Financimi i partive politike të bëhet në bazë të grupeve parlamentare

Aktuale

Financimi i partive politike të bëhet në bazë të grupeve parlamentare

Më: 24 prill 2019 Në ora: 13:12
Pamje nga takimi

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar projektligjin për financimin e partive politike ku me 8 vota për dhe 1 abstenim është votuar në tërësi, ndërsa në nenet 9 dhe 73 që kanë të bëjnë me mënyrën e financimit të partive politike me 6 vota ‘për’ është votuar amendamenti i deputetit të PSD-së Dardan Molliqaj që financimi i partive politike të bëhet në bazë të grupeve parlamentare.

Debat të madh ka pasur në lidhje me zyrën e certifikimit, ku për këtë çështje dallimi më i madh ka qenë te pika se a duhet të jetë apo jo një zyrë për certifikim brenda KQZ-së, apo si organ i pavarur.

Deputeti i LDK-së, kryesuesi i grupit punues për hartimin e këtij draft-ligji, Naser Osmani tha se ka pasur pajtueshmëri të plotë, përveç në disa amendamente.

Ai tha se ndryshimet kryesore janë që autonomia dhe kompetencat e zyrës për certifikim të jetë brenda zyrës së KQZ-së dhe jo jashtë saj, pasi sipas tij, nuk mund të jetë një organ i pavarur brenda një institucioni të pavarur.

“Kemi zvogëluar gjobat për subjektet politike, qëllimi ynë ka qenë t’i mbrojmë partitë e vogla. Sa i përket auditimit të subjekteve politike, grupi punues vlerësuar se fondi prej 5% është i lartë. Mjetet duhet të ndahen aq sa kanë partitë nevojë. Propozoj që përveç amendamentit 9 dhe 73, të gjitha të tjerat të votohen në pako, si dhe paragrafi 1 i nenit 9 të votohet në pako”, tha ai.

Kryesuesi i komisionit, Lumir Abdixhiku, tha se ka paqartësi për arsye të vendimit të kryeministrit për mendimin për projektligjin nga komisioni i Venecias, derisa për dënimet ai kërkoi që të mbesin të tilla.

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj u shpreh se dy amendamente e propozuara nga partia opozitare Vetëvendosje janë në kundërshtim me ligjin e Qeverisë. Për zyrën brenda KQZ-së për certifikim, ai tha se kjo zyrë është në kundërshtim dhe me Kushtetutën.

Për deputeten e VV-së, Arbrie Nagavci tha se dy amendamentet që i kanë paraqitur kanë të bëjnë me çështjen e zyrës brenda KQZ-së për certifikim dhe financimin e partive politike.

Deputeti i AAK-së, Blerim Kuqi tha se reforma zgjedhore duhet të jetë ndaras me ligjin për financimin e partive politike, ndërsa deputetja e PDK-së, Safete Hardergjonaj tha se me anë të ky ligj për financimin e subjekteve politike duhet të jetë ndaras prej reformës zgjedhore.

Pjesë e këtij komisioni ishte dhe një përfaqësuesi i BE-së, Felix Rafje, i cili kishte kërkesa që zyra për certifikim të jete si institucion i pavarur.

“Theksi jonë ka qenë që opinioni i komisionit të Venedikut që është kërkuar nga zyra e Venedikut, që mendimi i këtij komisioni dhe komentet tona që i kemi përpiluar kanë qenë që të bëhet forcimi i zyrës brenda KQZ-së, e cila do të jetë në qendër të këtij projektligji që siguron transparencën dhe implementimin”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat