Mustafa godet fort liderët në Samitin e Berlinit: Dikush fliste me Merkel dhe Macron e dikush ia rrihte krahët Vuçiqit

Aktuale

Mustafa godet fort liderët në Samitin e Berlinit: Dikush fliste me Merkel dhe Macron e dikush ia rrihte krahët Vuçiqit

Nga: N.Sh Më: 30 prill 2019 Në ora: 10:37
Isa Mustafa

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është deklaruar në lidhje me Samitin e Berlinit dhe liderët shqiptar që morën pjesë në këtë Samit.

Mustafa përmes një postimi në Facebook, thotë se në këtë Samit, dikush prej liderëve shqiptar fliste me Angela Merkelin dhe Macron, e dikush tjetër ia rrihte krahët presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Mustafa, tutje shprehet se, Samiti i Berlinit dërgoi mesazhe që Evropës i nevojitet një Ballkan Perëndimor pa konflikte.

“Kancearja gjermane, Merkel, ashtu edhe Presidenti i Francës, Macron, i përsëritën qëndrimet e tyre të njohura për marrëveshjen Kosovë- Serbi”, shkruan Mustafa, transmeton gazeta “Bota sot”.

Ndërsa deklaratat e Thaçit dhe Haradinajt, Mustafa i quan si konsum i brendshëm, të cilat u harruan pa ardhë ata në Kosovë.

Ja postimi i plotë:

Nga pritjet spektakulare, takimi i Berlinit dha rezultate normale për një përbërje të tillë. Dërgoi mesazhe që Evropës i nevojitet një Ballkan Perëndimor i cili nuk gjeneron konflikte dhe kriza, por paqe. Nuk ofroi modele dhe nuk përjashtoi modele. Sikurse Kancearja gjermane, Merkel, ashtu edhe Presidenti i Francës, Macron, i përsëritën qëndrimet e tyre të njohura për marrëveshjen Kosovë- Serbi.

Nuk ka qenë e pritshme që presidentët dhe kryeministrat e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor do të vendosnin për çështjet e Kosovës dhe Serbisë në një takim të tillë. Për këto çështje vendoset në takimet e ketyre dy vendeve me ndërmjetësim të BE-së ( pasi të kryhen zgjedhjet ne PE) dhe me një rol të fuqishëm të SHBA-së.

Deklaratat e Presidentit Thaçi se atje do të zgjidhë problemin e liberalizimit të vizave dhe atë të Luginës së Preshevës si dhe ato të Kryeministrit Haradinaj për tarifat dhe kufijtë ishin për konsum të brendshëm, dhe u shuan ende pa u kthyer ata në Kosovë. U shuan sikurse uniteti i delegacionit të shqiptarëve, që i bëri bashk aeroplani i Behxhet Pacollit deri në Berlin, por në Berlin dikush fliste me Merkel dhe Macron e dikush ia rrihte krahët Presidentit të Serbisë.

Është iluzion të pritet një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë, në qoftë se paraprakisht nuk krijohet një zë i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe i opozitës dhe pozitës për këtë çështje. Për një zgjidhje të tillë duhen të ndodhin zgjedhjet sa më parë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat