Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, beson se deklaratat e Thaçit dhe Veselit për lidhjet e Kurtit dhe Konjufcës me “Syrin e Popullit” qëndrojnë 100%.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se është e drejtë e Kurtit të bëj padi kundër Thaçin e Veselit, por deklaratat e këtyre të fundin kanë qenë të bazuara nga ajo që këta kanë deklaruar në gjykatë.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie Glauk Konjufca, kanë dorëzuar në Prokurorinë Themelore një kallëzim penal ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe krye parlamentarit Kadri Veseli, pasi sipas tyre në seancën e cila është mbajtur me 28 dhjetor, për rastin ‘Syri i Popullit’, Thaçi dhe Veseli nën betim kishin shpifur për ta.
Nënkryetari i PDK-së duke komentuar protestën e nesërme të Vetëvendosjes, ka thënë se pikërisht Vetëvendosjen e ka ndarë korrupsioni dhe hajnia.
“Atë parti e ka ndarë korrupsioni dhe hajnia, e jo parimet. Ata [Vetëvendosje] janë njerëzit e fundit në këtë vend që duhet të protestojnë për korrupsion dhe hajni. Problemet që kanë pasur ata e që ndërlidhen me afera korruptive e kanë ndarë partinë në dysh”, tha ai.
Tahiri ka thënë se gjithmonë ka arsye për të bërë protesta të qeta demokratike, për të përmirësuar gjendjen për të mirë.
“Protestat e qeta dhe demokratike janë të mirëseardhura, sepse jemi shoqëri me vetëdije të lartë dhe protestojmë ndaj gjërave të dëmshme”.
Ai ka thënë se për korrupsionin e Vetëvendosjes po flasin vetë faktet që këta të fundit i kanë deponuar në Prokurori. “Vetëvendosje në Prokurorinë e Kosovës ka deponuar një mori lëndësh kundër atyre që deri dje kanë qeverisur komunën bashkë dhe kanë fituar bashkë”, tha ndër të tjera Abelard Tahiri.