Hashim Thaçi: Takimi ishte i rëndë, flet edhe për taksën

Aktuale

Hashim Thaçi: Takimi ishte i rëndë, flet edhe për taksën

Më: 29 prill 2019 Në ora: 17:58
Hashim Thaçi

(E plotësur) - President i Kosovës Hashim Thaçi, ka folur për media pas Samitit të Berlinit.

Ai deklaroi se taksa do të qëndrojë pasi është vullneti i shtetit të Kosovës.

“Atë që mund të themi është që vendimi i taksës ka qenë legjitim. Ai është propozuar nga Enver Hoxha dhe është vënë në funksion nga kryeparlamentari Kadri Veseli.”

Gjithashtu Thaçi shtoi se taksa nuk do ndikojë në dialogun me Serbinë.

“nuk do të ketë dialog të kushtëzuar. Ne vendosim vetë për sovranitetin tonë. Serbia dhe askush tjetër nuk do të ndërhyjë në vendimet tona.”,shtoi Thaqi.

Poashtu, Thaqi tha që gjatë takimit ka biseduar me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emmanuel Macron që të bindin Serbinë për të njohur Kosovën.

Me 1 korrik, Kosova dhe Serbia ftohen në Paris

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Samiti i Berlinit, nuk sjelli ndonjë lëvizje të jashtëzakonshme. Ai ka thënë se me 1 korrik do të jetë takimi i ardhshëm në Paris.

“Takimi i ardhshëm do të ndodhë në Paris, në korrik”, tha Thaçi në konferencën për media pas përfundimit të darkës.

Thaçi tha se Kosova doli e zhgënjyer nga ky Samit, pasi nuk mori ndonjë premtim për vizat.

Gjithashtu presidenti Thaçi ka thënë se ‘Serbia nuk mund të vazhdojë ta kushtëzojë Kosovën me taksën pasiqë është vendim i duhur”, tha Thaci.

“Ka qenë një takim jashtëzakonisht i rëndë. Kemi thekusar shumë qartë se Kosovës i duhet patjetër liberalizimi i vizave. Qytetarët e Kosovës e meritojnë. Kemi plotësuar standardet e nevojshme Nëse dicka e tillë nuk ndodh, do të ishte zhgënjim i madh. Sonte kishte paqartësi rreth këtij procesi, mendoj se ishte zhgënjim dhe dështim për Kosovën. Dëgjuam me vëmendje kancelaren Merkel dhe presidentin Macron, për interesimet e tyre per dialogun Kosovë – Serbi, opinionet e tyre që të lëvizet më shpejt drejt të ardhmes evropiane. Ishte konkludim i të gjithëve që kjo gjendje duhet të tejkalohet. Qëndrimi i Kosovës është i qartë. Nuk do të ketë dialog të kushtëzuar.  Kemi shtruar nevojën që shtetet e Kuintit të jenë të bashkuara dhe të mos ketë dallime si deri më tani, dallime që po reflektojnë edhe në zhvillimet e brendshme. Takimi i ardhshëm do të ndodhë në Paris, në korrik”, ka thënë ai, duke shtuar se ‘SHBA-të duhet të kenë rol në dialog”. 

Thaçi pas Samitit të Berlinit: Ndërkombëtarët u keqinformuan se duam ndryshim kufijsh në vija etnike

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka deklaruar se nuk ka pasur ide për ndyshimin e kufijve në vija etnike.

Pas përfundimit të Samitit në Berlin, ai tha se se nuk mund të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi pa unitet ndërkombëtar, e sipas tij ka pasur kundërshtime “duke u keqinformuar dhe duke rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike”.

Ndërsa theksoi se Kosova në mënyrë legjitime përkrah aspiratat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Thaçi gjithashtu e quajti veprim të papranueshëm pezullimin e dialogut nga ana e Serbisë deri në heqjen e taksës 100%.

Presidenti këto komente i bëri pas përfundimit të punimeve në Samitin e Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Macron, ku morën pjesë liderët e Ballkanit.

“Me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe liderët e Ballkanit Perëndimor, në darkën e përbashkët vazhduam të diskutojmë për të tashmen dhe të ardhmen e rajonit tonë. Për bllokadën në të cilën gjendet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë theksova disa faktorë që e kanë sjellë këtë situatë të pashpresë. Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e tarifës për prodhimet serbe. Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut, të cilin e kemi respektuar që nga pikënisja e tij. Së dyti, faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Këtë marrëveshje nuk mund ta arrijmë nëse shtetet e Kuintit nuk janë të bashkuara dhe nuk flasin me një zë. Po ashtu, edhe shtetet e Kuintit, edhe ne e dimë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së. Kundërshtimet kryesisht janë bërë duke keqinformuar dhe duke rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike. Por, këto pretendime kanë qenë dhe janë tërësisht të pavërteta! Kurdo që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm. Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm. Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tonë. Pretendimet apo ëndrrat e kujtdo se në veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive e modelit të Republikës Serbe, nuk do të realizohen kurrë. Nuk mund të këtë një zgjidhje as në modelin gjermano-gjerman dhe as me një sovranitet të dyfishtë. Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime interesohet dhe përkrah aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Përplasje të ashpra në darkën e Berlinit ndërmjet liderëve të Kosovës dhe atyre serbë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, janë parë bashkë në një tavolinë me homologët e tyre serbë, Ana Bërnabiq e Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të pjesës zyrtare të Samitit për Ballkanin në Berlin.

Ata kanë pirë verë e janë parë edhe të relaksuar, teksa në tavolinën e tyre ka qëndruar edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, të cilët e kanë organizuar samitin.

Përveç Haradinajt e Thaçit, nga Kosova, në të njëjtën tavolinë, ka qenë edhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli. Nuk ka munguar as kryeministri i Shqipërisë dhe aleati i presidentit Thaçi, Edi Rama.

Pjesëmarrësit e Samitit për Ballkanin pritet që më vonë të bashkohen edhe në një darkë jozyrtare në kryeqendrën gjermane.

Më herët, kancelarja gjermane, Angela Merkel, porositi që zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet “të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”.

Ajo, kur doli në konferencë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, si bashkënikoqirë të Samitit të Berlinit, tha se në kuadër të këtij samiti do të diskutohet hapur për të gjitha sfidat.

E, Macron gjithashtu porositi që në kuadër të samitit të diskutohet hapur për të gjitha opsionet që janë në tryezë, sa i përket Serbisë dhe Kosovës.

Këtu mund të jetë edhe dallimi pasi Merkel nuk i konsideron të gjitha opsionet. Ajo është fuqishëm kundër korrigjimit.

Kështu së paku qëndronin gjërat para përfundimit të samitit, i cili pritet ta prodhojë një dokument ku do të trajtohet edhe çështja e korrigjimit të kufijve, ndoshta në mënyrë pak më të tërthortë. 

Image

***

Pas përfundimit të pjesës së parë zyrtare të Samitit në Berlin, ka filluar darka zyrtare.

Për këtë darkë, raportohet nga Berlini se ka përplasje ndërmjet liderëve të Kosovës dhe atyre serbë në darkë.

“Ka përplasje dhe liderëve brenda në darkë… Kjo ka ardhur pasi që njëri prej fjalimeve të liderëve të Kosovës, që ende nuk di e kujt është… Rrëmujen brenda. Është paralajmëruar një përplasje mes Thaçit dhe Vuçiqit…”, thuhet ndër tjerash në këtë raportim.

Ende nuk dihet se ndërmjet kujt ka ndodhur saktësisht përplasja, mirëpo aludohet për Thaçin dhe Vuçiqin.

Së shpejti sjellim detaje të reja…

Përfundon pjesa e parë e Samitit, Haradinaj i rrethuar nga Merkel dhe Macron

Janë siguruar disa pamje pas përfundimit të pjesës zyrtare të Samitit të Berlinit, ku shihet kryeministri Ramush Haradinaj i rrethuar nga Merkel e Macron, por edhe nga liderët e shteteve të Ballkanit.

Aty shihet edhe presidenti serb Vuçiq dhe kryeministrja serbe Bërnabiq.

Më vonë pritet që liderët pjesëmarrës së Samitit të mblidhen në një darkë jozyrtare.

Image
Image
Image

Thaçi në Samitin e Berlinit: Serbia e Bosnja duhet të njohin Kosovën për të ndodhur pajtimi

Në hapjen e Samitit të Berlinit, presidenti Hashim Thaçi thotë të ketë folur për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin.

Në një postim në Facebook, Thaçi tha se situata dhe relacionet janë në nivel të ulët, prandaj në rrethana të tilla shumë iniciativa të mira nga Procesi i Berlinit kanë mbetur pa u realizuar.

“Kjo situatë e keqe nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte. Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit, të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare. Edhe pajtimi do të jetë i pamundur për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Gjermania dhe Franca, sipas tij, kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme.

“Por, një prej vendimeve të para që Bashkimi Evropian do duhej ta merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë”, deklaroi ai, duke ritheksuar se Kosova padrejtësisht ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë dhe se qytetarët e Kosovës janë populli më proevropian në rajon dhe është shumë e padrejtë të vazhdojnë të diskriminohen.

Image

Berlin: Fillon takimi për Ballkanin Perëndimor

Liderët e Gjermanisë dhe Francës, përfaqësues të shteteve të Ballkanit dhe përfaqësues të lartë të BE-së rreth orës 18:00 kanë filluar një takim me dyer të mbyllura në Berlin.

Takimi për shtetet e Ballkanit Perëndimor nën organizim të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit të Francës Emannuel Macron ka për qëllim siç u tha më herët, përmirësimin e marrëdhënieve mes shteteve të Ballkanit Perëndimor e para së gjithash gjetja e një zgjidhjeje për të dalë nga qorr sokaku në të cilën gjendet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Macron- Kosovës dhe Serbisë: Hiqni dorë nga emocionet gjatë dialogut

Samiti i Berlinit që po mbahet sot në Berlin është organizuar nga nikoqiri, kancerlarja Angela Merkel dhe presidenti i Francës Emanuel Macron.

Merkel dhe Macron kanë dalë së bashku në një konferencë të përbashkët për gazetarë në të cilën u përmendën edhe marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kancelarja gjermane fillimisht ka përcgëzuar Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut për arritjen e marrëveshjes për cështjen e emrit, ndërkohë që tha edhe Serbia dhe Kosova duhet ta gjejnë zgjidhjen dhe të arrijnë një marrëveshje.

Ndërsa presidenti francez Macron tha se Samiti i Berlinit nuk është që të gjednet një zgjifhje për Kosovën dhe Serbinë por sipas tij të gjithë së bashku në takimin që do të mbahet sot me përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit do të diskutojnë se si do të gjendet një zgjidhje në të ardhmen.

Macron i ftoi dy palët, atë nga Kosova dhe Serbia siq tha ai “që të heqin dorë nga emocionet gjatë dialogut mes tyre”.

Iniciativa gjermano-franceze sipas Macron është që këto dy shtete të fokusohen në rajonin e Ballkanti për të ndihmuar në shumë cështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat