PSD: 1 Maji e gjen Kosovën me shkallën më të ulët të punësimit në Evropë

Aktuale

PSD: 1 Maji e gjen Kosovën me shkallën më të ulët të punësimit në Evropë

Më: 1 maj 2019 Në ora: 12:09
Partia SocialDemokrate

Partia Socialdemokrate përmes një deklarate për media thotë se 1 Maji e gjen Kosovën me shkallën me të ulët të punësimit në Evropë ndërsa punëtorët në ambiente pune ku dominon logjika shfrytëzuese e mënyra shtypëse.

Sipas tyre, pabarazia e madhe në të ardhura që karakterizon shoqërinë tonë është tregues i padrejtësisë shoqërore dhe ekonomike e kjo ilustrohet mirë me pagën minimale të ulët në nivel vendi.

“Mungesa e sigurisë dhe shëndetin në vendin e punës mbetet një prej problemeve kryesore që manifestohet me numrin e madh të vdekjeve në ambientin e punës si dhe me aksidente të rënda për shëndetin e njeriut. Një nga çështjet më brengosëse është përqindja e lartë e fëmijëve të angazhuar në punë, në veçanti tek komunitet rom dhe ashkali”, thuhet në deklaratën e PSD-së.

PSD thotë se joformaliteti që manifestohet si pasiguri ekonomike dhe i lë punëtorët në ankth për mbijetesë, pagat e ulëta që i mbajnë të varfër, mohimi i të drejtës për pushim, shkëputja e kontratave pa paralajmërim janë vetëm një pjesë e shkeljeve të të drejtave me të cilat përballen punëtorët çdo ditë në Kosovë.

Ata theksojnë rolin e sindikatave në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve duke shtuat se ato janë faktori kryesor për të garantuar implementimin e mekanizmave që e luftojnë varfërinë, padrejtësinë shoqërore dhe pasigurinë ekonomike.

PSD gjithashtu kërkon që sistemi gjyqësor të krijojë mekanizma për përshpejtimin dhe prioritizimin e lëndëve të punës për t’ju mundësuar punëtorëve realizimin e të drejtave të tyre.

“Inspektorati i Punës i cili mbetet një prej mekanizmave më të rëndësishëm për parandalimin dhe ndëshkimin e padrejtësive që ndodhin në vendin e punës, duhet t’i rritet buxheti, e bashkë me të edhe numri i inspektorëve”, vijon deklarata.

“Sot, sistemi shfrytëzues ka tejkaluar kufijtë shtetëror. Ai shfrytëzon zhvillimin e pabarabartë midis pjesëve të ndryshme të globit; tek zhvillimi i pabarabartë dhe marrëdhënia qendër-periferi gjenden shkaqet kryesore për emigracionin legal e illegal të punëtorëve kosovarë. Ky fenomen po krijon depresion në Kosovë e ksenofobi në vendin ‘pranues’”.

PSD thotë se 1 Maji është veçanërisht i rëndësishëm në këtë drejtim, për ekuivalencën përbashkuese që ai mbartë. Sipas tyre, 1 Maji është thirrje për traditën internacionaliste të lëvizjes punëtore. Përgjigja kundër shfrytëzimit e shtypjes do të jetë domosdo internacionaliste. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat