Lajmrohet prapë Thaçi nga Berlini, ja çfarë thotë

Aktuale

Lajmrohet prapë Thaçi nga Berlini, ja çfarë thotë

Nga: Z.B Më: 29 prill 2019 Në ora: 22:38
Pamje nga darka me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe liderët e Ballkanit Perëndimor

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se janë në darkën e përbashkët dhe kanë vazhduar të diskutojmë për të tashmen dhe të ardhmen e rajonit, me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe liderët e Ballkanit Perëndimor, përcjell “Bota sot”.

Thaçi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se për bllokadën në të cilën gjendet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka theksuar disa faktorë që e kanë sjellë këtë situatë të pashpresë, ngase, siç ka theksuar ai, së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e tarifës për prodhimet serbe.

“Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut, të cilin e kemi respektuar që nga pikënisja e tij. Së dyti, faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

Tutje, Thaçi ka shkruar se këtë marrëveshje nuk mund ta arrijmë nëse shtetet e Kuintit nuk janë të bashkuara dhe nuk flasin me një zë. Po ashtu, Thaçi ka theksuar se edhe shtetet e Kuintit, edhe ne e dimë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së.

Postimi i plotë:

Me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe liderët e Ballkanit Perëndimor, në darkën e përbashkët vazhduam të diskutojmë për të tashmen dhe të ardhmen e rajonit tonë. Për bllokadën në të cilën gjendet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë theksova disa faktorë që e kanë sjellë këtë situatë të pashpresë. Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e tarifës për prodhimet serbe. Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut, të cilin e kemi respektuar që nga pikënisja e tij. Së dyti, faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Këtë marrëveshje nuk mund ta arrijmë nëse shtetet e Kuintit nuk janë të bashkuara dhe nuk flasin me një zë. Po ashtu, edhe shtetet e Kuintit, edhe ne e dimë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së. Kundërshtimet kryesisht janë bërë duke keqinformuar dhe duke rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike. Por, këto pretendime kanë qenë dhe janë tërësisht të pavërteta! Kurdo që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm. Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm. Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tonë. Pretendimet apo ëndrrat e kujtdo se në veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive i modelit të Republikës Serbe, nuk do të realizohen kurrë. Nuk mund të këtë një zgjidhje as në modelin gjermano-gjerman dhe as me një sovranitet të dyfishtë. Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime interesohet dhe përkrah aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë! HTH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat