Zemaj godet RTK-në për zgjedhjen e drejtorit: Interpretimi nga zyra ligjore përbën vepër penale - Bota Sot
Zemaj godet RTK-në për zgjedhjen e drejtorit: Interpretimi nga zyra ligjore përbën vepër penale

Aktuale

Zemaj godet RTK-në për zgjedhjen e drejtorit: Interpretimi nga zyra ligjore përbën vepër penale

Më: 24 prill 2019 Në ora: 15:20
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Armend Zemaj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Armend Zemaj, pas konfirmimit se Ngadhnjim Kastrati është zgjedhur drejtor i RTK-së, ka thënë se interpretimi i ligjit nga Zyra Ligjore e RTK-së për zgjedhjen e Kastratit drejtor, përbën vepër penale.

Zyra Ligjore e RTK-së e ka legjitimuar votimin e ndodhur para pak ditësh, përmes të cilit Ngadhnjim Kastrati është zgjedhur drejtor i ri i Radio Televizionit Publik të Kosovës.

Pas zgjedhjes së parë të Ngadhnjim Kastratit nga Bordi i RTK-së, me 6 vota pro e një kundër, ishte çuar ligji për interpretim në zyrën ligjore të RTK-së, rezultati i së cilës doli sot dhe shpalli Kastratin drejtor të RTK-së.

Deputeti i LDK-së ka thënë se çdo interpretim i ligjit, normale të ligjit nga mekanizmat brenda institucionit punëdhënës, është i paqëndrueshëm dhe përbën shkelje të rëndë ligjore dhe me pasoja të veprës penale.

“Çdo interpretim tjetër i normave të ligjit nga mekanizmat brenda institucionit punëdhënës, është i paqëndrueshëm, rrjedhimisht pa efekt juridik dhe si i tillë përbën shkelje të rëndë ligjore dhe me pasoja të veprës penale të cenimit të të drejtave nga marrëdhënia e punës e cila sanksionohet me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë deputeti Zemaj.

“Interpretues autentik i normës është ligjvënësi, në rastin konkret Kuvendi i Kosovës, përmes Komisionin përkatës funksional”, është shprehur deputeti i LDK-së.

Lajmin për zgjedhjen e Kastratit e ka konfirmuar edhe Afërdita Maliqi, kryetare e Bordit të RTK-së.

“Në bazë te interpretimit të zyrës ligjore e cila është konsultuar edhe me ekspertë të çështjeve juridike e kushtetuese bordi ka konstatuar se votimi për drejtor të përgjithshëm është i drejtë dhe Ngadhnjim Kastrati bëhet drejtor i përgjithshëm”, ka thënë ajo.

Në garë për të partin e RTK-së ka qenë edhe Festim Kabashi, i cili njihet për afërsinë me Ramush Haradinajn.

Kastrati në pozitën e drejtorit të RTK-së do ta pasojë Mentor Shalën.

Kujtojmë se votimi për drejtor të RTK-së kishte dështuar dy herë, për shkak të presioneve të ndryshme politike, dhe nëse do të dështonte edhe një herë konkursi do të duhej të përsëritej.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...