Thaçi për DPA: Dialogu të vazhdojë pa kushte, Serbia ta njohë Kosovën

Aktuale

Thaçi për DPA: Dialogu të vazhdojë pa kushte, Serbia ta njohë Kosovën

Më: 28 prill 2019 Në ora: 16:16
Hashim Thaçi, Federica Mogherini, Aleksandar Vuçiq

Agjencia e Lajmeve Gjermane (DPA), ka zhvilluar një intervistë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të takimit të përfaqësuesve të shteteve të Ballkanit Perëndimor me kancelaren gjermane, Angela Merkel, si dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.

Në këtë intervistë, Thaçi ka thënë se në takimin e nesërm, Serbisë duhet t’i kërkohet që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Serbia duhet të njohë shtetin e Kosovës, pa asnjë kusht”, ka shtuar ai.

Sipas DPA, Thaçi do të kërkojë nga Merkel dhe Macron, si iniciatorë të samitit në Berlin, që t’i kërkojnë qartë presidentit Vuçiq, njohjen e Kosovës.

Agjencia Gjermane e Lajmeve shkruan se në këtë samit pritet të marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor, ku synohet që të ketë një dinamikë të re në dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas DPA, Serbia kishte bojkotuar dialogun, pas vendosjes së tarifës për mallrat serbe nga Qeveria e Kosovës.

Presidenti Thaçi, sipas kësaj agjencie, thotë se është i gatshëm të vazhdojë dialogun, mirëpo pa kushte.

“Dialogu nuk duhet të kushtëzohet”, ka thënë ai, duke iu referuar kushtëzimeve që po bën Beogradi, për tu kthyer në tavolinën e bisedimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat