Ende nuk ka ngritje të aktakuzave, Specialja po vazhdon intervistimet

Aktuale

Ende nuk ka ngritje të aktakuzave, Specialja po vazhdon intervistimet

Më: 30 prill 2019 Në ora: 15:15
Ilustrim

Gjykata Speciale ende nuk i ka ngritur aktakuzat e para, ndërkohë intervistimet janë duke vazhduar.

Së fundi, Gjykata Speciale ka ftuar Mendim Dakën, njërin nga udhëheqësit e Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. I njëjti më 13 maj të këtij viti pritet të intervistohet në Hagë.

Mirëpo, edhe pas intervistimeve të shumta kjo gjykatë ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.

Christopher Bennett, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit Special gjatë një prononcimi për media, ka thënë se kjo zyre nuk ofron informacion se kur pritet të ngritën këto aktakuza.

“Zyra e Prokurorit Special nuk ofron informacion për statusin e hetimit të saj ose për kohën e mundshme të ngritjes së aktakuzave për arsye ligjore, etike dhe profesionale”, ka deklaruar Bennett.

Tutje, ai ka thënë se ZPS është duke i hetuar krimet e rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare ku përfshihen krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit siç përcaktohet nga e drejta ndërkombëtare.

I pyetur rreth shqyrtimit të informacioneve dhe provave të marra nga të ftuarit e deritashëm, Bennett duke mos dashur të jap detaje ka thënë se ZPS ka autoritet të kërkojë praninë e personave të cilët ftohen nga kjo gjykatë.

“ZPS ndër të tjera ka autoritetin të kërkojë praninë dhe t’i pyes të dyshuarit, viktimat dhe dëshmitarët në mënyrë që të mbledhë dhe të shqyrtojë informacionet dhe provat që të marrë vendime për fillimin si dhe vazhdimin ose përfundimin e procedimeve penale. Ajo kërkon t’i mbajë individët përgjegjës për krimet që mbulon mandati i saj. ZPS po zbaton në mënyrë aktive mandatin e vet”, ka përfunduar Bennett.

Se kur do të përmbyllet procesi i marrjes në pyetje ndaj individëve që kanë qenë pjesë e UÇK-së nga kjo gjykatë, ende nuk dihet. Ndërsa, ditë më parë kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati ka thënë se kanë informacione që gjatë muajit maj do të arrijnë në Kosovë edhe ftesa të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat