Thaçi: Jam kundër ndryshimit të kufijve, bashkimi i Luginës me Kosovën është korrigjim i padrejtësive

Aktuale

Thaçi: Jam kundër ndryshimit të kufijve, bashkimi i Luginës me Kosovën është korrigjim i padrejtësive

Më: 26 prill 2019 Në ora: 22:16
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sonte ka folur rreth takimit të Berlinit dhe qëndrimet e Kosovës në këtë takim, por edhe për idenë e tij për integrimin e Luginës në territorin e Kosovës.

Presidenti Thaçi është shprehur se është konsultuar me të gjithë liderët politikë në Kosovë, duke filluar nga kryekuvendari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj si kryesues i ekipit negociator e Behgjet Pacolli si ministër i Jashtëm.

Gjithashtu, Thaçi ka treguar se shpreson që të ketë një bisedë edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të koordinohen për takimin e Berlinit, duke konfirmuar se Kosova do të ketë një qëndrim të vetëm dhe unik në këtë takim.

I pyetur për dallimet e tij në politikë me kryeministrin Haradinaj, sidomos për taksën dhe korrigjimin e kufijve presidenti Thaçi në TV21 tha se nuk ka qenë kundër taksës asnjëherë.

“Unë e kam mbështetur edhe Hoxhajn kur e ka propozuar taksën 10 për qind, edhe Veselin kur e ka propozuar që kjo taksë të shkojë në 100 për qind dhe e respektoj edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Ndërsa është shprehur kundër ndryshimit të kufijve dhe kundër korrigjimit të kufijve.

“Jam kundër ndryshimit të kufijve dhe kundër korrigjimit. Unë jam për hapje të kufijve dhe integrim të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Kosovë. Do ta potencoj edhe në takimin e Berlinit të drejtën e Luginës për bashkim me Kosovën”, tha presidenti Thaçi.

Thaçi gjithashtu është shprehur se askush nuk është kundër kësaj ideje dhe se është konsultuar me të gjithë ata që duhet të konsultohet, duke shtuar se askush nuk mund t’ia mohoj këtë të drejtë – të kërkojë bashkimin e Luginës me Kosovën duke e quajtur si “korrigjim i padrejtësive”.

I pyetur për nismën e Veselit për adresim të krimeve të luftës të Serbisë në Kosovë, Thaçi ka shprehur mbështetje të plotë ndaj Veselit.

“E kam mbështetur nismën e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli për gjykatën e veçantë për krimet e Serbisë në Kosovë e që nuk ka ndodhur ndëshkim në asnjë instancë lokale as ndërkombëtare”, tha Thaçi.

Lidhur me Samitin e Berlinit për Ballkanin, që do të mbahet me 29 prill, presidenti Thaçi deklaroi se angazhimi i unifikuar gjermano-francez është një gjë e mirë.

Presidenti deklaroi se aty do të marrin pjesë liderë të gjithë rajonit, mirëpo ai nuk pret ndonjë proces të ri, megjithatë pret të diskutojnë mundësi të reja.

Ai deklaroi se do të përshëndetet modeli i arritjes së marrëveshjes mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë për çështjen e emrit si mundësi për të ardhmen euro-atlantike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat