Thaçi: Në Samitin e Berlinit kemi qenë unik për taksën

Aktuale

Thaçi: Në Samitin e Berlinit kemi qenë unik për taksën

Më: 1 maj 2019 Në ora: 13:32
Presidenca

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dal sërish në një konferencë për media një ditë pas kthimit nga Gjermani ku ka marr pjesë në Samitin e Berlinit.

Edhe pse sot është 1 Maji Dita e Punëtorëve, presidenti nuk tha asnjë fjalë për këtë festë.

Ato çka u thanë në konferencën e sotme ishin të njëjta me ato të një dite më herët në një konferencë të ngjashme që mbajti në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Kreu i vendit ka deklaruar se në këtë samit nuk ka pasur asgjë konkrete sa i përket njohjes nga shteti i Serbisë.

Thaçi tha se thirrje të tilla nuk ka pasur as nga kancelarja Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Thaçi: As Macron e as Merkel nuk kërkuan njohjen e Kosovës nga Vuçiqi

“Unë nuk aludoj në askënd, flas në koncept apo fenomen. E kam theksuar shumë qartë edhe në takim, disa kanë menduar  ndoshta mund të ndodhë vetëm t’i thojnë Vuçiqit njihe Kosovën, dhe do të përmbyllet, mirëpo e panë që nuk është ashtu. Sepse nuk e pashë një thirrje të tillë për njohje të Kosovës, as nga Merkel as nga Macron, drejtuar presidentit të Serbisë Vuçiq. Mirëpo, nuk e pashë një gatishmëri për thirrje në të njëjtën kohë që edhe pesë vendet e Bashkimit Evropian me njohtë Kosovën, ata duan jam i bindur. Aty nuk është hapur asnjë ide e re, dhe nuk është mbyllur asnjë ide”, tha Thaci.

Bashkë në Berlin me presidentin ishte edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Ai ka deklaruar se në këtë samit ka pasur presion nga Thaçi për heqje të taksës. Por, një gjë të tillë nuk e tha ky i fundit. Sipas tij, në Samitin e Berlinit, liderët shtetëror kanë pasur qëndrim unik.

Thaçi: Kemi qenë shumë të qartë sa i përket taksës

“ Qëndrimet tona kanë qenë shumë të qarta, sa i përket të gjitha çështjeve, edhe sa i përket dialogut edhe sa i përket fqinjësisë edhe sa i përket fokusit tonë shumë të rëndësishëm. Në Samitin e Berlinit ka qenë si të bindet kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të na mbështesin për liberalizim të vizave. Sa i përket taksës kemi qenë shumë të qartë, në tri fjalimet që kam mbajtur, është e drejtë legjitime e Kosovës dhe duhet të mbetet në fuqi. Taksa pretendohet të lidhet me liberalizim të vizave se sa me dialog. Dialogu do të vazhdojë me ose pa”, tha Thaci.

Presidenti u tregua i ashpër edhe me pesë vendet e Quintit, si Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mos-unitet rreth arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai i ka quajtur injorantë e të padijshëm ata që janë kundër demarkimit të kufijve, ani pse nuk ka përmendur emra. Ai ka përsëritur se është për bashkëngjitje të Preshevës, Medvegjës, Bujanovcit me Kosovën.

Thaçi: Të gjithë mund të jenë kundër korrigjimit, unë jam për bashkëngjitje

“Sa i përket korrigjimit të kufijve të gjithë mund të jenë kundër, por unë jam që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkëngjiten Kosovës, pa e cenuar asnjë centimetër të territorit të Republikës së Kosovës, nëse ky është mëkat i imi unë paguaj çmim, por jam në të drejtën e Zotit dhe të popullit të Kosovës dhe shqiptar”, tha ai.

Thaçi  edhe një herë ka përsëritur se dialogu duhet të vazhdojë pa kushte, ndërkaq sa i përket taksës, ai thotë se ky vendim ka qenë i drejtë dhe legjitim dhe se duhet të mbetet në fuqi. Ai e ka quajtur mashtrim kriterin e fundit për liberalizim të vizave, atë të demarkimit të kufirit me Malin e Zi.

Thaçi: Na mashtruan për viza

 

“Kemi arritur ta bëjmë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që ka qenë kriteri i fundit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Mirëpo e kam theksuar edhe në takim se realiteti i sotëm dëshmon se ky kriter i fundit ka qenë vetëm mashtrim e asgjë më tepër. Pra premtim mashtrues”, tha Thaçi.

Presidenti tha se  Kosova ka kryer të gjitha obligimet sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, por që sipas tij qytetarët po diskriminohet dhe mashtrohen në këtë proces.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat