Rritet numri i regjistrimit të pronave në emër të dy bashkëshortëve

Aktuale

Rritet numri i regjistrimit të pronave në emër të dy bashkëshortëve

Më: 24 prill 2019 Në ora: 15:18
Prishtinë, foto nga arkivi.

Në Kosovë ka filluar të rritet të numri i pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve. Kjo rritje pason hyrjen në fuqi të një udhëzimi administrativ të vitit 2016, i cili stimulon regjistrimin e pronave të paluajtshme të përbashkëta në emër të dy bashkëshortëve në regjistrat publikë.

Të martën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ky udhëzim administrativ të zbatohet edhe për katër vjetët e ardhshëm. Plotësim-ndryshimet e udhëzimit, sipas Qeverisë, rregullojnë mundësinë stimuluese të regjistrimit të pronës në emër të dy bashkëshortëve, për të siguruar pjesëmarrjen e barabartë të gruas dhe burrit në të drejtën e pronës së paluajtshme të përbashkët.

Në të dhënat e Agjencisë së Kadastrës së Kosovës, e cila mbikëqyrë zbatimin e udhëzimit, figuron se para hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi kanë qenë 104 prona të regjistruara në emër të bashkëshortëve. Kurse, pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, numri i pronave në emër të dy bashkëshortëve ka arritur në 3985 raste.

Sipas zyrës se informimit të kësaj agjencie, vetëm në pjesën e parë të vitit të kaluar, 1650 prona kanë qenë të regjistruara në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve.

Bazuar në udhëzimi administrativ, pronë e përbashkët e bashkëshortëve nënkupton pasurinë e krijuar gjatë jetës në martesë e cila regjistrohet si pronë e përbashkët, administrohet bashkërisht dhe nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e bashkëshortëve.

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë e konsiderojnë të domosdoshëm një udhëzim të tillë. Sipas tyre, nuk duhet të lejohet që tradita të sfidojë ligjet ekzistuese në Kosovë për të drejtat e grave.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Hulumtime dhe Studime Gjinore, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nga fillimi i zbatimit të udhëzimit administrative është rritur për 5 për qind regjistrimi i pronave në emër të çifteve.

“Zgjatja e zbatimit të udhëzimit administrativ është shumë e mirë sepse kjo i ndihmon çiftet që të realizojnë të drejtën e tyre, sidomos gratë që të regjistrojnë pronën në emër të tyre. Fillimisht është diçka artificiale, por më vonë e shohim efektin. Por, megjithatë kjo ka bërë që rreth 5 për qind të rritet numri i pronave të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve”, thotë Demolli për Radion Evropa e Lirë.

Edhe disa nga të rinjtë, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se janë të gatshëm të zbatojnë udhëzimin administrativ, në mënyrë që pasuria të ndahet në mënyrë të barabartë për të dy bashkëshortët.

Albana Gashi, rreth 23 vjeç është e pamartuar dhe punon në sektorin privat. Ajo pohon se në të ardhmen do të jetë bashkëpronare e pasurisë së krijuar me bashkëshortin e saj.

“Është e drejtë që edhe femrat të trashëgojmë pasurinë”, shprehet Gashi.

Edhe Behar Shaqiri, student në Universitetin e Prishtinës, thotë se është i gatshëm në të ardhmen të zbatojë vendimin administrativ.

“Po sigurisht është e drejtë që pasuria në mes bashkëshortëve duhet të regjistrohet për të dyja palët”, thotë Shaqiri.

Në mënyrë që udhëzimi të zbatohet në mënyrë më efikase, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, të martën në mbledhjen e Qeverisë ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit që të arrihet një memorandum mirëkuptimi me zyrat e noterëve.

“Kërkoj nga Zyra e Kryeministrit që të informojë nivelet komunale se si realizohet kjo e drejtë. Pastaj, të bisedohet më Odën e Noterëve ose Ministrinë e Drejtësisë sepse gjatë zbatimit, të gjitha lehtësirat të cilat krijohen me udhëzim administrativ shndërrohen në Zyrat e Noterit”.

“Te Zyra e Noterit ka humbje kohe dhe paguhet një pagesë më e lartë sesa në komunë. Kështu që në mënyrë që të ketë efekt më të mirë, mendoj të lidhet një memorandum me Zyrat e noterëve dhe ky udhëzim do të jetë më efikas dhe do të arrijë qëllimin e vet”, ka thënë Jagcilar.

Në bazë të udhëzimit edhe në rastet kur prona e paluajtshme është e regjistruar në emër të vetëm njërit bashkëshort, ajo nuk mund të shitet apo të tjetërsohet në çfarëdo forme tjetër pa pëlqimin me shkrim të bashkëshortit tjetër, të vërtetuar nga organi kompetent.

E drejta në pronë është e drejtë themelore që garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjeve ekzistuese në fuqi. Por, në shumë raste, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, tradita sfidon ligjet./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat