Certifikohen kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet në veri të Mitrovicës

Aktuale

Certifikohen kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet në veri të Mitrovicës

Më: 25 prill 2019 Në ora: 16:16
Mbledhja e KQZ-së

(E plotësuar)- Komisioni Qendror Zgjedhor pas aprovimit të ankesës së Listës Serbe për zgjedhjet në veri të Mitrovicës nga ana e PZAP-së, ka certifikuar katër anëtarët e kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme në komunat në veri të vendit.

Vendimi u mor me shumicë të votave të anëtarëve të tjerë të KQZ-së, përveç anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se pas votimit dhe kthimit prapa të vendimit të tyre nga ana e PZAP-së, mund të konsiderohet që Lista Serbe është e certifikuar, pasi siç theksoi ajo, KQZ është e   urdhëruar  të zbatoi vendimet e PZAP-it dhe se për këtë duhet të anulohet vendimi i  tyre.

Daka: Kemi tashmë urdhrin e PZAP-it

“Kemi vendimin e PZAHP-it, me dispozitën  e këtij vendimi, pranohet pjesërisht si i bazuar apeli i subjektit politik Lista Sërbska me seli në Komunën e Mitrovicës së veriut. Nën dy, anulohet vendimin i KQZ-së i datës 24 prill 2019 dhe urdhërohet Komisioni Qendror Zgjedhor ta certifikon subjektin politik Lista Sërbska me kandidatët për kryetar të komunave, Goran Rakiq, Vicina Jankovic, Sërgjan Vulloviq dhe Zoran Tadiq për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 19 maj 2019. Vendimet e PZAP-it janë të obligueshme. Sipas ligjit ne kemi tashmë urdhrin e PZAP-it që të certifikohet Lista Sërbska me katër kandidatët e saj”, theksoi Daka.

Këtë e kundërshtoi anëtari i partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili tha se qëndron prapa vendimit të mëparshëm për arsye, sipas tij ata e kanë humbur  të drejtën kushtetuese dhe ligjore që të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Po ashtu, Rrustemi ishte këmbëngulës që të pritet afati prej 24 orësh në mënyrë që të shihet se a ka ankesa.

Rrustemi: Unë vazhdoj të jem kundër kandidatëve

“Është mirë që tre nga katër kandidatet e Listës Serbe ka marrë rrugë të shqyrtimit ligjor dhe juridik. Unë natyrisht që në përmbajtjes këtij vendimi të PZAP-së nuk pajtohem. Unë vazhdoj që të kem qëndrimin që tre nga katër kandidatët e kanë humbur të drejtën kushtetuese dhe ligjore për të marrë pjesë në këto zgjedhje”, theksoi Rrustemi.

Mirëpo pavarësisht kësaj, kryesuesja Daka tha se KQZ-ja do të respektoj vendimin e PZAP-it dhe vetëm mund të konsiderohen të certifikuar kandidatët e Listës Serbe.

Daka: Lista Sërbska është e certifikuar

“Ne si KQZ jemi të urdhëruar që të certifikojmë subjektin politik Lista Sërbska me kandidatët për kryetar të komunave. Mund të konsiderojmë që Lista Sërbska është e certifikuar sipas urdhrit të PZAP-së”, tha ajo.

Pas abstenimit të dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje KQZ-ja dje nuk ka arritur që të certifikoi kandidatët e partisë Lista Serbe për zgjedhjet e parakohshme në veri.

PZAP kthen prapa vendimin e KQZ-së, kërkohet certifikimi i kandidatëve të Listës Serbe

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar pjesërisht ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor për moscertifikimin e kandidateve të Listës Serbe për zgjedhjet në 4 komunat veriore. PZAP urdhëron KQZ për të certifikuar kandidatët e Listës Serbe.

Kjo ankesë e Listës Serbe vjen pas vendimit të djeshëm të KQZ-së për moscerfitikimin e kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet në komunat veriore. Abstenimet e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ Adnan Rrustemi dhe Nazlie Bala nuk krijuan 8 votat e mjaftueshme për t’u certifikuar këta kandidatë.

Mbledhja e KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po mban mbledhjen e radhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat