AAC: KFOR-i s`lejon hapjen e korridorit ajror Kosovë-Shqipëri - Bota Sot
AAC: KFOR-i s`lejon hapjen e korridorit ajror Kosovë-Shqipëri

Aktuale

AAC: KFOR-i s`lejon hapjen e korridorit ajror Kosovë-Shqipëri

Më: 27 prill 2019 Në ora: 13:30
Aeroporti i Prishtinës

Republika e Kosovës ende nuk po arrin ta normalizojë hapësirën e ulët për hapjen e korridoreve të reja ajrore me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Hapja e korridoreve të reja ajrore nënkupton shkurtimin e kohës së fluturimeve dhe në uljen e çmimit të biletave për qytetarët. Mirëpo për të arritur normalizimin e hapësirës së ulët ajrore dhe kontrollin e hapësirës së lartë ajrore, drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil, thonë se nevojitet një vullnet politik me faktorin ndërkombëtar, respektivisht me NATO-n dhe KFOR-in.

Drejtori i përgjithshëm në Autoritetin e Aviacionit Civil(AAC), Eset Berisha në një intervistë për KosovaPress, thotë se Kosova dhe Shqipëria kanë identifikuar korridoret e reja ajrore dhe kanë bërë të gjitha përgatitjet teknike, ndërsa me Malin e Zi dhe Serbinë nuk ka gatishmëri nga këto dy shtete.  

Berisha: Vendimi për normalizim është në dorën e Këshillit të NATO-s

“Për hapësirën ulët ajrore është çështje politike dhe teknike. Sa i përket çështjes teknike, ASHNA i plotëson të gjitha kushtet, mirëpo e natyrës politike do të thotë është se duhet të merret një vendim nga Këshilli i NATO-s për bartjen e përgjegjësive te autoritetet kosovare... Për arsye se nuk është normalizuar hapësira e ulët ajrore e Kosovës, funksionojnë vetëm dy korridore  me Republikën e Maqedonisë së Veriut të cilat janë hapur në vitin 1999”, thotë Berisha.

Kreu i AAC-së thotë se si rezultat i gjithë kësaj problematike, siguria kombëtare e Kosovës nuk është në nivelin e duhur deri në normalizimin e hapësirës së ulët ajrore dhe marrjen e kontrollit të hapësirës së lartë ajrore nga autoritetet e Kosovës.

Berisha: Siguria kombëtare e Kosovës nuk është në nivelin e duhur

“Hapësira ajrore, përveç aspekteve ekonomike e ka edhe aspektin e sigurisë, për arsye se duhet të kontrollohet, të menaxhohet dhe të dihet se kush po qarkullon mbi hapësirën ajrore të atij vendi. Me këto menaxhime të cilat për momentin janë në Republikën e Kosovës, në hapësirën e lartë ajrore të menaxhuar nga “Hungarokontrolli” dhe e ulëta që është e mbyllur, ne nuk mund të themi se siguria shtetërore është në nivel të duhur sa i përket kontrollimit të hapësirës ajrore”, thotë Berisha. 

Sipas tij, kompania nga Hungaria “Hungarokontrolli, të cilës i ka skaduar kontrata pesë vjeçare në këtë muaj, vetëm në vitin e kaluar ka arritur të inkasoj 7 milionë nga 160 mijë mbikalime që kanë ndodhur mbi hapësirën ajrore të Kosovës. 

Berisha: “Hungarokontrolli” vetëm për vitin e kaluar përfitoj 7 milionë euro

“Në vitin e kaluar sipas shifrave zyrtare të “Hungarokontrolli” rreth 160 mijë mbikalime janë realizuar në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës. Përkthyer në mjete ,rreth 7 milionë euro është shuma e përgjithshme. Por kjo ka një tendencë të rritjes së vazhdueshme për arsye se në muajin shkurt të këtij viti ka pasur ngritje 45 përqind, dhe nëse ky trend vazhdon, deri në fund të vitit ky numër do të tejkalon në mbi 200 mijë mbikalime mbi hapësirën ajrore të Kosovës”, thotë ai.

Hapësira e lartë ajrore në Kosovë ishte hapur për herë të parë pas luftës në vitin 2014, dhe që nga ajo kohë kontrollin e hapësirës së lartë ajrore në Kosovë është duke e bërë kompania hungareze “Hungarokontrolli”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...