhur poshtë aktakuzën.

Ndryshe, edhe në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Apelit kishte vendosur në lidhje me ankesat e mbrojtësve në këtë rast.

Kështu, Apeli e kishte kthyer në rivendosje rastin ndaj Lekajt dhe të tjerëve për sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, për të cilën pikë, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte konfirmuar aktakuzën.

Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme kur e kishte konfirmuar akuzën për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ndaj të akuzuarve dhe kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të tyre.

Kurse, sa i përket veprës tjetër të përvetësimit në detyrë, për të cilën edhe Themelorja kishte hudhur këtë pikë të aktakuzës, të njëjtën gjë e kishte vërtetuar edhe Apeli.

Ish-kreu i Komunës së Gjakovës dhe aktualisht ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 31 maj të vitit 2018.

Prokuroria Speciale e Kosovës aktakuzën në këtë rast e kishte ngritur më 10 prill 2016.

Para se aktakuza pjesërisht të hudhej poshtë, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

“Vendimet që i ka lëshuar i pandehuri Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që shkojnë deri në shumën prej 631.671.82 euro”, thuhet ndër të tjerash në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, subvencionet janë autorizuar nga të akuzuarit pa mbikëqyrje nëse pagesat janë bërë ndaj fermerëve dhe duke mos pasur fare kontratë me kompaninë “UNION-VL” me ç’rast rreth 40% e mbi tre mijë fermerëve nuk kanë pranuar fare pagesat që janë autorizuar ndaj tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri rreth 250 mijë euro.

Ndërsa, të pandehurit Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi, akuzohen se duke e qenë në cilësinë e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve për mbikëqyrjen e shpërndarjes së subvencioneve, kanë përpiluar raporte se kinse shpërndarje në teren e subvencioneve është bërë ashtu siç duhet, megjithëse rreth 40% e aplikuesve nuk kanë pranuar subvencionet.

Gjashtë të pandehurit akuzohen se me këto veprime, në periudha të ndryshme nga viti 2008 e deri në vitin 2014, në vazhdimësi kanë kryer veprat penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë rast, akuzohet dhe Veli Hajdaraga, i cili, sipas organit të akuzës, gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë.

I akuzuari Hajdaraga, përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit në shumë prej rreth 35 mijë eurosh, sepse sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “UNION-VL”.

Prokuroria Speciale në aktakuzë ka treguar se numri i fermerëve që është dashur të intervistoheshin është mbi tre mijë, andaj me një numër të të intervistuarve është fituar trendi se 40% e përfituesve të subvencioneve nuk i kanë pranuar fare ato.

Andaj, shuma e saktë e dëmit të shkaktuar që është mundur të vërtetohet nga fermerët e intervistuar, sipas aktakuzës, është rreth 70 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat