Thaçi e Haradinaj nesër në Berlin, shkojnë pa një qëndrim të dakorduar institucional

Aktuale

Thaçi e Haradinaj nesër në Berlin, shkojnë pa një qëndrim të dakorduar institucional

Më: 28 prill 2019 Në ora: 14:10
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, foto ilustrim nga "Bota sot"

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj nesër do të marrin pjesë në samitin e Berlinit, ndërkohë deri tani nuk është thënë se janë kordinuar për të folur me një gjuhë në këtë samit.

Samiti është thirrur nga dy liderët evropian, kancelarja Angela Merkel e presidenti francez Emmanuel Macron. Krerët e shtetit kanë dallime në çështjet siç është dialogu me Serbinë dhe taksa 100 përqind e vendosur për produkteve që importohen nga Serbia.

Njohësit e zhvillimeve thonë se mosdakordimi institucional mund të dëmtojë pozicionin e Kosovës në raport me pjesëmarrësit e këtij takimi dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ditë më parë ka thënë se shpreson që nuk do të ketë shpërputhje me presidentin Thaçi.

Haradinaj: Nuk kam qëndrime tjera, ne i kemi ato të vazhdueshme që i kemi paraqitur

“Është një takim multilateral, pra nuk është vetëm bilateral ta zëmë ku ne ishim ulë para një pale, por është multilateral, pra edhe pjesa e parë edhe pjesa e dytë. Mendoj që qëndrimet që i ka mbajtur Qeveria e vendit në vazhdimësi janë qëndrime të Kosovës, nuk janë vetëm të kryetarit të Qeverisë, janë të Kosovës. Kam pasur shpresë që nuk do të kemi shpërputhje me presidentin, pra shpresoj që nuk do të kemi shpërputhje, por nuk ka ndonjë ndryshim në ato qëndrime që Qeveria e vendit i ka mbajtur në vazhdimësi. Kuptohet ne do ta kemi kohën për të biseduar bashkë me presidentin para ngjarjeve dhe me siguri që do të harmonizojmë, por unë nuk kam qëndrime tjera, ne i kemi ato të vazhdueshme që i kemi paraqitur dhe vlejnë”, ka thënë Haradinaj.

Pjesëmarrja në këtë samit e presidentit dhe kryeministrit pa një qëndrim të dakorduar institucional, sipas Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK, e dobëson pozicionin e Kosovës. Ai thotë se Kosova duhet të ketë një qëndrim që e afirmon deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Kryeziu: Kosova duhet të ketë një qëndrim dhe qëndrim i cili është i qartë dhe i prerë

“Pa diskutim që është e dëmshme, e dobëson pozicionin tonë negociues. Kosova duhet të ketë një qëndrim dhe qëndrim i cili është i qartë dhe i prerë, i cili afirmon deklaratën e pavarësisë së Kosovës, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka vulosur shtetësinë tonë në këtë kufij, në këta kufij ne kemi marrë njohje më shumë se 100 shtete. Prandaj, çdo kush që flet jashtë deklaratës së pavarësisë, jashtë vendimit të GjND-së nuk i bënë mirë të ardhmes së Kosovës dhe pak a shumë nuk e mundëson zhvillimin e saj, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të këtij shteti të ri”, ka deklaruar ai.

Kryeziu ka potencuar se nga ky samit pret që të vendosen parime të reja negociuese sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa ka thënë se nuk beson që mund të arrihet një marrëveshje mes dy shteteve në kuadër të këtij takimi.

Kryeziu: Pres që Samiti i Berlinit të vendos parime të reja negociuese sa i përket dialogut Kosovë-Serb

“Unë pres që Samiti i Berlinit të vendos parime të reja negociuese sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Është shumë më rëndësi që ky samit po zhvillohet në Berlin, ne e dimë që Gjermania është fuqia kryesore brenda Bashkimit Evropian dhe vendi i cili po kërkon zgjidhje të raporteve Kosovë-Serbi brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra duke mos prekur kufijtë ekzistues. Gjermania është fuqia kryesore edhe në procesin integrues e cila ia ka bërë të qartë edhe Serbisë se anëtarësimi i saj në BE do të jetë i mundshëm vetëm nëse e njeh Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur. Këtë pak a shumë e ka stimuluar edhe në kapitullin 35 në kuadër të negociatave që po i zhvillon Serbia. Prandaj, ajo çka pres unë, pres një riqartësim, një ripozicionim dhe parime të reja negociuese me anë të të cilës përjashtohet çdo mundësi që territori i Republikës së Kosovës të jetë objekt diskutimi në kuadër të negociatave q ë po zhvillohen me Serbinë”, është shprehur ai.

Në anën tjetër edhe Perparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, është shprehur se shkuarja në këtë samit e krerëve të shtetit pa dakordim të qëndrimeve e dobëson pozicionin e Kosovës.

Kryeziu: Është e dëmshme kur liderët nuk kanë një përafrim të qëndrimeve

“Është gjithmonë e dëmshme kur liderët e institucioneve kryesore nuk kanë një përafrim të qëndrimeve, e sidomos këto dallime në mes të qëndrimeve shprehen në takime që kanë karakter ndërkombëtarë. Mirëpo, unë uroj që kryeministri i vendit dhe presidenti do ta kenë një kordinim sado pak në mes vetës sa herë që ata takohen me liderët kryesor edhe të rajonit, po edhe të Gjermanisë dhe Francës gjatë këtij takimi...Ne konsiderojmë që nuk ka asnjë indikacion të fortë dhe të besueshëm që një marrëveshje e tillë mund të arrihet në këtë ngjarje. Përpos kësaj, po ashtu konsiderojmë që arritja e një marrëveshje është një proces në radhë të parë dhe asnjëherë një vendim arbitrarë i cilësdo palë të përfshirë në këtë proces, kështu që para se të mendohet se mund të arrihet një marrëveshje në këtë ngjarje, konsiderojmë që e rëndësishme është që të bëhet theksi se qëllimi i kësaj ngjarje ësh të krijimi i parakushteve dhe i kornizave se si do të duhej të zhvillohet dialogu”, ka potencuar ai.

Sa i përket asaj se çka mund të pritet nga ky samit, Kryeziu thotë se mund të konfirmohet edhe një herë kundërshtimi ndaj idesë për ripërcaktimin e kufijve të Kosovës.

Kryeziu: Samiti i Berlinit ndër të tjerash ka tri qëllime kryesore

Ne konsiderojmë që në raport me Kosovën Samiti i Berlinit ndër të tjerash ka tri qëllime kryesore. E para ka riafirmimin e rolit të Gjermanisë dhe Francës në procesin e dialogut dhe një far lloj pronësimi  të këtyre dy vendeve mbi dialogun. E dyta është shprehja edhe një herë dhe konfirmimi edhe një herë i kundërshtimit ndaj idesë për ripërcaktimin e kufijve, qëndrim ky të cilin e ka pasur të qartë Gjermania prej kur kjo ide është vënë në pah. Së treti, konsiderojmë që është krijimi i parakushteve dhe kornizave brenda së cilës do të duhej të zhvillohet dialogu Kosovë-Serbi”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) u ka dërguar një letër të hapur presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, ku thuhet se pjesëmarrja e tyre në takimin e Berlinit pa një qëndrim të dakorduar institucional mund të dëmtojë pozicionin e Republikës së Kosovës në raport me pjesëmarrësit e këtij takimi në veçanti, dhe në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi.

“Duke ju përcjellë shqetësimin tonë lidhur me mungesën e një pozicioni të dakorduar institucional për çështjet që do të diskutohen në këtë takim, ne vlerësojmë që Kosova rrezikon të paraqitet si shtet jo serioz dhe pa vizion të qartë për rrugëtimin e mëtutjeshëm drejt integrimit evropian, ku normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë përbën një element kyç të këtij procesi...KDI, përmes kësaj letre të hapur publike, ju bën thirrje që si përfaqësuesit më të lartë të shtetit, në këtë Samit të prezantoni shtetin e Kosovës me një zë unik sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe çështjeve që ndërlidhen me këtë proces ”, thuhet në letrën e KDI-së.

Sipas KDI-së një qasje e koordinuar institucionale që reflekton edhe vullnetin qytetar, do të ndikonte direkt në forcimin e pozitës negociuese të Kosovës në raport me Serbinë, si dhe do të përçonte mesazh të qartë tek shtetet anëtare të Bashkimit Evropian se Kosova është duke trajtuar me përgjegjësi të gjitha obligimet ndërkombëtare.

Ndërkohë sot Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se këto ditë ka vazhduar konsultat e fundit me partnerët ndërkombëtarë për konferencën e nesërme në Berlin, të ftuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron.

Sipas tij, në takim theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor.

“E mirëpres rritjen e angazhimit të Gjermanisë dhe Francës rreth Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, si dhe Kosovës në veçanti. Në këtë takim do të vlerësohet progresi substancial i deritashëm. Takimi i Berlinit nuk do të sjellë një proces të ri, por do të kërkohen mundësi për zgjidhjen e problemeve, duke marrë shembull marrëveshjen e suksesshme ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë. Po ashtu, pres nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të tregojnë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si respektim i kontratës ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe e meriton lëvizjen e lirë si të gjithë qytetarët tjerë të rajonit dhe kontinentit. Nëse diçka e tillë nuk ndodh, takimi i Berlinit do të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës ka shkruar presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se në këtë takim do të kërkoj edhe dënimin e gjenocidit të shtetit të Serbisë në Kosovë, në vitet 1998-1999.

“Ne do të fokusohemi edhe në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe në forcimin e rendit dhe ligjit, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të konfirmojmë edhe përkushtimin tonë për të vazhduar - pa kompromis - luftën kundër radikalizmit, terrorizmit dhe çdo lloj ekstremizmi”, ka shkruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat