Krasniqi: Le të na bashkohet LDK-ja, për 6 muaj e rrëzojmë Haradinajn

Aktuale

Krasniqi: Le të na bashkohet LDK-ja, për 6 muaj e rrëzojmë Haradinajn

Më: 27 prill 2019 Në ora: 00:06
Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, ka thënë se strategjia e LDK-së dhe e Vetëvendosjes për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj është e dështuar. Në Interaktiv të KTV-së, i ka bërë ftesë të hapur LDK-së që t’i bashkohet PSD-së, e ka thënë se në atë rast do t’i duheshin vetëm 6 muaj për ta rrëzuar këtë qeveri.

Ka ironizuar sërish me protestën e ish-partisë së tij, që ka thënë se nuk arriti të mobilizojë as 1 mijë qytetarë.

“Më vjen keq se në çfarë gjendje ka ardh edhe protesta, edhe Vetëvendosja edhe opozita ku jemi edhe ne. Nga protesta me qindra mijëra njerëz, në një protestë me qindra njerëz”, ka thënë Krasniqi, teksa ka shtuar se kjo i ka dy anë të medaljes.

“Në njërën anë kjo është keq për instrumentin e protestës, por në anën tjetër është mirë që qytetari po e kupton se protesta nuk mund të bëhen për protagonizëm për vete. Sot u dëshmua që Vetëvendosje nuk di dhe nuk mundet të mobilizojë njerëz”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se LDK-ja do të bënte mirë që të ulej në një tryezë me PSD-në dhe bashkë ta bëjnë një strategji se të rrëzohet Qeveria Haradinaj.

“Kjo po tregon se kjo strategji, e LDK-së dhe VV-së, nuk po sjell sukses. Unë zotohem se nëse na bashkohet LDK-ja, nëse është e gatshme që të vjen LDK-ja dhe të ulemi për të hartuar një strategji brenda gjashtë muajsh e rrëzojmë këtë qeveri. Sepse ne kemi njerëzit, dijen dhe guximin për ta bërë këtë punë”, ka thënë Krasniqi. “Le të na testojnë. Nëse për 6 muaj nuk e rrëzojmë qeverinë, le të na thonë dështakë, e çkado tjetër, e ne po e lëmë politikën”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat