Thaçi: Nuk ka shkëmbime territoresh e as sovranitet të dyfishtë

Aktuale

Thaçi: Nuk ka shkëmbime territoresh e as sovranitet të dyfishtë

Nga: A.ZH Më: 28 prill 2019 Në ora: 15:56

(E plotësuar) - Presidenti Hashim Thaçi është zotuar se Kosova është e gatshme për vazhdimin e dialogut me Serbinë, po ka paralajmëruar serish se nuk do të lejojë shkëmbim territoresh, duke thënë se është e drejtë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që t’i bashkohen Kosovës.

Në një konferencë për media para nisjes për në Berlin, shefi i shtetit ka vlerësuar se samiti në kryeqytetin gjerman do të jetë një mundësi e mirë për hapjen e perspektivës për gjithë rajonin.

Thaçi: Në Berlin shkojmë me qëndrime të qarta

“Ky takim do të jetë një mundësi e mirë që të hapen perspektivat më të shpejta për të ardhmen evropiane të rajonit. Shteti i Kosovës shkon me qëndrime shumë të qarta, ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Prandaj, besojmë dhe shpresojmë  që edhe kancelarja Merkel edhe presidenti Macron do të jenë të qartë në mbështetje për Kosovën sa i përket liberalizimin të vizave, përndryshe do të jetë një zhgënjim i madh i qytetarëve të Kosovës për këtë padrejtësi dhe ndëshkim që mund t’i ndodhë qytetarëve të vendit edhe nga ky samit”, tha ai.

Thaçi u shpreh i bindur se në asnjë rrethanë nuk do të lejohet një dialog i kushtëzuar nga pala serbe, megjithatë tha se pret që kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron ta bindin shtetin serb për njohjen e Kosovës.

Thaçi: Kosova e gatshme për vazhdimin e dialogut

“Theksoj se edhe sa i përket mundësisë së vazhdimit të dialogut Kosova është shumë e qartë, është  e gatshme të vazhdoj dialogun me Serbinë, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Një marrëveshje që hap perspektivë të sigurt për fqinjësi të mirë dhe njohje reciproke. Por, në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë dialog të kushtëzuar nga Serbia. Pres që gjithashtu të dënohet gjenocidi i Serbisë i kryer në Kosovë edhe nga organizatorët e këtij takimi, nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, por edhe me prezencën me gjasë të Juncker dhe zonjës Mogherini dhe gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor, kur dihet se ne nga dita në ditë marrim pjesë në ceremoni të ndryshme, pushteti i Serbisë ka kryer gjenocid në Kosovë, prandaj ne në Berlin do të kemi përballë një Serbi  gjenocidale që ka kryer gjenocid në shtetin e Kosovës”, tha Thaçi.

Shefi i shtetit tha se në këtë takim nuk pret të ketë dialog e as negociata me palën serbe.

Thaçi: Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë sovranitet të dyfishtë

 “Nuk pres se aty do të ndodhë dialog mes Kosovës dhe Serbisë apo negociata, por në të njëjtën kohë unë vazhdoj të ritheksoj fuqishëm pozicionin tim se do të ishte me interes mbështetja e së drejtës së shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit për bashkëngjitje me territorin e Republikës së Kosovës. Ky do të ishte një korrigjim i padrejtësive historike, por gjithmonë, do të jem shumë kundër shkëmbimit të territoreve, sepse është çështje e pazareve dhe ne të gjithë e dimë dhe nuk do të lejojmë që askush të përdorë. Por, nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë dhe ri-konfirmoj edhe këtu, ndonjë sovranitet të dyfishtë, as ndonjë model gjermano-gjerman, as ndonjë model Republika Serbe që mund të ketë dikush ndonjë ide në mendje për të hedhur aty, apo asnjë lloj asociacioni”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi tha se pret nga Macron dhe Merkel  që të kërkojnë nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq  njohjen e Kosovës në këtë takim, e po ashtu njohje  nga pesë shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.

Të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen bashkë të hënën në Berlin, me ftesë të kancelares Angela Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron.

Merkel dhe Macron do të dëgjojnë nga udhëheqësit e Ballkanit këndvështrimet e tyre dhe propozimet sesi mund të avancojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ndryshe, për këtë samit ka pasur komente të ndryshme në mediat gjermane dhe austriake, nga ku raportohej për një plan të dyshes Merkel-Macron lidhur me çështjen e kufijve Kosovë-Serbi. Vlen për t’u parë nëse në tavolinën e këtij samiti do të hidhet për diskutim një plan konkret apo jo.

Thaçi para nisjes në Berlin: Nuk do të lejojmë sovranitet të dyfishtë në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar sot se samiti i Berlinit do të jetë një mundësi e mirë për hapjen e perspektivës për gjithë rajonin, ndërsa pret që kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron ta bindin shtetin serb për njohjen e Kosovës.

Para nisjes për në Samitin e Berlinit, presidenti Thaçi në një konferencë për media ka thënë se Kosova shkon me qëndrime të qarta në këtë samit, ku edhe një herë ka përsëritur që Kosova është gatshme për vazhdimin e dialogut.

"Nesër mbahet takimi i Berlinit kushtuar zhvillimeve aktuale në Kosovë në veçanti, do të jetë një mundësi e mirë që të hapen perspektiva të mira për rajonin. Kosova shkon me qëndrime të qarta, pasi ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Kosova është e qartë që të vazhdoj dialogun, një marrëveshje që hap mundësi për dialog, por në asnjë mënyrë kushtëzim. Pres që të dënohet gjenocidi, nga iniciatorët e këtij takimi. Gjithashtu potencoj që pozicioni jonë është kushtetues dhe ligjor. Nuk pres që do të ndodhë dialog apo negociata, por unë vazhdoj të theksoj pozicionin tim se do të ishte mbështetja për bashkëngjitje të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Nuk do të lejojmë asnjë lloj sovranitet të dyfishtë, as ndonjë model gjerman-gjermano apo asnjë lloj asociacioni", tha ai.

Ai tha se pret nga kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron ta bindin shtetin serb për njohje të Kosovës.

***

Presidenti i vendit Hashim Thaçi do të udhëtojë sot për në Berlin, për të marrë pjesë në Samitin e Berlinit, që mbahet nesër.

Ai para nisjes, do të mbajë një konferencë për media në orën 16:30 në aeroportin “Adem Jashari”

“Në orën 16:30, para nisjes për në Samitin e Berlinit, presidenti Thaçi do të mbajë konferencë për media”, thuhet në njoftimin e Presidencës./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat