Jahjaga: Në luftën në Kosovë, 73% e grave janë prekur nga konflikti - Bota Sot
Jahjaga: Në luftën në Kosovë, 73% e grave janë prekur nga konflikti

Aktuale

Jahjaga: Në luftën në Kosovë, 73% e grave janë prekur nga konflikti

Më: 24 prill 2019 Në ora: 19:54
Atifete Jahjaga

Një delegacion i Kosovës mori pjesë në debatin për dhunën seksuale në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ishte pjesë e këtij delegacioni, ka përmendur krimet e serbëve në Kosovë, ku mbi 20 mijë gra janë dhunuar gjatë luftës 98-99.

Ajo tha se mos ndëshkimi për krime lufte po dominon edhe njëzet vjet pas përfundimit të luftës, pasi asnjë kryerës i këtyre veprave nuk është sjellë para drejtësisë për t’u përballur me dhunën e shkaktuar ndaj grave.

“Mos përfshirja e Kosovës në raportin e OKB-së tregon se Kosova duhet të jetë më tepër prezent në debate të tilla për të ngritur zërin për ngjarjet e tilla që kanë ndodhur në Kosovë”, tha Jahjaga.

Fjalimi i plotë:

Është një nder i veçantë të jem pjesë e këtij diskutimi të nivelit të lartë, sidomos duke qenë afër shënimit të 20 vjetorit të Rezolutës 1325. Sot, përderisa ndajmë më krenari të gjitha arritjet tona në këtë fushë, duhet që së bashku, si shtete të botës, të pranojmë se qëllimi ynë ende nuk është arritur.

Pse është e rëndësishme që ende të flasim për gratë, paqen, dhe sigurinë? Sepse shumica e sfidave ende qëndrojnë. Gratë vazhdojnë të jenë targetet kryesore të luftës. Trupat e tyre ende shndërrohen në fushëbeteja. Ato ende vazhdojnë të mbajnë barrën e rëndë të luftës pasi që kanë përgjegjësinë kryesore të përkujdesjes së fëmijëve, të moshuarve dhe të tjerëve gjatë luftës. Dhe në periudhën pas konfliktit, roli i grave anashkalohet. Ato mbesin jashtë proceseve për ndërtim të paqes, pa zë apo prezencë në tavolinë të bisedimeve. Në luftën në Kosovë, 73% e grave janë prekur nga konflikti, por prapë, ato kanë mbetur jashtë proceseve të shtetit-ndërtimit dhe ndërtimit të paqes.

Sidoqoftë, jam e lumtur të ndaj me ju se ne kemi punuar drejt ndryshimit.

Si një shtet që aspiron anëtarësim në Kombe të Bashkuara, Kosova ka miratuar Planin Nacional të Veprimit për të implementuar Rezolutën 1325. 90% e planit është zbatuar. Tani, Kosova ka marrë një hap më tutje drejt integrimit të Rezolutës 1325, duke e përfshirë atë si shtyllë specifike në Planin e Veprimit për Barazi Gjinore 2019-2022. Kjo praktikë e re duhet të shërbej si model i mirë.

Të nderuar delegatë,

Këtë vit, Kosova shënon 20 vjetorin e përfundimit të luftës në Kosovë. Lufta ka shkatërruar jetën e qindra mijëra civilëve, dhe ka detyruar afër një milion qytetarë të largohen nga shtëpitë e tyre. Më shumë se 13,000 civilë janë vrarë, 1,647 janë ende të zhdukur, dhe afërsisht 20,000 gra dhe burra kanë përjetuar dhunë seksuale, si mjet i luftës.

Neve si institucione, na ka marrë afër 17 vite të ofrojmë një formë të kompensimit për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Gratë aktiviste ishin të zëshme. Ato luftuan heshtjen dhe stigmën shoqërore të këtij krimi jonjerëzorë. Sidoqoftë, ishte rrugë e gjatë drejt njohjes ligjore të këtij krimi të tmerrshëm – krim i cili fatkeqësisht ende nuk njihet nga shteti që e ka kryer atë.

Vitin e kaluar, me përkrahje të UN Women, Kosova ka themeluar komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, i cili ofron kompensim individual. Kjo metodë është duke hapur rrugë të reja në këtë fushë, duke i treguar botës se kur institucionet dhe shoqëria bëhen bashkë, progresi mund të arrihet. Në anën tjetër, na ka treguar edhe se luftimi i stigmës dhe lufta për drejtësi nuk fitohen brenda natës. Ndryshimi kërkon kohë, vizion dhe unitet. Këtu na duhet përkrahja juaj.

E mirëprita raportin vjetor të Sekretarit Gjeneral të OKB-së për dhunën seksuale në konflikt. Por, duhet të pranoj se jam shumë e shqetësuar të shoh se si gjendja e vështirë e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe progresi i Kosovës në ofrimin e kompensimeve individuale për këtë kategori të viktimave të luftës, nuk është përfshirë në raport.

Ne qëndrojmë këtu, se bashku, të zotuar për një botë ku kultura e mosndëshkimit nuk lejohet, dhe për këtë arsye nuk duhet të lejojmë që zërat e viktimave të përjashtohen, heshtin dhe injorohen. Ne zotohemi se do të vazhdojmë të fuqizojmë të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë, dhe të kërkojmë drejtësi për të gjitha ato. Dhe presim që Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe Sekretari Gjeneral të bëjnë të njëjtin zotim.

Të dashur miq,

Unë kam takuar qindra të mbijetuara të dhunës seksuale në Kosovë. Një prej tyre është këtu me mua. Ato duan drejtësi. Le të mos i dështojmë përsëri.

Ju faleminderit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...