Abazi flet për Samitin e Berlinit dhe Thaçin që urdhëroi vrasjen e shqiptarëve

Aktuale

Abazi flet për Samitin e Berlinit dhe Thaçin që urdhëroi vrasjen e shqiptarëve

Nga: N.Sh Më: 29 prill 2019 Në ora: 11:43
Hashim Thaçi

Samiti i Berlinit duhet t’i jap fund çdo gjëje për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe bandën e tij, thotë Haki Abazi përmes një shkrimi në Facebook.

Abazi, thotë se, është bërë e qartë se në dialogun me Beogradin nuk flitej më për interesat por për pazarin e Thaçit dhe amnistinë e tij dhe kriminelëve serb.

Sipas tij, ndarja e Kosovës ka qenë dhurata që ka dashur Thaçi të ia bëjë presidentit serb.

“Thaçi nuk ka dashur që Amerikanët dhe Gjermanët të marrin vesh për dakordimin me Vuçiqin dhe shkëmbimin e dhuratave duke luajtur me tokën e Kosovës dhe duke bërë hajgare me Luginën e Preshevës”, shkruan Abazi në letrën e tij.

Abazi tutje ka folur edhe për formimin e Gjykatës Speciale e cila është bërë nga Thaçi.

“Sot Thaçi dhe njerëzit e tij duhet dhënë përgjigje për të gjitha vrasjet pas shpine, përfshi edhe Ahmet Krasniqin, Sali Çekaj, Agim Ramadanin, Smajl Hajdaraj, Tahir Zemën... njerëzit e luftës. Deklaratat plot urrejtje të Nasim Haradinaj dhe urrejtja e Thaçit ndaj Anton Çunit së fundmi tregojnë se këta me shumë kanë urryer Shqiptarët sesa që kanë urryer bandat e Millosheviçit”, pohon tutje ai.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, tutje shprehet se, Thaçi me bandën e tij, siç e quan ai, nuk e kanë thënë asnjë fjalë të vetme për vëllezërit Bytyçi për batalionin e Atlantikut.

“Ky njeri i komunikatës 59 që ka dhënë urdhra me vra shqiptarë, që ka bërë lista dhe që ka urdhëruar ndalimin e varrimit të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova”.

“Me libra të rrejshëm ka dashur të shkruajë historinë, por historia nuk është me shkencë e falsifikimit të fakteve, sot ka hapje dhe ka njerëz që lexojnë e shkruajnë”, shkruan ndër tjera Abazi.

Ja postimi i potë:

Në Berlin- duhet te merr fund gjithçka për Thaçin dhe bandën e tij

Sot, kur është bërë e qartë që në dialogun me Beogradin nuk flitej për interesat e Kosovës por pazarin e amnistisë së Thaçit dhe klanit të tij, është poashtu e qartë që ndarja e Kosovës ka qenë dhurata që ka dashur Thaçi t’i bëjë Vuçiqit jo për njohjen por për amnistinë e Thaçit dhe kriminelëve Serb. Serbia asnjëherë dhe në asnjë moment nuk ka thënë se do t’a konsiderojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, Serbia ka kërkuar tokë që të përfundojë me asociacionin me kompetenca ekzekutive në Kosovë, dhe të krijoj situatën për ndarjen e Republika Srpska.

Klani i Thaçit dhe mashtrimi i Edita Tahirit kanë bërë që dialogu të jetë farsa më e madhe në historinë e Kosovës. Nëse është punuar me dekada për të vendosur Kosovën në hartën e çështjeve Evropiane dhe që ndërmjetësuesit ndërkombëtarë Amerikan dhe Evropian të jenë garantues të marrëveshjeve, Thaçi i ka tradhtuar të gjithë duke e bërë një dialog shterpë në Bruksel, me një lehtësim të Mogherinit që nuk ka asnjë forcë për të garantuar asnjë marrëveshje. E gjithë kjo nuk është bërë pa qëllim, Thaçi nuk ka dashur që Amerikanët dhe Gjermanët të marrin vesh për dakordimin me Vuçiqin dhe shkëmbimin e dhuratave duke luajtur me tokën e Kosovës dhe duke bërë hajgare me Luginën e Preshevës.

Thaçi e ka pranuar gjykatën speciale vet dhe ka thënë qe do ta padis Dick Martyn për akuzat. E ka pranuar gjykatën por nuk ka paditur Dick Martyn. Ndoshta Dick Marty ka të drejtë që Thaçi që atëherë ka qenë një udhëheqës i grupeve kriminale që ka mashtruar popullin e Kosovës ashtu siç është duke mashtruar edhe sot. Ndoshta edhe Dick Marty nuk ka mundur të besoj që Shqiptarët kanë vrarë Shqiptarë pas shpine, dhe i kanë urrejtur Shqiptarët që kanë qenë njerëz të qeverisë së Kosovës dhe përkrahës të Presidentit Rugova. Ndoshta Dick Marty ka përdorur momentin për të ngritur çështjen e krimeve Serbe sepse çmimi për jetën e Shqiptarit ka qenë i parëndësishëm në atë kohë. Nëse Shqiptarët janë vrarë janë konsideruar material për Pavarësi.

Sot Thaçi dhe njerëzit e tij duhet dhënë përgjigje për të gjitha vrasjet pas shpine, përfshi edhe Ahmet Krasniqin, Sali Çekaj, Agim Ramadanin, Smajl Hajdaraj, Tahir Zemën... njerëzit e luftës. Deklaratat plot urrejtje të Nasim Haradinaj dhe urrejtja e Thaçit ndaj Anton Çunit së fundmi tregojnë se këta me shumë kanë urryer Shqiptarët sesa që kanë urryer bandat e Millosheviçit. Këta në mënyrë perfide kanë infiltruar njerëz nëpër vende ku është treguar sukses për të eliminuar dhe për të marrë kontrollin apo dëmtuar njerëzit, qoftë në luftë apo në politikë.

Aty ku nuk kanë mundur të shkojnë vetë apo nuk kanë pasë mundësi, kanë dërguar individ si gazetarë të huaj, që në fakt kanë qenë spiun si në rastin e anës së Rugovës ku ka komanduar Smajl Hjadaraj. Ai ka refuzuar pranimin e dy gazetarëve( lexo: spiun) francezë të cilët ishin dërguar nga shtabi I përgjithshëm që kinse te intervistonin njerëz. Disa ditë pas largimit të tyre Serbët kanë sulmuar me të gjitha forcat në drejtim të lokacioneve ushtarake dhe civileve në Rugove të Pejës.

Thaçi dhe banda e tij nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme për vëllezërit Bytyçi, për batalionin e Atlantikut, ai ka qenë njeriu që ka përvetësuar luftën dhe sakrificën e familjes Jashari. Ai me se paku beri luftën e me shume beri tradhtinë ndaj luftës.

Me libra të rrejshëm ka dashur të shkruajë historinë, por historia nuk është me shkencë e falsifikimit të fakteve, sot ka hapje dhe ka njerëz që lexojnë e shkruajnë.

Njeriu që me bandën e tij ka mbyllur secilën derë në botën perëndimore dhe ka rrezikuar dhe po rrezikon shtetin me sjelljen e tij të një delikuenti politik. Ai po refuzon të flasë për kidnapimin e qytetarëve turq por për urdhrat e tij, janë të njoftuar të gjithë edhe Amerikanët edhe Evropianët. Ky njeri i komunikatës 59 që ka dhënë urdhra me vra shqiptarë, që ka bërë lista dhe që ka urdhëruar ndalimin e varrimit të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.

Ky njeri që ka ngritur një sistem me vazalë e lëpirës, qe i subordinohen në agjendën e tij të pasurimt të klaneve dhe varfërimin e qytetarëve, ky që asnjë fjalë nuk foli për qindra mijëra të rinjë që po e lëshojnë Kosovën derisa ai është dehur me verërat e shtrenjta të paguara me paranë e taksapagueseve. Kjo është që më shumë është kujdesur të ruaj paranë e vëllezërve Kariq të Kosovës, sesa pasurinë e vendit dhe qytetarëve.

Për shkak te njerëzve si ky, historikisht territori është tkurrur dhe Shqiptaret kane mbetur hamamxhinjtë e njerëz te dyerve e strehëve te Turqisë dhe Evropës.

Nuk ka tjetër çfarë të ndodhë, ky njeri, kjo bandë, ky sistem që e ka kapur shtetin duhet të shkoj, jo vetëm për hirë të së ardhmes së shtetit e kombit tonë, por për hirë të drejtësisë dhe jetërave që janë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat