Punëtorët me “një mal kërkesash” për 1 Maj

Aktuale

Punëtorët me “një mal kërkesash” për 1 Maj

Më: 1 maj 2019 Në ora: 14:27
Punëtorët protestojnë për 1 Maj në Prishtinë

Me protestë në kërkim të respektimit të plotë të të drejtave të punëtorëve, është shënuar Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve në Kosovë.

Sindikata të ndryshme, nën organizimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kanë marshuar nëpër sheshet Prishtinës, deri para objektit të Qeverisë.

Para se të shpaloste kërkesat e punëtorëve, duke komentuar turmën jo shumë të madhe, që ishte mbledhur për të protestuar, kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, tha se numri i protestuesve nuk është më i madh për shkak se një pjesë e madhe punëtorëve punojnë edhe sot dhe nuk kanë guxuar t’i bashkohen protestës.

“Por, një numër sigurisht se punojnë sot, në ndërtimtari, kështu që ndoshta edhe nuk e kanë pasur guximin të na bashkohen në kërkesat tona. Te ne kemi mjaft kërkesa sociale, duke filluar nga nënshkrimi i marrëveshjes kolektive, paga minimale, duhet te nënshkruhet siguria dhe shëndeti në punë, duhet të nënshkruhet vendimi mbi skemat pensionale. Kemi një mal kërkesat për të realizuar, por ato kanë ngelur në premtime, e të cilat kërkojmë të hasin në veshin dhe personat e duhur, në mënyrë që të zbatohen në mënyrë praktike”, tha Ajdini.

Theks të veçantë në këtë protestë, kryesindikalisti Ajdini, i ka dhënë nevojës për rritje të sigurisë dhe sigurimit shëndetësor në punë.

Ai ka kritikuar institucionet shtetërore për moszbatim të zotimeve për rritje të pagës minimale, e cila në Kosovës është 130 euro, për personat nën 35 vjeç dhe 170 euro për personat mbi këtë moshë.

Për shkak të rritjes së çmimit shportës bazë të qytetarit, është rritur edhe kërkesa e tyre për pagën minimale, nga 250 sa kërkohej para dy vjetësh, në 300 euro.

“Për fat të keq te ne shihen gjërat sikur t’i kemi punët në rregull, kurse çdo ditë bërtasin se paga minimale është 130 apo 170 euro. Edhe pse jemi zotuar që paga minimale të jetë 250 euro, ajo ka mbetur vetëm në letër, do të thotë nuk është e zbatueshme. Për këtë arsye kemi kërkuar nga të gjithë qeveritarët tanë të mos ngelin kërkesat tona në letër. Neve na intereson edhe mbrojtja në vendin e punës. Prandaj i thërrasë të gjithë akterët që munden të ndihmojnë dhe u them faleminderit. Edhe pse paga minimale është nënshkruar dhe është zotuar nga viti 2017, nga dhjetori, ajo ka vlejtur për vitin 2018, kurse unë them sot, këtu, ajo pagë minimale nuk është 150 më, por ajo pagë minimale do të jetë 300 euro. Sepse shporta e qytetarit, shporta e punëtorit është ngritur dhe kjo ka bërë që paga minimale të jetë 300 euro”, ka shtuar kryesindikalisti Ajdini.

Në përkrahje të kërkesave të punëtorëve kosovarë, u shpreh edhe anëtari i Sindikatës UNIA të Zvicrës, Mattia Lento.

Ndërkohë, kryetari i Sindikatës Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, inkurajoi punëtorët protestues të ngrenë zërin dhe i bërë thirrje Qeverisë që të dëgjojë zërin e punëtorëve, para se, siç tha ai, “të bëhet vonë e sheshet të mbushen plotë”.

“Ua kujtoj institucioneve që të mos na shohin pak sot, sepse edhe në arsim filluam me pak, filluam me një protestë modeste, vazhduam me një orë grevë, ata nuk dëgjuan zërin tonë, pastaj ndodhi greva tri javore dhe i tërë shteti u ngrit në këmbë. Nëse shteti nuk i shikon kërkesat tona, atëherë unë jam i sigurt që ky shesh do të mbushet plotë, e atëherë mbase do të jetë edhe vonë që të merren me kërkesat tona. Prandaj i them Qeverisë, merru me zërin e punëtorëve sepse nesër mund të bëhet vonë”, tha Jasharaj.

Ndërsa, nënkryetari i Sindikatës së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nexhat Llumnica, fillimisht komentoi gjendjen e rëndë të punëtorëve në sektorin privat, duke thënë se punëtorët po vdesin çdo ditë duke mos guxuar të ngrenë zërin për padrejtësitë që u bëhen.

“Çdo ditë punëtorët lëndohen, e madje edhe vdesin në vendin e punës. Nuk po flasim për kontratat e tyre të punës, sepse ato nuk ekzistojnë, sidomos në sektorin privat. Të gjithë e dimë se jemi të pakënaqur me pagën minimale në sektorin privat. Jam i bindur që ata nuk guxojnë as t’i shprehin pakënaqësitë, sepse ky shtet është kapur nga politika e partitë politike”, theksoi Llumnica.

Llumnica ka kërkuar rritjen e pagesës së shujtës ditore për punëtorët e KEK-ut, nga një euro e shtatëdhjetë centë në tri euro, pagesën shtesë për punën në ndërrimin e natës dhe pagesën për pushimet mjekësore, në bazë të Ligjit të punës.

Tutje ai ka paralajmëruar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, lidhur me pakënaqësitë e tyre për përfshirjen në Ligjin për pagat, duke thënë se do të lënë në “terr” këto institucione, nëse nuk realizohen kërkesat e tyre.

“Ne kemi kërkuar edhe para se të bëhet Ligji për paga, që Korporata Energjetike të mos jetë në këtë ligj sepse ne nuk jemi punëtorë administrativë e as shërbyes civilë, por punëtorë të minierave dhe termocentraleve. Përveç kësaj cenon edhe Kushtetutën e Kosovës, sepse cenon ekonominë e lirë, e po ashtu cenon edhe Ligjin e punës... Sipas Qeverisë së Kosovës dhe Parlamentit, aprovuese e këtij Ligji (për pagat), punëtorët e KEK-ut duhet të punojnë vetëm në orar të rregullt të punës, nga ora 7 deri në 15. Binduni Qeveria e Kosovës, se në rast se jemi në këtë Ligj për paga, e ne e dimë që jemi, por nëse nuk tërhiqet, ne do të punojmë nga ora 7 deri në 15, kështu që ky objekt do të jetë në terr”, ka shtuar Llumnica.

Në fund të protestës, në një aksion simbolik pjesëmarrësit kanë lënë disa certifikata të improvizuara “për mos respektim të drejtave të punëtorëve” për kryeministrin Ramush Haradinaj, Ministrin e Punës, Skender Reçica dhe zyrtarë tjerë, funksioni i të cilëve lidhet më të drejtat të punëtorëve.

Lidhur me shkeljet e të drejtave të punëtorëve, në një tryezë diskutimi, të martën, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka prezantuar raportin “Te drejtat në letër”. Sipas këtij instituti, vetëm gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë regjistruar 20 raste të vdekjeve në vendin e punës, për shkak të mungesës së sigurisë dhe kushteve për punë.

Shqetësuese sipas KDI-së është hezitimi i punëtorëve në sektorin privat për të denoncuar shkeljet e të drejtave të tyre, për shkak të frikës së humbjes së vendit të punës. Lidhur me këtë, KDI i ka rekomanduar Inspektoratit të Punës që të shtojë inspektimet dhe të rrisë numrin e inspektorëve./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat