Flet furrtari shqiptar që u sulmua në Beograd

Aktuale

Flet furrtari shqiptar që u sulmua në Beograd

Më: 30 prill 2019 Në ora: 14:16
Furra e bukes

“Kjo ka shkuar shumë larg. Kjo është hera e parë që ndjej se jeta ime është në rrezik”, tha 34-vjeçari, Mon Gjuraj pasi ultra-nacionalistët serbë e kishin në shënjestër furrën të tij të bukës në Borca, në periferi të Beogradit në fundjavë.

Gjuraj i përket pakicës shqiptare në Serbi. Nacionalistët erdhën tek furra e tij pasi një foto e kushëririt të tij teksa pozonte duke e bërë me duar simbolin e shqiponjës me dy koka, u përhap në Facebook.

Gjuraj u ndje i shqetësuar pasi një mik e mori në telefon dhe i shpjegoi se kishte parë një fotografi të kushëririt të tij në Facebook teksa bënte simbolin e shqiponjës me dy koka.

Nuk ishte një foto e re. Fillimisht ajo ishte shpërndarë në Instagram dy vjet më parë dhe kishte tërhequr menjëherë komente plot zemërim e kërcënime. “Kjo foto u fshi nga Instagram kështu që unë nuk e di pse ata vendosën ta postojnë tani”, tha Gjuraj.

Cilado qoftë arsyeja, më 27 prill, nacionalistët u mblodhën para furrës së tij, kënduan vargje nacionaliste, luajtën këngë patriotike serbe dhe vendosën në dritare etiketa që lexohej “Kosova është Serbi”.

Grupet e tyre sulmuan dy herë furrën, por u shoqëruan nga Policia, të cilët siguruan lokalin.

Të djathtët pastaj treguan zemërimin e tyre duke hedhur kokat e derrave në furrë dhe duke thirrur mesazhe urrejtjeje.

[Shumica e shqiptarëve janë myslimanë, të cilët e kanë të ndaluar të hanë mishin e derrit, kështu që zgjedhja e kokës së derrit nuk ishte rastësi.]

“Unë jam përballur me të gjithë këtë kaos për disa ditë pasi kam e kam kuptuar çështjen e fotos. Kam marrë edhe kërcënime të tmerrshme online”, tha Gjuraj për BIRN.

Ai tha se kishte raportuar kërcënimet në Polici më 26 prill.

Për nacionalistët në Serbi, të zemëruar për humbjen e Kosovës më shumë se një dekadë më parë – e cila është kryesisht e banuar nga shqiptarët – gjesti i shqiponjës shihet si i zemëruar dhe fyes.

Qershorin e kaluar, dy futbollistë zviceranë të nacionalitetit shqiptar, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, tërbuan zyrtarët serbë dhe publikun duke festuar golat e tyre kundër Serbisë në Kupën Botërore me simbolin e shqiponjës. FIFA i ka gjobitur ata pse e kanë bërë këtë.

Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe shumica e partive të opozitës në Serbi kanë dënuar sulmet ndaj furrës në Beograd – por një deputet i krahut të djathtë, Srdjan Nogo, jo vetëm që mori pjesë në sulm, por e mbrojti atë duke e quajtur si legjitim.

Ai pretendoi se “qytetarët lokalë i kanë bërë ballë provokimeve të pronarit shqiptar të furrës së bukës”.

“Është koha që të ktheheni prej nga ku keni ardhur”, ka shkruar në Instagram, kreu i grupit të ekstremit të djathtë Srbska, Bojan Stojkoviq.

Disa vendas nuk pajtohen. Ata kanë mbrojtur fqinjin e tyre, duke u futur në furrë, pavarësisht pranisë së të djathtëve protestues, për të bërë blerë aty.

Një rast i ngjashëm trazoi fshatin zakonisht të qetë të Dolovës në rajonin Banat të provincës veriore të Vojvodinës muajin e kaluar.

Mediat njoftuan se një grup fshatarësh u mblodhën më 21 mars para furrës së bukës, e cila ishte në pronësi të shqiptarëve, pasi ata me sa duket postuan fotografi në Facebook të tyre duke bërë me duar simbolin e shqiponjës.

Një fotografi tregoi dy anëtarë të familjes që mbanin dy armë, ku njëri prej tyre tha: “Do të dalim për gjah. Doni të na bashkoheni?”

Milica Djurdjeviq, nga lëvizja e të djathtës Zavetnici, shkroi në Facebook se fshati ishte “bërë target i Shqipërisë së Madhe”.

“Pyes veten … se si është e mundur që separatistët shqiptarë të hapin në mënyrë publike furrat e bukës dhe të ecin me armë në Banat”, tha Djurdjeviq më 21 mars.

Ditë më vonë, mediat raportuan se familja shqiptare ishte larguar nga Dolove dhe kishte shkuar në Kosovë.

Por Gjuraj, nga Borca, nuk dëshiron të shkaktojë probleme, ose të largohet. “Unë jetoj këtu, punoj këtu dhe paguaj taksat këtu. Këtu shkojnë fëmijët e mi në shkollë. Unë jam duke qëndruar këtu”, tha ai.

Ai tha se nuk ishte hera e parë që kishte përjetuar urrejtje për shkak të kombësisë së tij.

“Sa herë që Serbia luan një lojë të rëndësishme [në sport], dikush thyen dritaret e furrës ose dëmton makinën time”, tha ai.

Ndërsa zemërimi kundër tij vazhdon në internet, me të djathtët që shkruajnë mesazhe urrejtjeje në Google, e të tjerët kanë organizuar një kundër veprim duke postuar mesazhe pozitive në Twitter.

Njoftimi për një veprim tjetër mbështetës është dhënë përmes Twitter-it, më 3 maj, kundërshtarët e ekstremit të djathtë thonë se do të shkojnë në Borca për të blerë brumëra te Gjuraj “Le t’i mbështesim fqinjët tanë”, thotë njoftimi.

Shqiptarët dikur ishin të njohur në të gjithë ish-Jugosllavinë për furrat e bukës.

Por pozicioni i tyre është përkeqësuar shumë në Serbi që nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe sidomos pasi që Kosova u shkëput dhe shpalli pavarësinë në 2008.

Shumë serbë janë ende të hidhëruar me humbjen e Kosovës dhe akuzojnë shumicën shqiptare të Kosovës që po përzënë pakicën serbe nga Kosova.

Kohët ishin veçanërisht të vështira në vitin 2008, kur një valë dhune antishqiptare shpërtheu në Serbi dhe kur disa furra buke në pronësi të shqiptarëve, kryesisht në Vojvodinë, u sulmuan dhe u shkatërruan.

Jo të gjithë u bashkuan. Disa njerëz organizuan ngjarje për të shprehur solidaritet dhe shkuan për të ngrënë në furra të bukës që ishin të kërcënuara në masë.

Gjuraj tha se ai ende pret mbrojtje nga autoritetet, megjithëse ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq ka minimizuar seriozitetin e ngjarjes.

“Tubimi përfundoi pa asnjë incident dhe Policia nuk la dhe nuk do të lejojë shkelje të rendit dhe qetësisë publike”, tha Stefanoviq më 28 prill, njoftoi televizioni ‘N1’.

Ai u bëri thirrje atyre që protestuan në Borca të shtunën për të mbajtur në mend se “Beogradi ka qenë gjithmonë një qytet i qetë dhe një mikpritës i mirë”.

Thirrja e tij nuk kishte shumë efekt. Të djathtët tashmë po nënkuptojnë veprime të reja, të nxitura nga raporte nxitëse të mediave për të ashtuquajturat provokime të reja shqiptare.

E përditshmja ‘Vecernje Novosti’, të dielën, pretendoi se kishte zbuluar një rast të ri të një furrtari nacionalist shqiptar në Vojvodinë.

“Ky është pronari i një furrë buke në Novi Sad që po promovon UÇK-në, një Shqipëri të Madhe dhe një Vojvodinë të pavarur në FB”, tha një nga postet e shumta që pasuan raportin.

Artikulli në ‘Vecernje Novosti’ u fshi shpejt. Por të djathtët kanë vazhduar të sulmojnë furrën e targetuar në rrjetet sociale, duke vënë në dukje adresën e saj – gjë që mund të jetë kërcënim për pronarin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat