BSPK fton të gjithë për protesta për 1 Maj: Mos shkoni në Durrës e Gërmi

Aktuale

BSPK fton të gjithë për protesta për 1 Maj: Mos shkoni në Durrës e Gërmi

Më: 30 prill 2019 Në ora: 11:26
Foto

Për 1 Maj do të mbahet protestë e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK) me kërkesat për Marrëveshjen Kolektive, për rritje të pagës minimale, për skema pensionale si dhe për sigurime shëndetësore.

Në këtë protestë kanë konfirmuar se do të marrin pjesë edhe punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK), por me kërkesa të veçanta, që punëtorët e KEK-ut mos të janë të përfshirë në ligjin për paga, të aprovohet Marrëveshja Kolektive, njohja e përvojës së punës gjatë viteve 90-99 dhe njohja e sëmundjes profesionale më ligj që merren në vend të punës.

Po ashtu për Ditën Ndërkombëtare të Punës, protestë do të mbahet edhe në Han të Elezit nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve dhe Shoqërisë Aksionare të katër fabrikave aksionare të Kombinatit “Sharri”.

Kryetari i BSPK-së Avni Ajdini thotë se në protestën e 1 Majit, do të adresohen dhe kërkesat për sigurinë dhe shëndetin në punë, ngaqë në vazhdimësi është duke u rritur numri i viktimave në vendin e punës.

Ajdini thotë se sektori privat është një problem serioz dhe qeveria me inspektoratin e saj duhet të angazhohen me seriozitet të lartë rreth kësaj çështje.

Ajdini: Pesë kërkesa për Qeverinë

“Si kërkesë primare do të jetë nënshkrimi i marrëveshjes Kolektive, paga minimale, skema pensionale dhe sigurimi shëndetësor. Sigurisht që aty dalin edhe kërkesa të tjera… Dikush kërkon edhe punë, kërkojnë pensionistët ngritjen e pensioneve sipas kontributeve që kanë dhënë. Pensionistët të paguhen sipas kontributeve. Jo p.sh, punëtori për tri ditë me mbetur me 90 euro ose profesori i diplomuar me mbetur me 90 euro sikurse ai që nuk ka punuar fare… (7’8) Punëdhënësit të cilët nuk i zbatojnë rregullat e ndërtimit dhe sigurinë e vendit të punës për punëtorët, atyre duhet t’u mbyllen bizneset”, thotë Ajdini.

Kryetari i BSPK-së ka kërkuar nga punëtorët që të marrin pjesë në protestën njëorëshe dhe pastaj të festojnë në Gërmi dhe në vendet bregdetare.

Ajdini: Ejani në protestë më 1 Maj

“Pasi kemi jashtëzakonisht probleme serioze, protesta është për të drejtat e punëtorëve, por unë e kam një mesazh për të gjithë punëtorët që të dalin në Sheshin “Nënë Terezë’. Te Teatri Kombëtar do të mbahet protesta 45 minuta apo një orë(punëtorët) sigurisht që do të vijnë me mesazhet e veta, edhe ne i kemi përgatit mesazhet, që do t’ia përcjellim qeverisë për realizimin e të drejtave të punëtorëve. Pasi të kryhet protesta, atëherë i dëshiroj rrugë të mbarë për Durrës e Vlorë, Gërmi. Por, obligative dhe primare e tyre është për me i kërkuar të drejtat veta. Sepse duke i kërkuar të drejtat e tyre, ata rrisin edhe standardin familjar dhe është për të mirën e tyre”, thotë Ajdini.

Po ashtu më 1 Maj në ditën e punëtorëve Kuvendi i Këshillit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve dhe Shoqërisë Aksionare të Kombinatit “Sharri”, ka paralajmëruar protestë duke filluar prej orës 12:00 para portës së çimentores në Han të Elezit, me qëllim që të kundërshtohet forma e privatizimit ilegal që i është bërë kësaj ndërmarrje.

Përfaqësuesi më i lartë i katër kompanive “Çimento”, “Salloniti”, “Lepenci” dhe “Silcapori”, Xheladin Laçi iu ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve të kombinatit “Sharri” që masovikisht  t’i përgjigjen kësaj proteste.

Sipas tij, ish AKM-ja, tani AKP-ja dhe Agjencioni i Lartë i Likuidimi po i mbanë peng këto katër njësi të kombinatit “Sharri”.

Laçi tha se kërkesa e vetme është që kombinatit “Sharri”, t’i kthehet statuti si shoqëri aksionare dhe 1 mijë e 100 punëtorë të larguar me dhunë në formë kolektive në vitin 2010, t’i kthehen punës.

Laçi: Kërkesat tona janë që krimi i organizuar të ndalet dhe fabrikat tona të kthehen

“Kërkesat tona janë që të kthehet statuti i shoqërisë aksionare, kërkesat tona janë që krimi i organizuar të ndalet dhe fabrikat tona që po i mbajnë qe dhjetë vjet të uzurpuara gjëja se ish-AKM-ja tash AKP, kanë bërë privatizim. Te ne s’ka pasur privatizim, rasti është shumë specifik… Kthimi në vendin e punës së pari, por shfrytëzoj rastin që të paktën krimi i organizuar, nepotizmi të largohet dhe fabrikat tona, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të mos i gjykon punëtorët në formë individuale, por të merret direkt me krimin e organizuar”, deklaroi Laçi.

Nënkryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (SR-KEK), Nexhat Llumnica thotë për Kosovapress se kërkesë kryesore e tyre është që Korporata Energjetike e Kosovës përkatësisht punëtorët e KEK-ut mos të janë në ligjin për paga, të aprovohet Marrëveshja Kolektive, njohja e përvojës së punës 90-99 dhe Njohja e sëmundjes profesionale më ligj që merren në vend të punës.

“Ne nuk do të protestojmë në Obiliq, por kemi protestë së bashku me BSPK-në, mirëpo secila degë kemi kërkesat e veçanta. Pra, prej orës 11:00 më 1 maj ftoj jo vetëm punëtorët e KEK-ut, por të gjithë qytetarët e pa punë dhe punëtorët të shprehim pa kënaqësinë tonë lidhur më drejtat e punëtorëve në Kosovë”, thotë Llumnica.

Ndërsa, këshilltari i kryeministrit, Haki Shatri thotë se është e drejtë e punëtorëve të protestojnë dhe të dalin me kërkesat e tyre të cilat pastaj do të shqyrtohen nga Qeveria.

Shatri thotë se çështja e punësimit dhe problemeve sociale, dhe të gjitha çështjet që lidhen me mirëqenien ose rritjen e mirëqenies të popullsisë, do të trajtohen në kuadër të krijimit të kushteve për zhvillim më dinamik, si vit i ekonomisë, i shpallur nga kryeministri.  

Shatri: Qeveria ka përgjegjësi për vendimet e marra

“Kanë të drejtë me mbajt protestë, me bërë kërkesa, pastaj Qeveria, institucionet i vlerësojnë ato kërkesa… Kërkojnë pagën minimale, ne presim konstituimin e Këshillit Ekonomik Social… Qeveria ka përgjegjësi për vendime, pasojat e tyre që mund t’i ndodhin ekonomisë së vendit dhe rrjedhave sociale… Rritja e punësimit, eliminimi i problemit të papunësisë dhe problemeve sociale, dhe të gjitha çështjet që lidhen me mirëqenien ose rritjen e mirëqenies të popullsisë, në këtë periudhë tash e tutje do të gjejnë zgjidhje me krijimin e kushte për zhvillim më dinamik ekonomik. Ne kemi probleme aktuale me strukturën sociale të popullsisë, pra me shkallën e lartë papunësisë”, thotë Shatri.

Ndryshe, punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë janë më të rrezikuarit. Gjatë vitit të kaluar 22 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërkohë që lëndime të rënda kanë pësuar 104 persona. Kjo dukuri është në rritje edhe në vitin 2019. 

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat