IUCN e mirëpret Kosovën si anëtare të tij të re

Aktuale

IUCN e mirëpret Kosovën si anëtare të tij të re

Më: 25 prill 2019 Në ora: 16:08
IUCN

Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës- IUCN, me rastin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës, ka përgëzuar dhe mirëpritur shtetin  tonë në këtë union ndërkombëtar.

Në komunikatën zyrtare që ata kanë publikuar thuhet që Kosova u bashkua zyrtarisht në Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës- IUCN , duke hyrë në një forum neutral në të cilin qeveritë, OJQ-të, shkencëtarët, bizneset, komunitetet lokale dhe të tjerët formojnë dhe zbatojnë zgjidhjet për sfidat mjedisore së bashku.

 

"IUCN shpreh mirëseardhjen e saj të ngrohtë për Republikën e Kosovës si shteti anëtar më i ri në Unionin tonë. Ne besojmë se kjo do të na mundësojë të forcojmë më tej praninë dhe punën e IUCN-së në Kosovë, e cila shtrihet në një nga rajonet më të pasura në Evropë në aspektin e biodiversitetit dhe vlerave natyrore. Ne shpresojmë që do të angazhohemi së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ekspertët, komunitetet dhe shoqërinë civile në arritjen e qeverisjes më të mirë në menaxhimin e burimeve natyrore ", është shprehur në web faqen e tyre zyrtare  Drejtoresha e Përgjithshme e IUCN, Inger Andersen.

IUCN ka cituar edhe ministrin Matoshi me rastin e anëtarësimit të Kosovës në këtë union ndërkombëtar.

"Ne presim me padurim bashkëpunimin me IUCN, veçanërisht në planifikimin dhe menaxhimin efektiv të zonave të mbrojtura dhe zhvillimin e strategjive të qëndrueshme të ruajtjes që do të përqafonin dhe promovojnë standardet globale në ruajtjen e natyrës", tha Fatmir Matoshi, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës.

IUCN, me këtë rast ka dhënë dhe informata në lidhje me Kosovën, mjedisin e saj, zonat e mbrojtura e biodiversitetin.

“Megjithëse relativisht e vogël në përmasa, Kosova karakterizohet nga biodiversiteti i pasur dhe një shkallë e lartë të endemizmit. Në vitin 2012, Kosova dyfishoi përqindjen e zonave të mbrojtura, nga rreth 4.36 në 11.5% të territorit. Pjesa më e madhe e territorit të zonave të mbrojtura bie në dy parqe të mëdha kombëtare, "Sharri" dhe "Bjeshkët e Nemuna". Ndërkohë që është arritur përparim i dukshëm në drejtim të përcaktimit të zonave të mbrojtura, mjaft punë duhet të bëhet edhe kur bëhet fjalë për inventarin dhe ruajtjen e llojeve të rralla dhe të kërcënuara të florës dhe faunës. Për më tepër, Kosova përballet me kërcënime të ngjashme ndaj biodiversitetit si pjesa tjetër e rajonit, duke përfshirë urbanizimin dhe zhvillimin e infrastrukturës, përdorimin e tepruar të burimeve natyrore dhe mungesën e zbatimit të ligjit, mbi të gjitha”, kanë vlerësuar nder të tjerash zyrtarët e këtij unioni.

 

Vlen të përmendim që Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe Resurseve Natyrore është themeluar më 5 tetor 1948 në qytetin francez të Fontainebleau dhe që nga atëherë është bërë autoritet global për ruajtjen e natyrës dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për ta mbrojtur atë.

IUCN është e vetmja organizatë mjedisore që ka statusin zyrtar si vëzhguese në Kombet e Bashkuara dhe ka 1300 anëtarë nga mbi 170 shtete.

Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në këtë organizatë sjellë përfitime të shumta MMPH-së dhe në përgjithësi shtetit të Kosovës.

Për këtë anëtarësim të Kosovës, Ministri Matoshi ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në veçanti Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli për mbështetjen në këtë proces, si dhe grupin punues në kuadër të MMPH-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat