Profesori nga Parisi: Berlini e di këtë të vërtetë për pasagjerët e “Air Pacolli”

Aktuale

Profesori nga Parisi: Berlini e di këtë të vërtetë për pasagjerët e “Air Pacolli”

Nga: A.Zh Më: 29 prill 2019 Në ora: 14:29
Pjesëmarrësit në Samitin e Berlinit

Ligjëruesi i politikave të BE-së në Paris Nezir Kraki, ka thënë se shqiptarët sot po përfaqësohen në Samitin e Berlinit nga ajka e injorancës dhe e banditizmit në politikë.

Ai ka kritikuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke thënë se ata janë në anën e strategjisë serbe për shpërfytyrimin e jashtëm të Kosovës dhe invalidimin e saj të brendshëm.

Nga paria të cilën e ka quajtur të “gërditshme” në Berlin, Kraki ka veçuar për kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili sipas tij, po vazhdon t’i rezistojë dyshes Thaçi-Rama për pazarin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, përcjell Bota sot.

Ai ka thënë se Berlini e di që pasagjerët e 'AirPacolli' nuk kanë strategji dhe synim për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje në favor të popujve tanë.

Ligjëruesi ka theksuar se aletët e Kosovës sot do të jenë në hall me Thaçin e Ramën dhe Haradinajn.

“Merreni me mend një sekondë se si duhet të ndihen Merkel dhe Macron kur ta konstatojnë sot se Thaçi, Rama e Vuçiqi janë në një vijë ndërsa R. Haradinaj në një vijë tjetër. Merkel dhe Macron tash duhet të ballafaqohen edhe me Mogherinin dhe funksionarët tjerë të sklerozuar të Brukselit të cilët kanë 20 vite që s’e kuptojnë Kosovën”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë i Krakit:

Samiti i Berlinit, shpërfaqje e çoroditjes sonë

Fatkeqësisht, sot në Berlin shqiptarët përfaqësohen nga ajka e injorancës dhe e banditizmit në politikë. Thaçi dhe Rama janë në anën e strategjisë serbe për shpërfytyrimin e jashtëm të Kosovës dhe invalidimin e saj të brendshëm, derisa argatët e tyre janë aty veç për foto, për bartje të çantave dhe për komplimente të stilit "bravo shef, shumë mirë ke folë".

Nga paria jonë e gërditshme në Berlin duhet të veçohet kryeministri i Kosovës i cili, edhe pse me një dreq e gjysmë gabime n'Prishtinë, vazhdon t'i rezistojë dyshes Thaçi-Rama dhe ta pengojë me aq sa mundet pazarin e tyre me vëllain tashmë paqësor Vuçiq.

Berlini e di që pasagjerët e 'AirPacolli' nuk kanë as strategji as synim për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje në favor të popujve tanë. Berlini e Parisi e dinë mirë që Shqipëria nuk po bëhet nga politika-krim dhe bandat me kravata që orbitojnë rreth Edi Ramës. Berlini e Parisi e dinë fort mirë poashtu që Thaçi ynë të vetmin hall e ka faktorizimin e tij personal dhe evitimin e qelisë.

Në këtë konfiguaracion, aleatët tanë janë në hall se si ta bindin Thaçin që Kosova është çështje e kryer dhe si ta bindin Ramën që të merret me sigurinë e Rinasit dhe të qëndrojë larg ideve megalo-erdoganiste të puhstetit me përjetësi.

Merreni me mend një sekondë se si duhet të ndihen Merkel dhe Macron kur ta konstatojnë sot se Thaçi, Rama e Vuçiqi janë në një vijë ndërsa R. Haradinaj në një vijë tjetër. Merkel dhe Macron tash duhet të ballafaqohen edhe me Mogherinin dhe funksionarët tjerë të sklerozuar të Brukselit të cilët kanë 20 vite që s’e kuptojnë Kosovën.

Fati ynë është se Gjermania e Franca e dinë shumë mirë kush janë këta pazarxhinj të kapur nga bandat dhe të prekur nga virusi i « figurës historike ».

Le të dihet e të thuhet se Kosova sot në Samitin e Berlinit ka më shumë armiq se miq dhe armiqtë më të fortë të saj janë shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat