Financimi i partive pritet të bëhet në bazë të grupeve parlamentare

Aktuale

Financimi i partive pritet të bëhet në bazë të grupeve parlamentare

Më: 24 prill 2019 Në ora: 14:23
Foto ilustrim

Projektligji për financimin e partive politike, i shqyrtuar nga grupi punues i Komisionit për Buxhet dhe Financa , ka kaluar me ndryshime në tërësi, përfshi amendamentin e deputetit të PSD-së Dardan Molliqaj që vendoset se financimi i partive politike tash e tutje do të bëhet në bazë të grupit parlamentar në Kuvendin e Kosovës dhe jo subjekteve politike.

Pavarësisht kundërshtimit të dy partive opozitare, LDK-së dhe VV-së me 6 vota për ka kaluar ai amendament, ndërsa amendamentet e këtyre partive që janë në kundërshtim me këtë amendament nuk kanë marrë shumicën e mjaftueshme për të kaluar.

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se me anë të këtij amendamenti do të tregohet që ky ligj prej momentit që hyn në fuqi do të merr parasysh grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Molliqaj: Ta zbatojmë ligjin

“Amendamenti im i cili është dispozitë, amendament përfundimtar tregon që ky ligj prej momentit që hyn në fuqi merr parasysh grupet parlamentare që janë të krijuara në Kuvendin e Kosovës, jo në mënyrë retroaktive. Por prej tani e tutje ecim në zbatimin e  këtij ligji”, tha ai.

Kundër kësaj u shpreh deputetja e VV-së Arbrie Nagavci, e cila tha se financimi i partive politike duhet të bëhet ashtu siç përcaktohen dhe se financimi duhet të bëhet për subjektin politik dhe jo për deputet apo grup të deputetëve.

Nagavci: Ndarja financiare publike të jetë për subjekte politike, jo për deputet

“Kjo është në kundërshtim dhe me vetë nenin 9 në versionin e propozuar në draft-ligj, i cili dhe tash tregon që deputetët duhet të mbesin në subjektet politik, ku përmendët se në nenin 9 e përcakton numrin e ulëseve në atë mandat si kriter e ndarjes financiare publike për subjektet politik, pra jo për deputet, apo grupin e deputetëve”, tha deputetja Nagavci.

Debat të madh ka pasur në lidhje me zyrën e certifikimit të partive politike se a duhet të jetë brenda organit të KQZ-së, apo si organ i pavarur. 

Për këtë ka pasur mendime dhe të zyrtarëve të BE-së, të cilët ndryshe nga anëtarët e komisionit, kërkonin që kjo zyrë të jetë e veçantë ashtu siç ka dhënë mendimin Komisioni i Venecias.

Deputeti i LDK-së, njëherësh kryesuesi i grupit punues për hartimin e këtij draft- ligji, Naser Osmani tha se ndryshimet kryesore janë që autonomia  dhe kompetencat e zyrës për certifikim të jetë brenda zyrës së KQZ-së dhe jo jashtë saj, si dhe gjobat të jenë më të vogla. 

Osmani: Nuk mund të jetë një organ i pavarur brenda një institucioni të pavarur

“Autonomia dhe kompetencat e Zyrës për Certifikim dhe Regjistrimin e subjekteve politike në çështjen e raportimit, auditimit, shqyrtimin e gjobave të partive politike është zëvendësuar me KQZ. Grupi punues ka vlerësuar se nuk mund të jetë një zyre e pavarur në funksionin e vet të mos jep llogari fare organit drejtues të institucionit ku është e strukturuar. Pra, nuk mund të jetë një organ i pavarur brenda një institucioni të pavarur. Në këtë drejtim ashtu siç është propozuar në projektligj nuk kemi marr njoftim se një njoftim i ngjashëm ekziston në ndonjë vend të Bashkimit Evropian, apo diku tjetër. Për transferimin e kompetencave nga zyra në KQZ ka pasur harmonizim dhe kërkesa nga të gjitha subjektet politike parlamentare. Ne kemi zvogëluar gjobat për subjektet politike dhe personat e autorizuar të këtyre subjekteve, nga ajo që është propozuar në projektligj. Qëllimi jonë i vetëm ka qenë që të mbrohen partitë e vog la, sepse paritë e madha nuk e kanë problem me përballu gjobat që janë paraparë... Propozimi për ndarjen nga fondi prej 5 për qind për mbështetjen e partive politike është i lart dhe ka propozuar që të formulohet dhe të thuhet se KQZ ndan buxhet të mjaftueshëm në fazën e përgatitjes së buxhetit vjetor të auditimit të subjekteve politike”, tha ai.

Kërkesën për dënime që të mbesin të larta e përkrahi dhe kryesuesi i komisionit, Lumir Abdixhiku, i cila tha se më mirë është që të mbesin të tilla dënimet që ato mos të shkelen.

Abdixhiku: Dënimet të mbesin si të tilla

“Dënimet të mbesin si të tilla, sepse partitë politike gjatë fushatës kanë llogari në qoftë se janë dënimet e ulëta t’i shkelin rregullat dhe  t’i paguajnë dënimet. Më mirë është që t’i mbajmë dënimet e larta që të mos shkelen rregullat se sa t’i ulim ato dhe t’i nxisim shkeljen e tyre”, deklaroi Abdixhiku. 

Se nuk duhet bie pre e presionit të ndërkombëtarëve e tha dhe nënkryetarja e këtij komisioni, deputetja e PDK-së, Safete Hardergjonaj, e cila u shpreh se në Kosovë shpesh po bëhen eksperimente ku po insistohet të votohet ligje që nuk ka në asnjë vend tjetër, duke iu referuar zyrës së certifikimit.

Hadergjonaj: Në Kosovë insistohet të miratohen ligje që nuk ka asnjë vend tjetër

“Janë bërë disa eksperimente jo vetëm në këtë ligj, por dhe në ligje tjera pikërisht këtu në Kosovë duke insistuar të miratohet diçka që nuk e ka asnjë vend tjetër. Nga sqarimet që i dha kryetari i komisionit kjo zyrë nuk ekziston dhe në asnjë vend tjetër, prandaj e konsideroj që ndryshimet që janë bërë nga grupi punues janë ndryshime të mira që ne duhet t’i marrim parasysh”, tha Hadergjonaj.

Të njëjtin mendim e kishin dhe deputetë të tjerë të këtij komisioni se zyra e certifikimit duhet të jetë brenda KQZ-së dhe jo si organ i veçantë i pavarur.

Jashtë rendit të ditës,  pjesë e këtij komisioni u bë dhe përfaqësuesi i BE-së, Felix Rafje, i cili tha se prioritet duhet të jetë kjo zyrë e veçantë  e certifikimit në mënyrë që ky projektligj të sigurojë transparencë dhe implementim të sigurt.

Rafje: Forcimi i zyrës brenda KQZ-së do të sigurojë transparencën

“ Theksi jonë ka qenë që në këto komente që i kemi dërguar karshi këtyre propozimeve, amendamenteve nga grupi punues është që opinioni i komisionit të Venedikut që është kërkuar vitin e kaluar nga Zyra e Kryeministrit. Ky mendim i komisionit të Venedikut dhe komentet tona që i kemi përpiluar duke i pasur në konsideratë këtë mendimin ka qenë që të bëhet forcimi i zyrës brenda KQZ-së e cila do të jetë në qendër të këtij projektligji që do të siguroj transparencën dhe implementimin”, tha ai.

Por, i këtij mendimi nuk ishte deputeti i LDK-së Naser Osmani, i cili tha se argumentet e BE-së janë të paqëndrueshme për arsye se ka pasur këshille të ndryshme, por që kanë qenë vetëm konsultative, dhe jo ekzekutive që vendosin gjoba.

Ndryshe, vitin e kaluar Zyra e Kryeministrit, Ramush Haradinaj kishte kërkuar mendim për këtë çështje nga Komisioni i Venecias.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat