Thaçi përgënjeshtron Haradinajn: Ja çfarë i përmend kryeministrit!

Aktuale

Thaçi përgënjeshtron Haradinajn: Ja çfarë i përmend kryeministrit!

Më: 1 maj 2019 Në ora: 11:39

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dal sërish në një konferencë për media një ditë pas kthimit nga Gjermani ku ka marr pjesë në Samitin e Berlinit.

Edhe pse sot është 1 Maji Dita e Punëtorëve, presidenti nuk tha asnjë fjalë për këtë festë.

Ato çka u thanë në konferencën e sotme ishin të njëjta me ato të një dite më herët në një konferencë të ngjashme që mbajti në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Kreu i vendit ka deklaruar se në këtë samit nuk ka pasur asgjë konkrete sa i përket njohjes nga shteti i Serbisë.

Thaçi tha se thirrje të tilla nuk ka pasur as nga kancelarja Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Thaçi: As Macron e as Merkel nuk kërkuan njohjen e Kosovës nga Vuçiqi

“Unë nuk aludoj në askënd, flas në koncept apo fenomen. E kam theksuar shumë qartë edhe në takim, disa kanë menduar  ndoshta mund të ndodhë vetëm t’i thojnë Vuçiqit njihe Kosovën, dhe do të përmbyllet, mirëpo e panë që nuk është ashtu. Sepse nuk e pashë një thirrje të tillë për njohje të Kosovës, as nga Merkel as nga Macron, drejtuar presidentit të Serbisë Vuçiq. Mirëpo, nuk e pashë një gatishmëri për thirrje në të njëjtën kohë që edhe pesë vendet e Bashkimit Evropian me njohtë Kosovën, ata duan jam i bindur. Aty nuk është hapur asnjë ide e re, dhe nuk është mbyllur asnjë ide”, tha Thaci.

Bashkë në Berlin me presidentin ishte edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Ai ka deklaruar se në këtë samit ka pasur presion nga Thaçi për heqje të taksës. Por, një gjë të tillë nuk e tha ky i fundit. Sipas tij, në Samitin e Berlinit, liderët shtetëror kanë pasur qëndrim unik.

Thaçi: Kemi qenë shumë të qartë sa i përket taksës

“ Qëndrimet tona kanë qenë shumë të qarta, sa i përket të gjitha çështjeve, edhe sa i përket dialogut edhe sa i përket fqinjësisë edhe sa i përket fokusit tonë shumë të rëndësishëm. Në Samitin e Berlinit ka qenë si të bindet kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të na mbështesin për liberalizim të vizave. Sa i përket taksës kemi qenë shumë të qartë, në tri fjalimet që kam mbajtur, është e drejtë legjitime e Kosovës dhe duhet të mbetet në fuqi. Taksa pretendohet të lidhet me liberalizim të vizave se sa me dialog. Dialogu do të vazhdojë me ose pa”, tha Thaci.

Presidenti u tregua i ashpër edhe me pesë vendet e Quintit, si Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mos-unitet rreth arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai i ka quajtur injorantë e të padijshëm ata që janë kundër demarkimit të kufijve, ani pse nuk ka përmendur emra. Ai ka përsëritur se është për bashkëngjitje të Preshevës, Medvegjës, Bujanovcit me Kosovën.

Thaçi: Të gjithë mund të jenë kundër korrigjimit, unë jam për bashkëngjitje

“Sa i përket korrigjimit të kufijve të gjithë mund të jenë kundër, por unë jam që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkëngjiten Kosovës, pa e cenuar asnjë centimetër të territorit të Republikës së Kosovës, nëse ky është mëkat i imi unë paguaj çmim, por jam në të drejtën e Zotit dhe të popullit të Kosovës dhe shqiptar”, tha ai.

Thaçi  edhe një herë ka përsëritur se dialogu duhet të vazhdojë pa kushte, ndërkaq sa i përket taksës, ai thotë se ky vendim ka qenë i drejtë dhe legjitim dhe se duhet të mbetet në fuqi. Ai e ka quajtur mashtrim kriterin e fundit për liberalizim të vizave, atë të demarkimit të kufirit me Malin e Zi.

Thaçi: Na mashtruan për viza

“Kemi arritur ta bëjmë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që ka qenë kriteri i fundit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Mirëpo e kam theksuar edhe në takim se realiteti i sotëm dëshmon se ky kriter i fundit ka qenë vetëm mashtrim e asgjë më tepër. Pra premtim mashtrues”, tha Thaçi.

Presidenti tha se  Kosova ka kryer të gjitha obligimet sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, por që sipas tij qytetarët po diskriminohet dhe mashtrohen në këtë proces.

***

Presidenti Hashim Thaçi thotë se në adresimin e tij në Berlin, veç tjerash ka folur edhe për taksën duke thënë se ky është një hap legjitim i Kosovës karshi sjelljeve që bën Serbia.

Në këtë mënyrë, ai tërthorazi ka përgënjeshtruar deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se ‘ka pasur presion më shumë nga presidenti Thaçi dhe kryeministri Edi Rama’ për heqjen e taksës.

“Sa i përket taksës, kemi qenë shumë të qartë në tri fjalime që kam mbajtur, është e drejtë legjitime e Kosovës”, ka thënë Thaçi duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se ‘a ishte Kosova unike në qëndrime ne Samitin e Berlinit’.

“Ne kemi prezentuar një qëndrim, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet, jo pa qëllim përmenda çështjet që kam prezantuar atje duke përfshirë edhe rezolutën e Parlamentit të Kosovës. Sa i përket edhe dialogut edhe të ardhmes euro atlantike, edhe fokusit kryesor sepse të them të drejtën fokusi im kryesor në këtë Samit ka qenë si ta bindim Kancelaren Merkel dhe presidentin Macron për liberalizimin e vizave. Pse Kosova dhe qytetarët e saj mbesin më të ndëshkuarit dhe më të izoluarit.”, ka thënë ai.

Thaçi: BE po hesht ndaj sjelljeve armiqësore të Serbisë, për vizat na mashtruan 

Presidenti Hashim Thaçi thotë se vlerëson idenë dhe qëllimin e mirë të Kancelares Merkel dhe presidentit Macron për organizimin e samiteve si ai i së hënës, por thotë se paqja në rajon aktualisht është shumë e brishtë.  Ai thotë se Kosova po e pëson nga kjo gjendje e sidomos për mosliberalizimin e vizave, premtim të cilin, Thaçi thotë se Kosova e mori nga BE’ja me miratimin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Takimi i Berlinit ka qenë i ndarë në dy pjesë, pjesa e parë e fokusuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ka qenë inkurajues angazhimi i Kancelares Merkel dhe presidentit Macron, që të lëvizet nga kjo gjendje ku aktualisht rejoin është tërësisht i bllokuar. Prandaj, vlerësoj idenë dhe qëllimin e mirë të takimit të thirrur nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron”, ka thënë Thaçi, në një konferencë për media.

“E kam theksuar qartë që në hyrje të fjlaës time se perspektiva evropiane për fat të keq për Kosovën, ende mbete Përkundër faktit që shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008, i ka dhënë fund një procesi të shpërbërjes s ëish Jugosllavisë, paqja në vendet tona ende mbetet e brishtë. Kjo gjendje është rezultat i mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga shteti i Serbisë”, ka thënë ai.

Thaçi thotë se ‘çuditërisht BE nuk po reagon ndaj veprimeve armiqësore të Serbisë”

“Ka vite të tëra që BE po hesht ndaj sjelljeses armiqësore dhe anti-evropiane të Serbisë ndaj Kosovës. Çuditërisht kjo sjellje nuk e ka penguar Serbinë në perspektivën evropiane. Natyrisht që kjo sjellje ka bërë që të kemi një ngrirje të njohjeve për Kosovën nga pesë vende të BE’së.  Marrëdhniet mes Kosovës dhe Serbisë, si pasojë, vazhdimisht janë të acaruara. Dialogu, përkundër rezultateve të prekshme, tani është bllokuar nga Serbia. Kushtëzimi i dialogut nuk ka guxuar të lejohet të ndodh në asnjë rrethanë. Sepse asnjëra palë nuk ka guxuar ta bllokojë dialogun në asnjë rrethane. Ky ka qenë një parim i pashkruar që e kemi ditur të gjithë.  BE ka hequr vizat për Bosnjë e Hercegovinën, ndërsa kjo e fundit vazhdon të mbajë vizat për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

“Kriter për vizat ka qenë demarkacioni me Malin e Zi dhe na premtuan se pas kësaj do të hiqeshin vizat. Por fatkeqësisht ky ishte një premtim mashtrues”, ka thënë Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat