BSPK-ja proteston për 1 Maj, marrin pjesë numër i vogël i punëtorëve

Aktuale

BSPK-ja proteston për 1 Maj, marrin pjesë numër i vogël i punëtorëve

Më: 1 maj 2019 Në ora: 12:04
Pamje nga protesta

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka organizuar protestë për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre kundër vdekjeve në vendin e punës, pagave të ulëta të punëtorëve, si dhe skemave pensionale.

 Ata kërkuan që të rritet paga minimale deri në 300 euro dhe të ketë veprime konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe jo vetëm premtime.

Kryetari i Këshillit Organizativ të protestës, Abedin Haxhiu tha se janë tubuar për t’i shfaqur shumë pakënaqësi që po iu bëhen ndaj tyre, me qëllim që siç thotë ai të kenë zgjidhje për ato çështje.

Numrin e vogël të protestuesve e sqaroi kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, i cili tha se një pjesë e punëtorëve të sektorit privat janë duke punuar.

Ai kërkoi që paga minimale të rritet deri në 300 euro, pasi siç u shpreh shporta e konsumatorit është rritur, po ashtu kërkoi të ketë skema pensionale të mirëfillta dhe që punëtorët të kenë siguri në punë.

“Kemi një mal kërkesash për t’i realizuar, por ata kam mbetur vetëm premtime. Kërkesat tona duhet të jenë në vesh të duhur që praktikisht të ketë veprime”, tha ai.

Nga Sindikata e UNIA në Zvicrës, Mattia Lentto u shpreh në përkrahje të këtyre protestave. Kurse, nënkryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica u shpreh i ashpër me institucionet e Kosovës, që sipas tij përmes presioneve, po bën që kjo ditë të konsiderohet që është festë, përkundër sfidave të punëtorëve në Kosovë.

“ I bëj thirrje institucioneve që të mendojnë për punëtorin”, u shpreh ai. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari u shpreh se shteti nuk do t’i shikojë punëtorët si pakicë, por të kenë veprime konkrete për zgjidhje të problemeve të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat