Driton Selmanaj: Samiti i Berlinit i dha fund idesë për shkëmbim territoresh

Aktuale

Driton Selmanaj: Samiti i Berlinit i dha fund idesë për shkëmbim territoresh

Më: 29 prill 2019 Në ora: 23:51
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se Samiti i Berlinit i ka dhënë fund idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vlerësimi për Samitin e Berlinit është pozitiv nga ana jonë. Kemi përshtypjen se me këtë Samit mori goditjen e merituar, projekti i nisur në Beograd e i promovuar në Kosovë përmes Thaçit e i mbështetur nga Rama për ndarje të Kosovës, shkëmbim e lojëra tjera”, ka thënë Selmanaj në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, vetë iniciativa për një samit të tillë nga një shtet që kishte dalë publikisht kundër një ideje të shkëmbimit të territoreve tregon se një opsion i tillë s’mund të ndodhë.

Ai ka thënë se Kosova nuk u paraqit denjësisht në këtë samit duke e ndërlidhur atë me mospajtimet mes kryeministrit Ramush Haradinaj e presidentit Hashim Thaçi.

“Presidenti i Serbisë dhe kryeministrja shkuan bashkë e këta tanë ndaras. Pati shkrim sot edhe ‘New York Times’ se Macron e Merkel do të merren më shumë për të pajtuar kosovarët se Kosovën me Serbinë. Kjo është keq që është dalluar edhe jashtë se sa dallojmë. Presidentin Thaçi e pash në siklet sepse përpiqej të minimizonte këtë samit sepse ia ka prishur planet”, ka shtuar Selmanaj.

Sipas Selmanajt, një iniciativë e tillë e marrë nga Gjermania dhe Franca është pozitive, por ka shtuar asnjë projekt s’do të marrë vulë pa involvimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat