Tahiri informon ambasadorët e BE-së për masat e ndërmarra në luftën kundër terrorizmit

Aktuale

Tahiri informon ambasadorët e BE-së për masat e ndërmarra në luftën kundër terrorizmit

Më: 30 prill 2019 Në ora: 14:58
Abelard Tahiri, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorë dhe shefat e misioneve diplomatike të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët i ka informuar për riatdhesimin e 110 qytetarëve nga zonat e konfliktit në Siri.

Ai me këtë rast ka informuar ambasadorët për masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat kanë pamundësuar pjesëmarrjen e kosovarëve në organizatat terroriste, duke folur nga perspektiva e masave ligjore si dhe nga mobilizimi social.

Sipas ministrit Tahiri, ndryshimet e bëra në legjislacionin penal sanksionuan çfarëdo pjesëmarrje në konflikte të huaja të motivuara nga doktrinat radikale si dhe përhapjen, mbështetjen dhe financimin e terrorizmit.

“Trendit të pjesëmarrjes në konflikte të huaja, institucionet dhe shoqëria jonë i kanë dhënë një përgjigje të fuqishme, duke e bërë një ndarje të thellë nga çfarëdo motivimi, mbështetje apo sinergjie për ngjarjen në Siri dhe Irak. Si rezultat e kësaj ndërmarrësie, nga viti 2016, asnjë qytetar i vetëm i Republikës së Kosovës nuk iu është bashkangjitur konflikteve në zhvillim apo grupeve terroriste. Asnjë qytetar s’ka udhëtuar në zonat e konflikteve” ka thënë ministri Tahiri.

Ministri Tahiri ka njoftuar ambasadorët e BE-së për rolin e tij në drejtim e Task Forcës për riatdhesimin e shtetasve të Republikës së Kosovës nga zonat e luftës në Siri.

“Si Ministër i Drejtësisë, kisha përgjegjësi ta adresoja edhe pikëpamjen se Republika e Kosovës dhe Kushtetuta jonë nuk mund ta mohojë të drejtën e ekzistencës dhe shtetësisë së qytetarëve tanë që ishin në Siri, veçmas atyre viktimave të mashtrimit, dhe fëmijëve.  Në vend të mohimit të ekzistencës së tyre, ne zgjodhëm të marrim pronësi të plotë mbi ta, përmes një vendimi të qartë: kriminelët para drejtësisë dhe viktimat në rehabilitim dhe risocializim” ka thënë ministri Tahiri

Tahiri ka folur edhe për rolin e Republikës së Kosovës në kuadër të Aleancës Globale Kundër ISIS, si një prej vendeve që prijnë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

“Republika e Kosovës ka vendosmëri të plotë që parandalimi dhe luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit të mbetet një prej agjendave të rëndësishme për të cilat angazhohet shoqëria jonë dhe institucionet tona. Nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që qytetarët tanë të paraqesin kërcenim për rendin tonë kushtetues dhe për vendet tjera demokratike. Riatdhesimi i qytetarëve tanë nga zonat e konflikti në Siri, dhe shkëputja nga shfrytëzimi i tyre nga organizatat terroriste dhe grupet radikale është një goditje e fuqishme që Republika e Kosovës i ka dhënë terrorizmit”, tha ministri Tahiri.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat